Flet Fundim Gjepali, Agroturizëm “Gjepali”
Të huajve dhe vendasve u është shtuar kureshtja për pjesën rurale të Shqipërisë dhe promovuesit më të mirë të këtij dimensioni janë agroturizmet.
Mastershef Fundim Gjepali, nga Agroturizëm “Gjepali”, shprehet se fakti që fshati mbetet ende ekonomik në shpenzime, me prodhime cilësore, e bën atë një alternativë të parapëlqyer nga turistët.
Ai parashikon që trendi pozitiv për sektorin do të vazhdojë edhe në vitin 2023, duke nënvizuar se ndikimi që kanë sot agroturizmet në disa rajone është jetik.
Si e vlerësoni vitin 2022 për sektorin e agroturizmit në tërësi?
Ka qenë një vit shumë i mirë dhe me një frekuentim gjithëvjetor. Fillimi i vitit ishte pak i vështirë, pasi ndikoi lufta Rusi-Ukrainë në një lloj stepjeje, por kjo u rikuperua shpejt. Pranvera ishte shumë e mirë, vera shkëlqyeshëm, vjeshta e mirë dhe aktualisht vijojmë të jemi me ritme të kënaqshme.
Si ka qenë ecuria e kostove për sektorin dhe si e kanë ndikuar ato punën në agroturizme?
Kostot janë rritur mesatarisht 30%. Jemi munduar ta amortizojmë disi me prodhimet tona dhe kemi bërë rritje të vogla, tek-tuk, që janë më shumë rregullues. Rritja ishte e pashmangshme, pasi inflacioni po kthehet në një problem global.
Kemi një marzh zhvillimi të kënaqshëm dhe hapësirë për t’u rritur dhe duke punuar pak më shumë, mendoj se ia kemi dalë ta përballojmë mirë, deri tani.
A keni vënë re mungesë produktesh? A keni pasur probleme për të siguruar sasitë e nevojshme?
Nuk kemi pasur mungesë produktesh. Prodhimi vendas është rritur shumë. Ato që në fakt shënuan rritje ishin produkte të tilla si gazoili dhe energjia, që nuk lidhet me ne. Nga ana tjetër, rritjen e çmimit të vajit ne nuk e kemi ndier, pasi e prodhojmë vetë atë të ullirit.
A e ka prekur agroturizmin largimi i punonjësve që është bërë masiv në çdo sektor?
Ky është një moment historik sa u takon punonjësve. Po bëj çfarë të mundem që të mos marr punonjës të huaj dhe t’ju jap mundësi vendaseve të ndërtojmë diçka të bukur këto.
Me vështirësi të shumta, por ia kemi dalë të ecim para. Është e nevojshme që të ketë ndërgjegjësim dhe punonjësve, t’ju ofrohet një trajtim i denjë.
Për kushtet e ekonomisë, jam i qartë që nuk ofrojmë dot paga sa në Perëndim, por sigurisht mund të ofrohen paga më të mira, që çdo person i cili bën një llogari të thjeshtë, të mos ketë leverdi ekonomike të lërë vendin për emigracionin. Nuk janë punonjësit që kanë paga mesatare të larta, ata që po largohen.
Cilat janë grupet që e kanë vizituar më shumë agroturizmin tuaj dhe cilat janë përshtypjet që keni marrë?
Në vitin 2022 kishte shumë të ardhur nga Lindja në agroturizmin tonë, gjithashtu edhe nga Italia. Zakonisht, qëndrimi është dy-tre ditë maksimumi dhe përshtypjet janë pozitive.
Të huajt e duan Shqipërinë rurale, e pranojnë ashtu siç është, me defektet e saj, sepse shohin diçka origjinale.
A ka pasur vizitorë vendas, apo shqiptarë të Kosovës e Maqedonisë së Veriut?
Edhe shqiptarët kanë shënuar shifra pozitive dhe ka pasur rritje. Interesi për t’u afruar me fshatin është tej mase i lartë. Janë hapur një numër i lartë agroturizmesh, por mendoj se ende ka vend për të gjithë, mjaft që të respektohet ajo çfarë quhet realisht agroturizëm dhe të shërbehet me cilësi.
Çdo agroturizëm që hapet mendoj se shpëton një fshat, janë banorë që mund të bëhen pjesë tërësore e këtij sektori, duke gjetur një treg të sigurt, por edhe një marrëdhënie afatgjatë.
Si e parashikoni ecurinë e sektorit në vitin 2023?
E parashikoj një vit shumë të mirë, të paktën këtë përshtypje kam krijuar nga rezervimet për evente që nuk i kemi pasur më parë prej pandemisë. Dhomat i kemi të rezervuara në muajin gusht 2023 që tani. Ka shumë pak hapësirë dhe rezervimet janë si nga të huajt, edhe nga shqiptarët. Fshati ka ende kosto të ulët për fjetje, produkte, ofron cilësi.
A vini re ndonjë ndryshim në konsum aktualisht?
Nuk shohim ndonjë ulje në konsum. Në muajt e parë pati rënie të lehtë, por ishte për shkak të frikës që sollën rritjet e çmimeve dhe u desh pak kohë që njerëzit të mësoheshin me normalitetin e ri.
Avantazhi i agroturizmeve është që ofrojnë produkt vendas, pra lokal dhe produkte shqiptare, duke amortizuar shpesh, në këtë mënyrë, kostot e rritura në produkte të tjera.
A keni menduar të integroni elemente të tjera në agroturizmin tuaj apo nuk parashikoni investime?
Në 2023 shpresojmë që të bëjmë një dhomë degustimi, pasi kemi shumë kërkesë për verën dhe do të kemi gjithashtu punishten tonë, për të punuar zahiretë dimërore.
Më herët kemi investuar në serrat tona, rreth një hektar, ku kemi edhe produktet kryesore që shërbejmë. Jemi të përqendruar te bujqësia sezonale dhe përdorim vetë produktet e freskëta. Lugina e lumit Erzen është e pasur dhe njihet për prodhimtarinë e saj dhe kemi fat në këtë rajon, që ka njerëz të cilët e duan punën.
Këto ditë kam pasur mundësinë të vizitoja furnitorët tanë, me të cilët kemi marrëdhënie dhe pashë që ka shumë produkte cilësore. Njerëzit po kujdesen shumë ngaqë po funksionon zinxhiri dhe e kanë të garantuar shitjen e prodhimeve të tyre.
Funksionimi i kësaj marrëdhënie mes agroturizmit dhe bujqësisë është një nxitje shumë e madhe për fermerët.
Lexoni edhe: Agroturizmi, oazi i pushimit të fundjavave dhe festave
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.