Në Francë është nënshkruar një ligj i ri, që ndalon fluturimet e shkurtra brenda vendit, për udhëtime që mund të kryhen për dy orë e gjysmë me tren.
Clement Beaune, ministri i Transportit i Francës, shpalli dekretin.
“Ky është një hap thelbësor dhe një simbol i fortë në politikën e reduktimit të emetimeve të gazeve serrë,” tha Beaune në një deklaratë.
“Ndërsa luftojmë pandërprerje për të dekarbonizuar mënyrën tonë të jetesës, si mund ta justifikojmë përdorimin e avionit për të shkruar në qytete të mëdha të vendit, të cilat kanë sistem hekurudhor të shpejtë dhe efikas?”, shtoi ai.
Vetëm tre linja janë ndërprerë: ato që lidhin aeroportin Paris – Orly me qytetet Bordeaux, Nantes dhe Lyon. Fluturimet lidhëse nuk do të ndikohen.
Që ndalimi të zbatohet, BE këmbënguli se rruga ajrore në fjalë, duhet të ketë një alternativë hekurudhore me shpejtësi të lartë, që bën të mundur udhëtimin midis dy qyteteve në më pak se dy orë e gjysmë.
Duhet të ketë gjithashtu shumë orare trenash, për t’u mundësuar udhëtarëve të kalojnë të paktën tetë orë në destinacion.
Disa kanë kritikuar presidentin francez Emmanuel Macron, për zbutjen e propozimeve nga paneli mjedisor qeveritar, i cili kishte rekomanduar ndalimin e fluturimeve, në destinacionet ku mund të shkohej me tren në më pak se katër orë.
Kritikët kanë theksuar, se linjat e trenave me shpejtësi të lartë, kishin filluar t’i largonin pasagjerët nga linjat ajrore dhe se ndalimi, u jep rëndësi shqetësimeve mbi ndryshimet klimatike, pa bërë asgjë për to.
“Askush nuk do të mashtrohet nga kjo masë: pasagjerët natyrishëm po largohen nga fluturimet në këto destinacione,” shkroi në Twitter Guillaume Schmid, ish-zëvendës president i sindikatës së pilotëve të Air France.
“Ndalimi i fluturimeve në Francë është një veprim simbolik, por do të ketë shumë pak ndikim në reduktimin e emetimeve”, tha Jo Dardenne, drejtor i aviacionit në Transport & Environment (T&E).
T&E vlerëson se tre rrugët e ndikuara nga vendimi, përfaqësojnë vetëm 0.3% të emetimeve të prodhuara nga fluturimet, që ngrihen nga Franca kontinentale dhe 3% të emetimeve të fluturimeve të brendshme të vendit (duke llogaritur vetëm fluturimet e brendshme kontinentale). / CNN