Flet Altin Prenga, “Mrizi i Zanave”
Teksa fokusi, vit pas viti, ka qenë integrimi i investimeve të ndryshme prodhuese brenda agroturizmit, në vazhdim, “Mrizi i Zanave” synon të arrijë përsosjen e tyre. Altin Prenga shprehet se tashmë, paketa që ofrohet është e plotësuar.
Ai e vlerëson vitin 2022 me një ecuri të mirë, e lidhur me tendencën e përgjithshme të turizmit, por rritja e kostove mbetet sfiduese.
Z. Prenga nënvizon se agroturizmi dhe bujqësia janë në një moment të rëndësishëm, që lidhet me të kuptuarit se produkti është një forcë e jashtëzakonshme, i cili mund të sjellë përfitime të mira për të gjitha palët kur marrëdhëniet që ndërtohen janë korrekte.
Si ka qenë ecuria e agroturizmit në këndvështrimin tuaj gjatë këtij viti?
Mendoj se ka qenë një vit i mirë, jo vetëm për agoturizmin tonë, por për të gjithë në përgjithësi. Ka pasur frekuentim dhe interes të lartë. Në anën tjetër, ka pasur rritje të madhe të kostove.
Ajo që ka vijuar të mbetet problematike është “hemorragjia” e të rinjve nga zonat rurale, ku agroturizmi, përtej ndikimeve pozitive që sjell, nuk ka arritur ta ndalë. Vihet re gjithashtu mungesë e lëndës së parë, ka mungesë të mishit, perimeve e të tjera.
Edhe për sektorët e lidhur me agroturizmin, si bujqësia apo blegtoria, ka pasur rritje stratosferike. Punë ka pasur shumë, por edhe vështirësitë kanë qenë të shumta. Si përmbledhje, ka qenë një vit i mirë, por jo i lehtë.
Largimi i rinisë por jo vetëm, është kthyer në shqetësimin kryesor. Si reflektohet kjo në zonat rurale?
Edhe në zonat rurale, pak a shumë ajo që ka lëvizur, është rinia. Prej vitesh, ne kemi marrëdhënie me banorët rreth zonës ku ndodhemi dhe e kemi të konsoliduar zinxhirin. Furnitorët e qumështit i kemi të njëjtë dhe është një marrëdhënie nga e cila përfitojmë të dyja palët.
Nëse ka korrektesë në mes, blegtorët dhe bujqësia nuk e ndërpresin punën. Dëgjoj sot në treg që ka mungesë qumështi dhe ky është realitet, pasi edhe çmimi është rritur. Edhe ne vetë e kemi rritur çmimin prej kostove, por duhet që të funksionojnë siç duhet marrëdhëniet, që të ketë interes të mos braktiset fshati dhe puna.
Sa i takon frekuentimit në agroturizme, cilët janë grupet e turistëve që ju kanë rënë në sy?
Frekuentimi ka qenë spektakolar, shumë i mirë dhe klientët, nga e gjithë bota. Normalisht nuk kanë munguar as vendasit apo shqiptarët e Kosovës. Interesi ka qenë i lartë, si për vizitat ditore, edhe për fjetjen.
Ne i sugjerojmë për fjetjen, që të mos jetë më shumë se dy ditë, sepse duhet të jetë e mirorganizuar. Sa i takon restorantit ka pasur shumë klientë individualë, por edhe agjencitë që sjellin grupe. Ata që dominojnë nga Booking, ku edhe mund të shohim statistika, janë nga Gjermania.
Prodhimi i verës është një tjetër aspekt, që ju si agroturizëm i kushtuat rëndësi së fundmi, duke e menduar si pjesë të integruar të aktivitetit. Si ka qenë ecuria?
Vera ka ecur shumë mirë në fakt. Sigurisht ka pasur rritje të kostove, pasi vetëm çmimi i shisheve është dyfishuar, por ia kemi dalë të ecim mirë. Situata është pak e frikshme vitin që vjen, sepse askush nuk di të thotë se ku do të shkojmë, apo cili do të jetë kulmi i kostove që vetëm rriten.
