Ministria e Financave raportoi se deri në fund të nëntorit 2020 detyrimet e prapambetura nga buxheti i shtetit kishin arritur nivelin e 13 miliardë lekëve ose 106 milionë eurove.
Shifra u dha në një tabele të detajuar të treguesve fiskal që mbart të dhëna mujore për situacionin buxhetor nga viti 2010 e në vijim.
Nga totali i detyrimeve të prapambetura 4 miliardë lekë, ose 30% i takojmë detyrimeve në infrastrukturë dhe pjesa tjetër janë krijuar nga kontratat të tjera të enteve publike me privatet.
Të dhëna të tjera nga institucione të tjera që bëjnë auditin e financave publike tregojnë se detyrimet e prapambetura janë më të larta.
Fondi Monetar Ndërkombëtar përllogariti se, në vitin 2019 detyrimet e prapambetura ishin rreth 200 milionë euro.
Ndërsa, Kontrolli i Lartë i Shtetit pas auditimit që i ka bërë zbatimit të buxhetit të vitit 2019 ka gjetur se detyrimet e prapambetura të pakontabilizuara në llogaritë e borxhit publik arritën në 72.3 miliardë lekë ose gati 600 milionë euro.
Sipas KLSH në shumën prej 72.3 miliardë lekësh të akumuluar deri në fund të vitit 2019, pjesën më të madhe të detyrimeve e zënë ato për projektet e investimeve, mallra, shërbime, vendime gjyqësore të brendshme nga punësimi dhe të tjera me vlerë 24.4 miliardë lekë ose 198 milionë euro. KLSH thotë se qeveria i ka nën- raportuar me së paku 7 miliardë lekë këto detyrime. Pasi janë gjetur një duzine faturash nga tatimet, doganat, AKSHI, Fondi i Zhvillimit dhe bashkitë që nuk është raportuar dhe mbi 19 miliardë lekë të cilat KLSH i ka përllogaritur duke marrë në konsideratë vendimet e gjykatave ndërkombëtare dhe Arbitrazhit.
Shifrat e qeverisë mbi detyrimet e prapambetura bien ndesh me raportimet rutine që vetë institucionet e ekzekutivit bëjnë. P.sh vetëm Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka raportuar se, TVSJH e parimbursuar ishte mbi 9 miliardë lekë në fund të vitit 2020 dhe borxhi i pushtetit vendor ishte mbi 8 miliardë lekë për të njëjtën periudhe.
Kontrolli i Lartë i shtetit e ka lajmëruar Kuvendin e Shqipërisë në një raport të posaçëm se detyrimet e prapambetura të qeverisë janë shumë më të larta se raportohen. KLSH lajmëroi deputetet në Kuvend se Ministria e Financave dhe Ekonomisë e ka humbur kontrollin mbi saktësinë e shumave të detyrimeve të prapambetura të krijuara, të mbartura dhe gjendjes në fund të vitit./B.Hoxha
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.