Nafta është sektori që xhiron më shumë para në vend. 18 operatorë të tregtimit të karburanteve, që përfshihen në renditjen e 200 më të mëdhenjve sipas të ardhurave, qarkulluan 164 miliardë lekë, rreth 1.2 miliardë euro.
Në një pjesë të madhe, xhiro e kompanive rritet fiktivisht, duke kaluar nga një subjekt në tjetrin, për pasojë të tregtimit me dy nivele (me shumicë e me pakicë) në mënyrën se si është i strukturuar tregu në Shqipëri sot.
Por kjo “lodhje” e madhe sjell pak shpërblim. Në tabelën tjetër, atë të renditjes sipas fitimeve, sipërmarrjet e tregtimit të naftës janë me pikatore dhe raportojnë norma shumë të ulëta kthimi, 0.5-2%, duke qenë sektori më pak fitimprurës në ekonomi. Në tregun e pakicës, norma është pak më e lartë, arrin në 4-6%.
Luigj Aliaj, drejtues në Kastrati, thotë se norma e vogël e fitimit është një dukuri e tregtuesve të karburanteve në gjithë botën. “Janë prodhuesit e naftës ata që fitojnë më shumë, pasi si shpenzim kanë vetëm koston e nxjerrjes, në një kohë që diktojnë çmimin. Ndërsa tregtuesit me shumicë nuk kanë forma për të diktuar çmimet, teksa karburantet tregtohen në bursë dhe çmimet luhaten disa herë në ditë.
Aktorët e tregut i quajnë karburantet një biznes të vështirë dhe me kosto të larta. Luhatjet në këtë sektor janë shumë të larta, me kompani që hyjnë dhe dalin nga tregu brenda një periudhe të shkurtër kohore.
Në renditjen e fitimeve janë vetëm dy, Kastrati (shumicë dhe pakicë) dhe Bolv Oil.
Kastrati sh.a., operatori më i madh i tregut të shumicës, ka një normë fitimi prej 2.8%, në rënie të lehtë nga 2.9% që ishte vitin e mëparshëm. Më i lartë është fitimi në tregun e pakicës, ku Kastrati sh.p.k raporton një normë prej 5.9%, nga 6.3% vitin e mëparshëm.
Operatori tjetër i shumicës, Bolv Oil, ka raportuar një normë fitimi para taksave prej 3.8%, në rënie të ndjeshme nga vitet e kaluara, kur ky tregues luhatej mes 7-8%.
Europetrol Durrës Albania dhe Genklaudis, që renditen ndër 10 më të mëdhenjtë në vend për nga të ardhurat, nuk përfshihen në listën e fitimeve, teksa rezultati financiar para taksave ishte përkatësisht me 124 dhe 134 milionë lekë, me normë kthimi minimale prej 0.5-0.6%.
Eroil, që trefishoi të ardhurat në 1.8 miliardë lekë në 2017-n, duke u renditur i katërti ndër tregtuesit me shumicë, raportoi fitime minimale prej 1.2 milionë lekësh.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.