Festa e birrës “Oktoberfest” në Gjermani, e planifikuar të bashkojë qindra mijë njerëz nga 18 shtatori deri më 3 tetor në Mynih, është anuluar për të dytin vit radhazi për shkak të pandemisë COVID-19, njoftoi kreu i shtetit bavarez në një deklaratë për shtyp.
Situata shëndetësore mbetet shumë e “pasigurt” për të organizuar “mbledhjen më gjithëpërfshirëse të të gjithëve në shesh” që do të mbahet në vjeshtë, tha Ministri-Presidenti bavarez, Markus Söder, në një konferencë shtypi.
Kryetari i Bashkisë së Mynihut, Dieter Reiter, e përshkroi njoftimin si “shumë të hidhur”, por tha gjithashtu se një njoftim i tillë pritej nga shumica, duke mos përbërë befasi. Sipas vlerësimeve, më shumë se 6.3 milionë njerëz e vizitojnë Mynihun çdo vit për të marrë pjesë në këtë ngjarje festive. Z. Reiter tha se megjithëse “një pjesë e madhe e njerëzve në Gjermani dhe mbase edhe në Europë do të jenë vaksinuar deri në shtator”, pandemia në të gjithë botën nuk do të ketë mbaruar ende dhe se rreziku që disa njerëz mund të infektohen nga COVID-19 gjatë kësaj feste është shumë i madh.
Gjermania aktualisht është në mes të një bllokimi që përfshin ndalimin e tubimeve të mëdha, me një normë infektimi prej 146.9 rastesh të reja javore për 100,000 banorë.
Bavaria është pak nën mesataren e vendit me 145.4 infektime të reja javore për 100,000 banorë, sipas qendrës së kontrollit të sëmundjeve në Gjermani, Institutit Robert Koch. Pas anulimit të Oktoberfest vitin e kaluar, rreth 50 salla birre të qytetit jugor të Gjermanisë dhe lokale të tjera organizuan festa të vogla nën udhëzime tepër strikte dhe Kryetari i Bashkisë Dieter Reiter tha se shpresa ishte se do të ishte përsëri e mundur organizoheshin festa të tilla në ambiente të hapura, sigurisht me kufizime të caktuara.
Kjo vjen më pak se dy javë pasi parlamenti gjerman prezantoi një legjislacion federal “të frenimit të emergjencës”, i cili planifikon që një grup uniform i kufizimeve të hyjë në fuqi në zonat ku shkalla e infektimeve është më e lartë se 100 raste të reja për 100,000 banorë për tre ditë rresht. Këto kufizime përfshijnë mbylljen e dyqaneve jo-bazike, kufizimet në organizimet në ambientet e shtëpive dhe një shtetrrethim që fillon nga ora 10 e mbrëmjes./Euronews