Fitimi i tregut të sigurimeve pësoi sërish rënie në tremujorin e parë të këtij viti.
Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se rezultati i përbashkët neto i kompanive të sigurimit zbriti në vlerën e 274 milionë Lekëve (rreth 2.4 milionë Eurove), 12.5% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ulja e fitimeve në vlerë solli edhe një rënie në treguesit e rentabilitetit. Kthimi nga kapitali ra në 2.08%, nga 2.42% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa kthimi nga aktivet ra në 0.67%, nga 0.82% që kishte qenë për tremujorin I 2021.
Rënia e fitimeve për tremujorin e parë të vitit u përcaktua nga segmenti më i madh i tregut, ai i sigurimeve të Jo-Jetës. Kompanitë e sigurimit të Jo-Jetës për tremujorin e parë arritën një fitim neto në vlerën e 254 milionë lekëve, në rënie me 17.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rënia e fitimi i detyrohet kryesisht uljes së rezultatit teknik ose rezultatit të lidhur direkt me aktivitetin sigurues. Ky rezultat për tremujorin I ra me 27% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rënia e rezultatit teknik u përcaktua nga rritja e shpenzimeve neto për dëme dhe sidomos nga rritja e shpenzimeve administrative, kryesisht në zërin e pagave dhe shpenzimeve të tjera për personelin.
Ndërkohë, rezultati neto nga investimet shënoi një rritje të lehtë me 7.3%, por të pamjaftueshëm për të balancuar plotësisht përkeqësimin e rezultatit teknik të kompanive të sigurimit të Jo-Jetës.
Ndërkohë, tregu i sigurimit të Jetës arriti një rezultat më të mirë krahasuar me një vit më parë, por pesha dhe impakti i këtij segmenti ndaj totalit të tregut ngelet relativisht i ulët. Sipas AMF, për tremujorin i fitimi neto i kompanive të sigurimit të Jetës arriti në rreth 20 milionë lekë, pesë herë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritja e fitimit erdhi paralelisht nga përmirësimi i rezultatit teknik dhe nga një rritje e lehtë e rezultatit nga të ardhurat e tjera të aktivitetit.
Rritja e rezultatit teknik u ndikua nga rritja e të ardhurave neto nga primet dhe paralelisht nga ulja e shpenzimeve neto për dëmet. Megjithatë, edhe shpenzimet e marrjes në sigurim dhe shpenzimet e administrative kanë vazhduar të rriten me ritme të shpejta, duke e mbajtur në vlera relativisht të ulëta fitimin e tregut të Jetës.
Edhe për vitin 2021 tregu i sigurimeve pësoi një rënie të ndjeshme të fitimit neto, me 42% më pak krahasuar me vitin 2020. Megjithëse në dy vitet e fundit tregu i është kthyer rritjes dhe primet janë dukshëm sipër niveleve të para pandemisë, rritja e dëmeve të paguara neto, por edhe niveli i lartë i shpenzimeve administrative kanë qenë faktor me ndikim përcaktues në uljen e fitimeve të siguruesve.

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.