Flet Bledar Mankollari, Drejtori Ekzekutiv i DIHA-s
Shqipëria, në raport me rajonin, ofron vetëm krahun e lirë të punës dhe një volum të lartë punonjësish për momentin, çka i shërbejnë industrisë automotive që të zhvillojë planet e biznesit. Por me emigracionin nga njëra anë dhe me kushtet demografike, vendi ynë duket se do ta humbë këtë aftësi në afatgjatë, ndaj do të duhen politika të reja që nxisin kompanitë të investojnë në këtë sektor.
Bledar Mankollari, Drejtori Ekzekutiv i DIHA-s, dhe njohës i mirë i sektorit, shprehet se vendi ynë po kalon fazat tipike të fasonerisë ku fillimisht ishte këpuca, tani ajo e industrisë automotive dhe ndoshta në të ardhmen, ajo elektronike. Që vendi të marrë një përfitim më të lartë nga industria automotive dhe produktet që kjo e fundit zhvillon këtu, Mankollari nënvizon se duhet të krijohet ajo që njihet si “know how” (përvojë, njohuri) çka çon drejt produkteve me vlerë më të lartë të shtuar e për rrjedhojë, me më shumë përfitim për ekonominë.
Një ndër kompanitë e para në industrinë automotive e vendosur në Shqipëri është gjermania Forschner, që prodhon pajisje kabllore për autobusët e “Benz Mercedes”. Si ka qenë ecuria e kësaj kompanie lidhur me planet e saj në Shqipëri duke qenë se ju në DIHA keni kontakte të vazhdueshme me investitorët gjermanë?
Forschner, aktualisht, është shpërndarë në tre fabrika dhe tani po punohet që të grupohen të tria në një të vetme, duke e parë këtë si një mundësi për të ulur kostot logjistike. Kompania ka aktualisht 800 të punësuar dhe planet janë që të arrijnë në 1100. Por, fillimisht duhet të përfundojë procesi i grupimit në një fabrikë të vetme pranë Durrësit.
Që të sjellësh një kompani që të prodhojë produkte me vlerë të lartë duhet që të kesh bazën që është “know how” (njohuritë apo përvojë). Ne si vend nuk e kemi këtë. Janë gjëra që te ne nuk ekzistojnë por ndoshta duhet të nxiten dhe përvojat e vendeve janë nga më të ndryshmet.
Për shembull, më vjen në mendje Turqia, e cila ka si politikë të saj që nëse një kompani futet në treg dhe kalon një numër të caktuar punonjësish duhet të krijohet departament i veçantë për zhvillimin e tyre. Kjo sjell edhe zhvillimin e inxhinierëve të lartë me know how specifike dhe në zinxhirin e zhvillimit, produkti final të ketë më shumë vlerë.
Ne jemi shumë larg nga ky aspekt. Jemi në fazën nga fasoni i këpucëve te fasoni pak më i sofistikuar apo disa aspekte të automotivit dhe pas këtyre, ndoshta vjen radha mbas 20-30 viteve të ketë mjaftueshëm njerëz të kalojnë në fasonin elektronik, që është një fushë interesante dhe me shumë përfitim. Si shkallë zhvillimi mendoj se ky mund të jetë një hap tjetër. Gjithsesi, biznesi i suksesshëm kërkon njerëz të kualifikuar. Për këtë arsye është shumë e rëndësishme të punohet me arsimin profesional dhe të bëhet një ndërlidhje e mirë mes teorisë dhe praktikës.
Vende të tjera të rajonit kanë të zhvilluar industrinë automotive dhe duket se ne jemi të fundit që kemi hyrë në hartën e kompanive të mëdha të këtij sektori. Si qëndron Shqipëria në raport me vendet e tjera të rajonit për lehtësitë që ofron?
Ne jemi të fundit për atë që u ofrojmë investitorëve të këtij sektori në raport me rajonin. Mund t’ia kalojmë vetëm Malit të Zi, por këtë të fundit nuk po e përfshij fare në këtë ligë, sepse është një vend me popullsi vetëm 600 mijë banorë. Dy vende të tjera si Maqedonia dhe Serbia kanë historik lidhur me sektorin. Të dyja vendet kanë pasur dhe e kanë ruajtur industrinë automotive që u ngrit në kohën e ish-Jugosllavisë. Të dy vendet kanë know how dhe njerëz të shumtë që trashëguan njohuritë e asaj kohe, por që edhe e vazhduan më vonë këtë. Ne, nga ana tjetër, edhe atë që kemi pasur e kemi shkatërruar.
Duhet të kemi parasysh që paralelisht me stimujt fiskalë të përmirësojmë klimën e përgjithshme që u ofrohet investitorëve në administratë, sepse çfarëdo ligjesh dhe lehtësish të japësh duhet një administratë eficiente që të transmetojë këtë lehtësi tek investitori. Sot, pjesa më atraktive që ju ofrojmë ne investitorëve është krahu i lirë i punës dhe mendoj se shumë shpejt, me zhvillimet që po shohim do ta humbim edhe këtë, pra Shqipëria nuk do jetë më interesante për volum të lartë punëtorësh. Mendoj se kjo industri do të ngelet në këto vlera dhe numra që ka sot.
Nëse disa aspekte mund të shihen me sy kritik, nuk mund të mohojmë edhe faktin që ka pasur zhvillime pozitive, të cilat ndikojnë për mirë në syrin e investitorëve. Për shembull, është ulur shumë numri i kontrolleve në terren për bizneset. Doganat janë profesionalizuar edhe më shumë krahasuar me 5-10 vjet më parë. Sigurisht që kanë njohur forma të tjera import-eksporti dhe kompani që funksionojnë prej 40-50 vitesh kanë dhënë ndikimin e tyre në këtë aspekt. Prania e kompanive që kërkojnë import-eksport ka shërbyer si një nxitje për ta modernizuar Doganën, e cila ka bërë hapa pozitive në procedurat e saj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.