Fitimi i bankave bie me 21% për 11-mujorin

11/01/2021 11:00 PM 0 komente

Fitimi neto i sektorit bankar u zgjerua më tej në nëntor dhe për 11 muajt e vitit 2020 arriti vlerën e 14.35 miliardë lekëve ose rreth 116 milionë eurove.

Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se gjatë muajit nëntor, fitimi i sistemit bankar u rrit me rreth 1.75 miliardë lekë. Megjithatë, fitimi i sektorit ngelet në nivele ndjeshëm më të ulëta krahasuar me vitin 2019, kur për të njëjtën periudhë raportohej një fitim neto në vlerën e 18.25 miliardë lekëve (rreth 147 milionë euro). Për 11 muajt e vitit të kaluar, fitimet e sektorit bankar kanë zbritur në nivelin më të ulët që prej vitit 2016.

Këto rezultate mbështeten në standardet e raportimit të Bankës së Shqipërisë. Rezultatet sipas standardeve ndërkombëtare të raportimit financiar bëhen nga bankat me bazë tremujore dhe mund të kenë diferenca të ndjeshme, për shkak të ndryshimeve në mënyrën e llogaritjes së provigjioneve.

Edhe treguesi kryesor i rentabilitetit, kthimi nga kapitali, këtë vit paraqitet më i ulët, në nivelin 9.9%, nga 13.5% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Megjithëse fitimet kanë rënë, në tërësinë e vet sektori bankar ka pësuar efekte relativisht të kufizuara nga kriza ekonomike.

Raporti i kredive për muajin nëntor madje pësoi një rënie të lehtë në 8.2%, nga 8.3% që kishte qenë një muaj më parë. Moratoriumi i pagesave dhe masat rregullatore mbështetëse të Bankës së Shqipërisë kanë ndihmuar që ky tregues të mbahet nën kontroll. Bankat kanë kërkuar që masat të cilat ishin në fuqi deri në fund të vitit 2020 të shtyhen të paktën edhe me tre muaj të tjerë.

Megjithatë, deri tani bankat kanë ndjekur një qasje më të kujdesshme dhe ulja e fitimeve për këtë vit i detyrohet kryesisht rritjes së provigjioneve për kreditë e këqija. Deri në fund të 9-mujorit 2020, shpenzimet për provigjione ishin rritur me tre herë e gjysëm më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Faktor tjetër me ndikim pozitiv në performancën e bankave është ecuria e mirë e kredidhënies, që në gjysmën e dytë të vitit të kaluar ka rezultuar në rritje të vazhdueshme. Për periudhën qershor-nëntor, kredia e re u rrit me 6.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Rritja e kredisë së re ndihmon zmadhimin e portofolit të kredisë dhe mbajtjen të qëndrueshme të peshës së kredive të këqija ndaj totalit, ndërsa shton vlerën e aseteve që sjellin të ardhura në formë interesash, duke ndikuar pozitivisht performancën financiare të bankave. Në fund të muajit nëntor, portofoli total i kredisë për ekonominë, arriti vlerën e 596 miliardë lekëve, në rritje vjetore me 5%./E.Shehu

Burimi: BSH

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of