FMN ka publikuar një studim lidhur me ndikimin e krizës globale në Europën Juglindore, që analizon efektet në gjashtë shtete të Europës Juglindore (EJL).:
Shqipëria, Bosnjë dhe Hercegovina, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia.
Ndërsa kushtet financiare janë përmirësuar që nga kulmi i krizës që nisi në fund të vitit 2008 dhe eksportet u rimëkëmben në 2010-n,
vendet e EJL-së po përballen aktualisht me përkeqësim ekonomik dhe financiar në afatin e shkurtër, kryesisht si rrjedhojë e problemeve me borxhet kombëtare në Eurozonë.
Të gjitha vendet e EJL-së kishin një model të përbashkët të zhvillimit përpara krizës, ku flukset e forta të huaja të kapitalit nxitën zgjerim të kredisë që rriti kërkesën e brendshme,
por që gjithashtu rritën ekspozimin ndaj paqëndrueshmërive të jashtme. Në veçanti, një zgjerim i deficitit të llogarisë korente ishte një element i dukshëm në këto vende,
zakonisht i shoqëruar nga një rritje e raportit të borxhit të jashtëm ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB); për më tepër, të gjitha vendet e EJL-së kishin një shkallë të lartë euroizimi të sistemit financiar.
Pavarësisht ngjashmërive, vendet e EJL-së kishin diferenca të rëndësishme në politikat makroekonomike të parakrizës, të cilat ndikuan rreziqet e brendshme dhe brishtësinë ndaj goditjeve të jashtme.
Në gjysmën e parë të viteve 2000, Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia ndoqën politika gjeruese fiskale, ndërsa Kroacia dhe Shqipëria ishin disi më të kujdesshme.
Në momentin që kriza goditi dhe financimi i jashtëm i disponueshëm shteroi në mënyrë të menjëhershme, pjesa më e madhe e vendeve u detyruan që të kufizonin përdorimin e politikës fiskale dhe të vinin në lojë stabilizatorët automatikë.
Shqipëria ishte i vetmi vend që ishte në gjendje të ofronte një stimul financiar të konsiderueshëm, që plotësoi stabilizatorët automatikë në mbështetjen e ekonomisë.
Përveç hapësirës së kufizuar fiskale, diferencat në politikat reaguese që u ndoqën me fillimin e krizës mund të shpjegohen gjithashtu në një masë të konsiderueshme nga lloji i regjimit të kursit të këmbimit.
Përgjigjja kundërciklike e politikave monetare u kufizua nga regjimi i fiksuar, ose pothuajse i fiksuar në të gjitha vendet e ELJ-së, me përjashtim të Serbisë dhe Shqipërisë.
Në këto dy shtete, kursi fleksibël i këmbimit funksionoi si një amortizues goditjesh dhe lejoi një lehtësim monetar kundërciklik.
Gjithsesi, në Serbi, përfitimet nga zhvlerësimi i monedhës ishin në njëfarë mënyre të kufizuar nga efekti që dha në rritjen e inflacionit.
Ndërsa në Serbi, sektori i korporatave u përball me ekspozim të lartë në bilance të lidhura me zhvlerësimin e monedhës, këto efekte ishin më të zbutura në Shqipëri,
ku borxhi i jashtëm ndaj PBB-së dhe normat e shërbimit të borxhit ishin më të ulëtat në grup dhe nevojat për financime të jashtme ishin më të kufizuara.
Në krahasim me efektet e krizës që goditi disa vende aziatike në 1997-‘98, një element i ndryshëm i ndikimit të krizës globale në vendet e EJL-së është mungesa e krizave bankare.
Kjo ka ardhur kryesisht si rrjedhojë e gjendjes së shëndetshme të sistemit bankar të EJL-së në prag të krizës, që kishte përfituar nga flukset e larta të kapitalit dhe që ishte në përgjithësi me fitim.
Edhe bankat qendrore kishin qenë të kujdesshme në marrjen e masave (veçanërisht kërkesat për rezervat) për të frenuar si huamarrjen e jashtme, ashtu dhe zgjerimin e shpejtë të kredisë,
me synimin për të ruajtur stabilitetin financiar. Për më tepër, lehtësimi i kërkesës për rezerva gjatë krizës mundësoi një situatë më të mirë likuiditeti të monedhave të huaja,
që kontribuoi në ruajtjen e regjimeve të fiksuara ose pothuajse të fiksuara të këmbimit. Nga ana tjetër, mungesa e krizës së kursit të këmbimit i kurseu këto sisteme financiare nga përballja me pasojat e rënda të zhvlerësimit të monedhave,
në një ambient që është i euroizuar në nivel të lartë, çka do të sillte rreziqe të lidhura me kredinë në monedhë të huaj.