Ministria e Financave, njoftoi sërish se mbylli sot me sukses anknandin në euro për bono thesari 12 mujore. Sipas financave, ky është ankandi i dyte për bono thesari në euro që organizon Ministria e Financave për vitin 2012, ankandi i parë u organizua nga ky institucion ne 24 Korrik.
Në këtë ankand u ofruan 15 milioën euro bono thesari, ndërkohë që kërkesa e tregut ishte rreth 20.7 milion euro, nga të cilat 9.85 milion euro ishin kërkesa të individëve për të investuar në këtë instrument dhe pjesa tjetër nga investiture te ndryshem si banka, subjekte te ndryshme etj. Financat theksojnë se kjo është pjesëmarrja më e lartë e individeve në të gjashtë ankandet e bonove të thesarit në euro që ka organizuar deri tani Ministria e Financave, duke reflektuar besimin e qytetareve në titujt qeveritar si investimin më të sigurt në treg.
Interesi i qytetarëve për të investuar në bono thesari në euro ka ardhur vazhdimisht duke u rritur, kështu në Dhjetor 2011 këto kërkesa ishin 1.8 milion euro, në Korrik 2012 arritën vlerën 4.8 milion euro për të vijuar në Gusht rritjen në 9.85 milion euro, përfundon njoftimi i financave.
Tërheqja e bankave nga ankandet e bonove dhe fushata për të nxitur individët
Vetëm pak kohë më parë, Ministria e Financave nisi një fushatë të gjerë publicitare e organizuar nga Ministria e Financave e cila kishte si objektiv informimin e qytetareve rreth mundesise se investimit ne tituj qeveritare dhe ne bono thesari ne euro si menyra me e mire duke pasur risk zero dhe interesa te larta fitimi.
Lëvizja e financave ishte një përpjekje për të ulur varësinë nga bankat tregtare, të cilat janë blerëset më të mëdha të letrave me vlerë të qeverisë, me gati 70% të totalit të tyre.
Individët zotërojnë rreth 12% të totalit të bonove të thesarit të emetuara nga qeveria. Ndërkohë, ecuria e depozitave në banka tregon se individët po shtojnë kursimet, me depozitat që u rritën me 10% në bazë vjetore deri në fund të muajit prill. Financat duket se po nxitojnë të “konkurrojnë” me bankat, duke u marrë atyre një pjesë të kursimeve të qytetarëve.
Muajt e fundit qeveria ka hasur vështirësi në financimin e borxhit të saj, teksa disa banka të mëdha u tërhoqën nga blerjet e bonove të thesarit, si rrjedhojë e direktivave të bankave mëmë, për të ulur aktivet që konsiderohen me rrezik.
Banka më e madhe në vend, Raiffeisen, ka reduktuar për herë të parë aktivet me 1.1% në fund të marsit 2012, në krahasim me fundin e 2011-s, e ndikuar kryesisht nga ulja me 6% (rreth 62 milionë euro) e stokut në investimet me letrat me vlerë të qeverisë, duke vënë në vështirësi financat për financimin e borxhit të brendshëm, çka u pranua dhe nga ministri i Financave, Ridvan Bode, pak kohë më parë. Raiffeisen ka ndikim të ndjeshëm në këtë treg, teksa zotëron rreth 40% të stokut të letrave me vlerë të qeverisë që mbahen nga bankat.
T II 2012, bankat ulën zotërimet në bono thesari
Investimet e bankave në bono thesari u tkurrën me 4% apo 4.2 miliardë lekë në fund të qershorit 2012, në raport me muajin dhjetor 2011. Sidomos rënie është shënuar në tremujorin e dytë, ku investimet e bankave në bono thesari u ulën me 11% apo 13 miliardë lekë në raport me tremujorin e parë 2012, duke vënë në vështirësi qeverinë për financimin e borxhit të brendshëm.
Bankat mëmë duhet të rrisnin raportin e kapitalit ndaj aktiveve të ponderuara me rrezik në 9% deri në fund të muajit qershor, çka u shoqërua me lëvizje, që konsistojnë në reduktimin e aktiveve që mund të konsiderohen me probleme, si huatë apo letrat me vlerë të qeverive.
Situata pritet të përmirësohet në periudhën në vijim, pasi objektivi për arritjen e këtij treguesi është përmbushur nga bankat e eurozonës, çka do të ulë presionin dhe në filialet e tyre në Shqipëri.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.