PASCAL ROSSIGNOL | Credit: REUTERS
Franca përuroi sot një fabrikë të madhe për prodhimin e baterive, e para nga katër impiante të këtij lloji që kompanitë europiane dhe aziatike synojnë të ndërtojnë në veri të vendit.
Projekti i Automotive Cells Company, një sipërmarrje e përbashkët mes Stellantis (STLAM.MI), Mercedes (MBGn.DE) dhe TotalEnergies (TTEF.PA), synon një investim total prej 2 miliardë eurosh (2.20 miliardë dollarë), gjysma e të cilave do të financohen nga shteti francez dhe autoritetet lokale.
Investimi thekson garën e qeverive europiane për të tërhequr prodhuesit globalë të makinave, ndërsa ato përpiqen të afrojnë furnizimin e komponentëve për automjetet elektrike me tregjet e tyre kryesore.
“Fabrika e re ACC shënon një moment historik në transformimin e Europës, për ta bërë industrinë e saj automobilistike më elastike, konkurruese dhe të qëndrueshme, edhe në epokën elektrike” – deklaroi Ola Källenius, CEO i Mercedes-Benz, përpara përurimit.
Fabrika do të nisë prodhimin e baterive me jon-litium gjatë këtij viti, me kapacitet fillestar 13 gigavat/orë (GWh), i cili do të rritet deri në 40 GWh, të mjaftueshme për rreth 500.000 makina në vit.
Kompanitë dhe autoritetet rajonale deklaruan se fabrika pritet të krijojë deri në 2000 vende të reja pune brenda vitit 2030.
Edhe kompania nga Tajvani, ProLogium, dhe ajo nga Kina, Envision AESC, njoftuan qëllimin për të ndërtuar fabrika të mëdha në rajonin verior të Francës rreth portit të Dunkirk, ndërsa Renault ka krijuar një partneritet me startup-in lokal Verkor në të njëjtën zonë, për të prodhuar bateri për modelet e saj elektrike premium dhe Alpine.
Europa varet, në masë të madhe, nga bateritë e prodhuara në Azi për makinat elektrike dhe kompanitë në vend po ofrojnë lehtësi për të nxitur industrinë.
Kjo u bë më urgjente vitin e kaluar, kur Shtetet e Bashkuara miratuan Inflation Reduction Act (Aktin e reduktimit të inflacionit) prej 430 miliardë dollarësh, që përfshin lehtësi fiskale për të ulur emetimet e karbonit, duke nxitur prodhimin vendas.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili këmbënguli për të siguruar të paktën një fabrikë të madhe në rajonin e Dunkirk, ka vendosur një objektiv prej 2 milionë makinash elektrike të prodhuara në Francë, deri në vitin 2030.
/ Reuters
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.