Vendet e Europës në zhvillim po përballen me probleme ekonomike gjithnjë e më shumë në rritje, të cilat po kërcënojnë edhe disa prej progreseve në fushën politike, gjatë dekadave të fundit, deklaroi një zyrtar i lartë i Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Poul Thomsen, kreu i Departamentit Europian të FMN-së, tha se potenciali i rritjes ekonomike të Europës Qendrore dhe Lindore është përgjysmuar në dekadën e fundit.
Në një konferencë në Dubrovnik, ai vuri në dukje se disa qeveri në rajon po i vënë në pikëpyetje përfitimet e integrimit europian.
Me Europën në luftë prej më shumë se një dekade krizash dhe keqtrajtimesh ekonomike, konvergjenca midis vendeve kryesore perëndimore dhe periferisë lindore është ngadalësuar shumë, për të mos thënë që ka ndalur. Kjo situatë ka ngritur pyetje të shumta rreth vlefshmërisë së reformës së dhimbshme ekonomike dhe politike.
Kjo është një kujtesë për të gjithë ne që të mos e mashtrojmë veten duke besuar se qeverisja dhe progresi institucional janë të pashmangshme; jo për të besuar se një përparim i tillë është një rezultat i pandalshëm, një evolucion i qëndrueshëm. Dhe në fakt nuk është, u shpreh z. Thomsen.
Z. Thomsen, i cili ka drejtuar programet e FMN-së në vende si Greqia dhe Portugalia, vuri në dukje se mbështetja e jashtëzakonshme nga një mjedis i mirëfilltë i rritjes globale, nga e cila përfitoi rajoni në kohën kur ai fillimisht doli nga komunizmi, nuk ka gjasa të përsëritet.
Ndërkohë, niveli i lartë i papunësisë së punëtorëve të kualifikuar në Europën Perëndimore është një çështje e rëndësishme për rajonin. FMN-ja vlerëson se në dekadat e fundit, 20 milionë njerëz janë larguar nga Europa Qendrore dhe Lindore, rreth 5-6% e popullsisë.
Sipas të dhënave, gjysma e hungarezëve dhe një e katërta e firmave prodhuese polake tani pretendojnë se mungesa e punëtorëve është duke kufizuar prodhimin dhe duke frenuar investimet.
Z. Thomsen vuri në dukje edhe tensionet në rritje midis disa anëtarëve lindorë të BE-së dhe Komisionit Europian, që janë një ndër shqetësimet që duhet të zgjidhen sa më parë.
BE është në bisedime me Poloninë mbi çështjet e sundimit të ligjit dhe ka pasur përplasje me Hungarinë për çështjen e emigrantëve.
Trazirat e dekadës së fundit kanë vënë në dyshim edhe vlerën e anëtarësimit në BE për vendet që ende janë jashtë këtij blloku. Ai shtoi se një shqetësim tjetër është se, duke pasur parasysh zhgënjimet e dekadës së kaluar, disa vende mund të ndryshojnë reformat politike dhe institucionale që kishin për qëllim forcimin e demokracisë dhe mbështetjen e rritjes afatgjatë.
“Disa nga kërcënimet e kthimit të qeverisjes … janë të dukshme në disa nga vendet më të përparuara të rajonit”, tha z. Thomsen. Një prej çështjeve që përbën shqetësim të madh për ne si FMN është pavarësia e Bankës Qendrore, sepse në disa vende, pavarësia e Bankës Qendrore po rrezikohet, përfundoi ai.