Epoka e shpenzimeve të pakontrolluara në Formula 1 është ndërprerë këtë vit, por është një grup personash të cilët nuk janë prekur nga asnjë kufizim i buxheteve – pilotët. Dhjetë yjet më të paguar të Formula 1 parashikohet se do të fitojnë këtë sezon 211 milionë dollarë mes pagave dhe bonuseve.
Në krye të klasifikimit është superylli Lewis Hamilton, i cili është në rrugë të mbarë për të fituar 62 milionë dollarë në pistë në vitin 2021. Kjo shifër përfshin pagën prej 55 milionë dollarësh, më shumë se dyfishi i konkurrentit të tij më të afërt, plus 7 milionë të parashikuara në bonuse, për fitoret. Për Hamilton, aktualisht në vend të dytë në klasifikim, rrezikon të humbasë titullin e pilotëve për të dytën herë në tetë vitet e fundit, projeksioni i tij nuk përfshin një bonus për kampionatin. Në 2020, ai fitoi 66 milionë në total, duke fituar 11 gara dhe titullin.
Max Verstappen, i skuderisë së Red Bull, është piloti në “pole position” për titullin. Nëse do ta fitojë, të ardhurat do të rriten në 42 milionë dollarë, mes pagës dhe bonuseve. Ai qëndron komod në vendin e dytë në këtë klasifikim. Pas tij, Fernando Alonso, me 25 milionë dollarë, në sezonin e tij të debutimit në Alpine.
Hamilton, i cili ka fituar katër nga dhjetë gara, ka ende kohë për të lënë pas Verstappen, me vetëm 8 pikë diferencë dhe 12 gara të programuara (ndoshta do të ketë një garë të 13, nëse F1 do të mund të gjejë një zëvendësues për Australian Grand Prix, i parashikuar të zhvillohej në fillim në nëntor, dhe e anuluar më pas. Në çdo rast, Hamilton është në garë për vendin e parë në klasifikimin e të ardhurave.
Pagat e larta janë të rëndësishme për pilotët e Formula 1, të cilët fitojnë shumë më pak nga sponsorizimet krahasuar me yjet e sporteve të tjera, si tenisi dhe basketbolli. Pilotët e Formula 1, në pjesën më të madhe, shpenzojnë pak energji jashtë pistës, përtej paraqitjeve që u kërkohet të bëjnë për skuderitë e tyre dhe shtëpitë automobilistike. Ndërkohë që Hamilton fiton rreth 12 milionë dollarë nga sponsorët, pjesa më e madhe e të cilave mbështesin edhe skuadrën, Verstappen fiton vetëm 1 milion dollarë në vit.
Megjithatë, pagat e pilotëve duhet të vazhdojnë të kompensojnë hendekun e marketingut. Kufizimi i ri i buxhetit të Formula 1, i prezantuar këtë vit, kufizon shpenzimet në 145 milionë dollarë për skuadër në vitin 2021 dhe 135 milionë dollarë brenda 2023 – ky është një ndryshim i madh për skuderitë më të mira Mercedes, Ferrari dhe Red Bull – buxhetet e të cilëve janë rritur më shumë se 300 e madje edhe 400 milionë dollarë në vitet e fundit.
Rregulloret e fundit kanë detyruar skuderitë të reduktojnë shpenzimet e projektimit dhe kërkimit dhe të shkurtojnë dhjetëra vende pune në personel. Por pagat e pilotëve mbeten të përjashtuara nga llogaritjet e kufizimit të kostove dhe do të jenë një nga të paktat zëra që skuderitë me “xhepat plot” mund të vijojnë të shpenzojnë.
10 pilotët më të paguar të Formula 1 për vitin 2021
1. Lewis Hamilton
Lewis Hamilton, i cili ka zëvendësuar Michael Schumacher te Mercedes në vitin 2012, është bërë një ikonë e të njëjtit nivel me paraardhësin. Vitin e kaluar, Hamilton barazoi rekordin e Schumacher me kampionatin e shtatë të pilotëve në Formula 1, dhe dominoi edhe klasifikimin e të ardhurave. Ashtu siç bënte njëherë e një kohë edhe vetë Schumacher, sportisti më i paguar në botë në vitin 2000 dhe 2001. 36-vjeçari nënshkroi një zgjatje të kontratës me dy vjet me Mercedes këtë verë, pas një marrëveshje trevjeçare prej 140 milionë dollarësh të firmosur në 2015 dhe një zgjatje me dy vjet, prej 100 milionë dollarësh në 2018. Ai është dhe themeluesi i X44, skuadra më e re e garave të fuoristradave elektrike Suv Extreme E.
Paga në vitin 2021: 55 milionë dollarë
Bonus nga fillimi i vitit:4 milionë
Projeksioni i bonuseve në fund të vitit: 7 milionë
Projeksioni i fitimeve në pistë në 2021: 62 milionë
2. Max Verstappen
Pas klasifikimit dy vite me radhë në vendin e tretë në vitin 2019 dhe 2020, Max Verstappen ka arritur një nivel të ri në vitin 2021, me pesë fitore dhe kryesimin e kampionatit, përpara Lewis Hamilton.
Verstappen është vetëm 23 vjeç, por është një yll i afirmuar: në vitin 2015, kur ishte 17 vjeç, u bë piloti më i ri në historinë e Formula 1 dhe piloti më i ri që ka fituar një garë një vit më vonë. Verstappen, babai i të cilit, Jos, edhe ai pilot në Formila 1, është nominuar personalitetit i vitit në 2015, 2016 e 2017 nga Fédération Internationale de l’Automobile, organi qeverisës i garave automobilistike.
