Punonjësit e administratës publike të cilët kanë fëmijë të vegjël deri në parashkollor do t’ju jepet leja të qëndrojnë në shtëpi deri në 23 mars.
Pezullimi me dy javë i punës për një nga prindërit që punon në administratë u vendos sot nga qeveria.
Vendimi vjen pas atij për mbylljen e kopshteve, çerdheve dhe shkollave deri në 3 prill me qëllim mospërhapjen e koronavirusit.
Vendimi i sotëm i qeverisë, u kërkon edhe sektorit privat që të gjejnë mundësinë për dhënien pushim të njërit prej prindërve kujdestarë të fëmijëve që frekuentojnë, shkollat, kopshtet dhe çerdhet.
Pavarësisht situatës së krijuar nga koronavirusi deputetët do të vijojnë punën në seancat komisionet parlamentare do të vijojnë punën. Burime të “Monitor” në Kuvend u shprehën se ende nuk ka një vendim për pezullimin e aktivitetit të deputetëve në seanca dhe komisione.
Punonjësit e administratës të Kuvendit mësohet se do të zbatojnë oraret e përcaktuara nga vendimi i sotëm i qeverisë.
Qeveria pritet të dalë edhe me një vendim për reduktimin e orareve të autobusëve të linjave të brendshme dhe atij ndërqytetas.
Edhe Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi mbylljen e gjykatave për dy javë, si masë kundër përhapjes së virusit Covid-19, ndërsa do të vijojnë të shqyrtohen vetëm masat e sigurisë dhe vendime të ngutshme pa prani të publikut.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.