Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani ka pohuar se politikat që ka marrë Banka e Shqipërisë vitin e fundit kanë krijuar mundësi për rritje të kreditimit pas krizës. Deklaratat e guvernatorit janë bërë gjatë një conference për shtyp të Bankës Intesa San Paolo e cila prezantoi linjën e re të kreditimit për agrobiznesin dhe bujqësinë.
“BSH ka dhënë të gjitha incentivat për zgjerimin e bazës së kreditimit”, tha Fullani, duke shtuar se janë të gjitha shanset që të shtohet huadhënia. Kjo e fundit gjatë 2013-s është tkurrur me 2% me bazë vjetore, performance më negative që nga fund ii vteve ’90, kur sistemi bankar vuajti problemet e ristrukturimit të bankave shtetërore.
Fullani shtoi se masa të tjera do të ndërmerren edhe përgjatë këtij viti për të nxitur huadhënien.
Lidhur me bujqësinë, guvernatori tha se sistemi bankar është i gatshëm ta kreditojë atë. Por, shtoi ai, duhet që të gjithë agjentët të marrin pjesë dhe të japin kontribut. Bujqësia ka ende shumë probleme, ku më kryesorin ai përmendi titujt e pronësisë, që do të krijonin një garanci bazë për t’u dhënë mundësi bankave që të financojnë në bazë të projekteve. “Bujqësia është sektori i rëndsishëm dhe nga ai duhet të rifillojë zhvillimi i qëndrueshëm pas krizës”, tha Fullani, duke e vënë theksin në ddomosdoshmërinë për të vazhduar me reformat strukturore të bujqësisë, në kuadër të një programi të gjerë kombëtar.
Guvernatori kërkoi që dhe bankat të jenë më proactive dhe të bëhen pjesë vitale e zhvillimit të bujqësisë, si pjesë e programi kombëtar.
Sot, pesha e huasë për bujqësinë në totalin e kredisë së dhënë nga bankat është thuajse e papërfillshme.
Masat për nxitjen e kreditimit
Banka e Shqipërisë e ka konsideruar të rëndësishme ndërmarrjen e disa masave për të nxitur bankat drejt kreditimit dhe angazhimit në ristrukturime më të hershme të kredisë (këto masa janë në fuqi që prej muajit maj 2013). Më konkretisht, për të nxitur kredidhënien, ndryshimet rregullative parashikojnë: a) heqjen e kërkesave për kapital për rritjen vjetore të stokut të kredisë për ekonominë, nëse ajo është midis 4%-10%;
b) rritjen e kërkesave për kapital për shtesën e investimeve të sektorit bankar me institucionet financiare jorezidente;
c) uljen e përgjithshme me 5 pikë përqindje të kërkesës rregullative për nivelin e raportit minimal të likuiditetit në total, për lekun dhe për valutën, në krahasim me nivelin ekzistues sipas profilit të rrezikut të bankave. Megjithatë, vazhdon të mbetet në fuqi një përqasje rregullative më e kujdesshme për bankat greke.
Për të adresuar dukurinë e rritjes së kredive me probleme, ndryshimet rregullative mundësojnë: a) ristrukturimin e kredisë që në fazën kur ajo kategorizohet si kredi e rregullt, por kur kredimarrësi nis të shfaqë problemet e para në pagesën e kredisë. Qëllimi është që, me kushtet e reja të kredisë pas ristrukturimit, të ruhet aftësia paguese e kredimarrësit dhe cilësia e kredisë. Kjo kredi do të vijojë të klasifikohet si kredi e rregullt (në dy klasat e para të kategorizimit), por do të kërkojë një normë provigjionimi më të lartë, prej 10%; b) uljen në 6 muaj nga 9 muaj (derisa kredimarrësi të ketë paguar tri këste të kredisë) të periudhës kohore në të cilën kreditë e risktrukturuara mund të kthehen në kredi standarde. Ndryshimi i kërkesave për kapital lidhur me rritjen vjetore të stokut të kredisë dhe të fluksit të investimeve të sektorit bankar me subjektet jorezidente, janë me natyrë kundërciklike, të përkohshme dhe do të shtrijnë efektin e tyre për periudhën 2013 – 2014.
Nëse Banka e Shqipërisë nuk vendos ndryshe me një vendim të posaçëm, këto ndryshime do të shfuqizohen me përfundimin e periudhës së sipërpërmendur, dhe bankat duhet të sigurojnë përputhshmërinë me kërkesat e kuadrit rregullativ ekzistues deri në qershor 2015. Ky mekanizëm vlerësohet i rëndësishëm për të ruajtur te bankat kërkesën për një kreditim të kujdesshëm dhe veprimtari të mirëkapitalizuar. Rritja e stokut të kredive me probleme ka nxjerrë nevojën për një proces të fshirjes së kredive të humbura. Megjithatë, ky proces, si dhe volumi i kredive të humbura, të fshira nga bilancet e bankave kanë qenë modeste për shkak të përcaktimit të paqartë të borxhit të keq nga ana e legjislacionit tatimor në fuqi, nuk parashikonte zbritjen nga shpenzimet për qëllime fiskale për këto shuma. Banka e Shqipërisë, ka propozuar disa ndryshime në aktet nënligjore, për një përkufizim më të saktë të borxhit të keq, propozim, i cili pas negociatave është marrë në konsideratë nga ministri i Financave dhe ndryshimi është reflektuar më 24 maj 2013. Më tej, në bashkëpunim me Bankën Botërore, me anë të projektit FinSAC (Financial Sector Adjustment Credit) janë bërë përpjekje për vendosjen e një kuadri të zgjidhjes së kredive me probleme.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.