Mendoj se e gjithë kjo mund të sjellë kufizimin e konsumit, pasi njerëzit do të kenë tendencën të kursejnë.
A vini re ndonjë tkurrje konsumi që tani apo ecuria ka qenë e mirë?
Ne si agroturizëm vumë re një përqindje më të ulët në fillim të dhjetorit. Trendi ishte çuditërisht i ulët, duke mos ndjekur tendencën vjetore, por tashmë është kthyer sërish në ritmet që kishte.
Ka pasur disa nisma për të nxitur prodhimin në bujqësi, duke e lidhur këtë edhe me nevojën dhe zhvillimet në tregjet e huaja. Ju si i shihni këto politika?
Mendoj se për momentin, disa fusha janë kthyer të favorshme për të investuar dhe falë subvencioneve nxitëse, por edhe çmimeve që janë rritur ndjeshëm, janë bërë të leverdishëm.
Për shembull në bujqësi, ata që merren me profesionin e bariut paguhen jo pak, po kështu ata që merren me blegtori, kanë fitim të mirë. Çmimi i mishit të kecit për shembull është 1 mijë lekë, pra 40% më shtrenjtë.
Mjaft të bësh llogaritë dhe leverdishmëri ka. Është pa kuptim të mos mbash bagëti në zonat rurale, duke pasur të gjitha kushtet. Ikja e shqiptarëve jashtë shtetit mendoj se është diçka që shkon përtej nesh.
Kush do ta imagjinonte që do të shkonin në Gjermani 50 mijë shqiptarë dhe të punonin në të zezë. Këto vende po bëjnë një sy qorr, pasi kanë nevojë për forcën punëtore. Është një vakum momental, i cili mendoj se do të stabilizohet.
Ju herë pas here jeni zgjeruar, duke u fokusuar në aktivitete të reja të lidhura me agroturizmin, duke tentuar plotësimin e një pakete specifike. A keni plane të reja investimi, cili është fokusi juaj në vijim?
Tani jemi në atë fazë që duam të përsosim pjesën e prodhimit për atë çfarë kemi, ndaj nuk kemi plan të ri zgjerimi. Kemi hapur të gjithë sektorët që na duhen dhe tashmë do të mundohemi të arrijmë nivelin më të mirë të mundshëm për secilin prej tyre.
Duke qenë se jemi në fundvit, a ka pasur kërkesa apo interes nga konsumatorët për produktet tuaja?
Kemi momentalisht një kërkesë të jashtëzakonshme për shporta. Nëse do të kishim kapacitetin për t’i mundësuar, kjo kërkesë tejkalon restorantin. Produkti është një forcë e jashtëzakonshme dhe këto shporta janë një promovim shumë i mirë, i cili nuk ndalet.
Është “mbjellje” klienti dhe forcë e madhe që ka rritje të qëndrueshme. Kjo është arsyeja pse mendoj që prodhimi duhet të konsolidohet për të arritur nivelin më të lartë të cilësisë.
Si e parashikoni vitin e ardhshëm për sektorin tuaj, por edhe ekonominë në përgjithësi?
Ne shpresojmë të mbajmë ritmin e vitit 2022, nuk duam asgjë më shumë. Mendoj se për sa i përket turizmit të jashtëm, pavarësisht inflacionit në rritje, do të kemi shifra pozitive, sepse është rikthyer vëmendja për udhëtime pas pandemisë. Trendi është në rritje.
Sa u takon shqiptarëve janë pakësuar disi për një sërë arsyesh, duke nisur nga kostoja e jetesës e deri te largimi masiv. Është pak i trishtë ky fakt dhe ne nuk duam që ta themi, pasi agroturizmet duhet të jenë edhe për shqiptarët.
Kjo është e bukura e tyre, që kanë ç’të ofrojnë në çdo moment për vendasit. Po të kthehen vetëm për turistët, kanë humbur një pjesë të potencialit që kanë si hallkë mes bujqësisë e blegtorisë dhe turizmit.
Lexoni edhe: Agroturizmi, oazi i pushimit të fundjavave dhe festave
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.