Paga në vitin 2021: 25 milionë dollarë
Bonus nga fillimi i vitit: 5 milionë
Projeksioni i bonuseve në fund të vitit: 17 milionë
Projeksioni i fitimeve në pistë në 2021: 42 milionë
3. Fernando Alonso
Pas dy viteve mungesë në garat e Formula 1, Fernando Alonso është rikthyer me skuderinë Alpine. 39-vjeçari, pasi u bë pjesë e skandaleve Spygate dhe Crashgate, tashmë shfaqet si një pilot jashtëzakonisht popullor, pjesërisht duke zgjeruar horizontin në fushën e automobilave. Piloti spanjoll ka fituar Formula 1 në vitin 2005 dhe 2006 me Renault.
Paga në vitin 2021: 25 milionë dollarë
Bonus nga fillimi i vitit: 0 milion
Projeksioni i bonuseve në fund të vitit: 0 milion
Projeksioni i fitimeve në pistë në 2021: 25 milionë
4. Sergio Perez
Sergio Pérez tashmë është në vitin e parë, pjesë e skuderisë së Red Bull Racing, pas dy sezoneve me Racing Point (tani Aston Martin). Ai iu bashkua Max Verstappen për të nxitur Red Bull para Mercedes, fituese e klasifikimit të konstruktorëve në shtatë vitet e fundit. 31-vjeçari ka meritën pasi ka ngjallur interes të ri për Formula 1 në vendlindjen e tij, Meksikë.
Paga në vitin 2021: 5 milionë dollarë
Bonus nga fillimi i vitit: 5.5 milionë
Projeksioni i bonuseve në fund të vitit: 13 milionë
Projeksioni i fitimeve në pistë në 2021: 18 milionë
5. Sebastian Vettel
Sebastian Vettel ka fituar katër kampionate radhazi me Red Bull, nga viti 2010 në 2013, para se të kalonte te skuderia e Ferrarit. Një periudhë e cila u mbyll me një 2020 zhgënjyes, si për pilotin, edhe skuderinë. Tashmë është pjesë e skuderisë Aston Martin, pasi i ka zënë vendin Sergio Pérez. Sezoni i tij është disi poshtë standardeve të dikurshme, por 34-vjeçari ka më shumë fitore në karrierë se cilido tjetër, me përjashtim të Lewis Hamilton dhe Michael Schumacher.
Paga në vitin 2021: 15 milionë dollarë
Bonus nga fillimi i vitit: 0 milion
Projeksioni i bonuseve në fund të vitit: 0 milion
Projeksioni i fitimeve në pistë në 2021: 15 milionë
6. Charles Leclerc
Charles Leclerc, një talent i Ferrari Driver Academy, është në sezonin e tretë me skuderinë e Ferrarit, me të cilën ka kontratë deri në fund të 2024.
Paga në vitin 2021: 12 milionë dollarë
Bonus nga fillimi i vitit: 0 milion
Projeksioni i bonuseve në fund të vitit: 0 milion
Projeksioni i fitimeve në pistë në 2021: 12 milionë
7. Valtteri Bottas
Pas vendit të dytë në vitin 2019 dhe 2020, fillimi i vitit 2021 ka qenë disi zhgënjyes për Valtteri Bottas, duke nxitur spekulimet se Mercedes mund ta zëvendësojë, pas pesë sezonesh, me George Russell të Williams. 31-vjeçari ka kontratë deri në fund të vitit.
Paga në vitin 2021: 10 milionë dollarë
Bonus nga fillimi i vitit: 0 milion
Projeksioni i bonuseve në fund të vitit: 0 milion
Projeksioni i fitimeve në pistë në 2021: 10 milionë
8. Daniel Ricciardo
Daniel Ricciardo, i cili ka vështirësi të përshtatet me makinën e re në sezonin e debutimit me McLaren, është vënë nën hije nga shoku i tij i skuadrës, Lando Norris.
Paga në vitin 2021: 10 milionë dollarë
Bonus nga fillimi i vitit: 0 milion
Projeksioni i bonuseve në fund të vitit: 0 milion
Projeksioni i fitimeve në pistë në 2021: 10 milionë
9. Lando Norris
Lando Norris, 21 vjeç, pjesë e skuderisë së McLaren që në moshë të re, nënshkroi një zgjatje të kontratës në maj dhe është i treti në renditjen e pilotëve.
Paga në vitin 2021: 3 milionë dollarë
Bonus nga fillimi i vitit: 2.5 milionë
Projeksioni i bonuseve në fund të vitit: 6 milionë
Projeksioni i fitimeve në pistë në 2021: 9 milionë
10. Carlos Sainz
Carlos Sainz ka marrë vlerësime në Formula 1 pasi është në të njëjtin hap me shokun e skuadrës Charles Leclerc në sezonin e debutimit me Ferrari, skuderia e katërt në karrierën e tij të shkurtër. 26-vjeçari ka pasur detyrën jo pak të lakmueshme të zëvendësojë Fernando Alonso (te McLaren) dhe Sebastian Vettel (te Ferrari).
Paga në vitin 2021: 8 milionë dollarë
Bonus nga fillimi i vitit: 0 milion
Projeksioni i bonuseve në fund të vitit: 0 milion
Projeksioni i fitimeve në pistë në 2021: 8 milionë
/ Forbes