EDITORIAL MONITOR / Jemi në kohë fushate. Si çdo periudhë parazgjedhore jemi mësuar të dëgjojmë premtime nga më të ndryshmet, të shohim shirita që priten, rrugë të mëdha që thuhet se do të ndërtohen, të dëgjojmë për rritje pagash e pensionesh, ulje taksash, zhvillim ekonomik, tërheqje investimesh të mëdha të huaja.
Me pak fjalë, ato që dëgjojmë se do të bëhen, na bëjnë të duket që për pak kohë do të arrijmë parajsën, pas një “ferri” të deritanishëm, që nuk po arrijmë t’i shpëtojmë prej tre dekadash.
Fushata dhe premtimet janë të njëjta, në mos janë shtuar, duke arritur deri në delir dhe kjo nuk habit më asnjë, por kohët janë të ndryshme. Vendi është zhytur në një krizë pandemike, së cilës nuk po i duket fundi. Spitalet janë në prag kolapsi dhe për fat të keq, vdekshmëria po rezulton deri tani më e larta në Europë. Të dhënat zyrtare tregojnë se fatalitetet në vend kanë shënuar rritje mbi 25%, që nuk është parë në asnjë shtet tjetër. Pas nesh renditen Maqedonia dhe Kosova me rritje rreth 22%, duke qenë një tregues indirekt se pandemia ka goditur shumë vendet me sisteme të dobëta shëndetësore.
Por, as kjo nuk ka më rëndësi dhe nuk është aspak në fokusin e fushatës. Pavarësisht fakteve, qeveria është e bindur se ajo e ka menaxhuar pandeminë më mirë edhe se Gjermania, apo dhe Italia. Imuniteti i tufës po vjen natyralisht dhe më shpejt, për shkak se qeveria nuk guxoi të merrte përsipër risk politik dhe ekonomik me mbyllje përpara zgjedhjeve.
Rëndësi për momentin kanë vetëm premtimet dhe sa më të mëdha, edhe pse buxheti i vendit është ndër më të vegjlit të Europë, i imponuar nga të ardhurat më të ulëta (në 27% të Prodhimit të Brendshëm bruto, nga 35-40%, që është mesatarja rajonale).
Nuk kursehet edhe pse të ardhurat vijuan tendencën rënëse në janar, teksa ekonomia nuk po arrin t’i rikthehet normalitet, duke mbetur e bllokuar nga pandemia. Por kjo nuk e pengon si rrallëherë që shpenzimet kapitale të realizohen 142% që në janar, ndonëse për ironi, ato për rindërtimin pas tërmetit u zbatuan më pak se 1% e planit për të njëjtën periudhë, sipas të dhënave zyrtare nga financat.
Përpara premtimeve të mëdha, ato që duhen zgjidhur janë gjërat e vogla. Rrugët nacionale ekzistuese po dalin nga funksioni për shkak të dëmtimeve nga dimri me shi dhe mosmirëmbajtjes, (duke u bërë problem për turizmin që është në prag dhe më i brishtë se kurrë për shkak të pandemisë).
Por, ato nuk kanë se ç’na duhen, pasi projekte të mëdha na presin përpara. Fundja me kaq aeroporte sa premtohet që do të ndërtohen, nuk do na hyjnë në punë rrugët fare! (megjithëse pothuajse nuk përmendet që edhe nëse ndërtohen, këto aeroporte, përveç atij që pritet në Sarandë, e kanë trafikun të garantuar nga shteti, pra nga paratë e taksapaguesve). Kur për tetë vjet nuk u arrit të përfundohej asnjë projekt i madh infrastrukturor rrugor, tashmë duket më e thjeshtë që çdo qytet të lidhet me aeroport! Siç pranoi dhe vetë kryeministri, mandatin e tretë e dua për ju?!
Përtej ironisë, ajo që i duhet vendit është një menaxhim i përgjegjshëm i parave të taksapaguesve dhe transparencë për mënyrën se si janë shpenzuar ato deri tani. Nuk mund të mohohet se çdo qeveri që ka ardhur në pushtet ka punuar dhe do të lërë gjëra nga pas, por ajo që na duhet të dimë është:
-me sa eficiencë janë shpenzuar këto para, çfarë mund të ishte bërë më mirë me to, sa është reduktuar ryshfeti e korrupsioni;
-sa të drejta kanë qenë prioritetet e investimeve dhe sa e kanë nxitur ato zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë, zinxhirin e vlerës, konkurrueshmërinë e vendit;
-sa e kanë ulur varfërinë, sa e kanë reduktuar pabarazinë, sa u janë kthyer mbrapsht qytetarëve në shërbime më të mira;
-a mund të ishte menaxhuar më mirë pandemia dhe pse nuk u alokuan më shumë fonde për të përmirësuar sistemin shëndetësor (fondet e parashikuara ranë në 2020-n) dhe për të mbrojtur jetën e qytetarëve.
Në të njëjtën linjë, ajo që na duhet të dimë për të ardhmen, nuk është se kush do të fluturojë më shumë, por se si do të arrijë të mirëqeveriset vendi, në mënyrë që të përmirësohen të ardhurat dhe jetesa e gjithsecilit. Ndryshimi fillon nga gjërat e vogla, të mëdhatë pakkush beson se do të arrijnë të bëhen ndonjëherë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.