Ministria e Shëndetësisë të premten mori vendim për rikthimin e karantinës në shtatë komuna. Vendimi kishte të bënte vetëm për ditën e shtunë dhe të dielë, ku me këtë vendim bizneseve iu ndalua veprimtaria, në mesin e të cilave edhe kafeneve. Kjo bëri që gastronomët e Kosovës të protestojnë.
Shoqata e Gastronomëve ka kundërshtuar vendosjen e masave të reja anti-COVID-19 nga Qeveria e Kosovës.
Ata kërkojnë që të përfshihen në Pako, siç është subvencionimi i pagave, qirasë dhe pagesën e interesave të kredive. Në të kundërtën, sipas tyre, do të ketë marrje të masave radikale, siç janë protestat.
“Ne si Shoqatë pas të gjitha diskutimeve me anëtarët, së bashku me biznese të ndryshme të cilat do të preken nga Vendimi i radhës, njëzëri kemi rënë dakord, që në rast se vendimet e ardhshme për mbyllje nuk do të subvencionohen apo mbështeten me plane konkrete strategjike për mbulimin e dëmeve, dhe Pako për subvencionim të linjave të pagave të punëtorëve, subvencionim të shpenzimeve të qirasë, ndihmesë në pagesën e interesave të kredive, ndarjen e granteve që stimulojnë qarkullimin në gastronomi, zotohemi që do të kundërshtojmë çdo vendim për mbyllje të mëtutjeshme ose shkurtim orari, në çdo formë të mundshme, përfshirë edhe ato radikale, mos mbylljen e lokaleve, apo edhe protesta”, thuhet në reagimin e gastronomëve.
Sipas tyre, kjo lloj mbyllje nga Qeveria janë të papranueshme.
“Ne si Shoqatë e Gastronomëve të Kosovës bashkëndjejmë me të gjitha familjet më të prekura me COVID-19, e sidomos me ata të cilët tashmë kanë humbur më të dashurit e tyre, sepse edhe ne jemi pjesë e këtij populli dhe njëlloj kemi pasur të infektuar nga ky virus, por edhe të ndjerë tashmë. Mirëpo, këto lloj mbylljesh pa asnjë mbështetje, siç po pretendon Qeveria e Kosovës, janë të papranueshme për ne si shoqate, së bashku me katërdhjetë mijë punëtorët tanë e familjet e tyre”, përfundon reagimi.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, në një konference për media ka thënë se masat kufizuese që ka ndërmarrë Qeveria, kanë shkaktuara dëme të mëdha të bizneset.
Rukiqi po ashtu ka thënë se masat e fundit të ndërmarra nga Qeveria, kanë qenë të pakoordinuara me komunitetin e bizneseve.
“Sot janë mbyllur mbi 20 mijë biznese në gjithë vendin, nga këto masa janë prekur këto biznese që nuk do të punojnë gjatë fundjavës. Dëmet për këto biznese mund të arrijnë deri në 10 milionë apo 15 milionë euro brenda një dite. Ajo çfarë është më e keqja është se këto mjete që nuk shpenzohen në Kosovë do të shpenzohen në vendet e rajonit”, tha ai para mediave.
Rukiqi shtoi më tej se problem i dytë i këtyre masave është lajmërimi me vonesë, dhe se po ashtu kanë pasur problem të shumta ta definojnë se cili është market i vogël.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që në fundjavë të u ndalohet veprimtaria e të gjitha subjekteve afariste dhe bizneseve, qendrave tregtare e rekreative, supermarketeve, subjekteve që ofrojnë shërbimet e gastronomisë (restorantet, kafiteritë dhe të ngjashme) në tërë territorin e Republikës së Kosovës, prej orës 20:00, më 06/11/2020 (e Premte) deri më 09/11/2020 (e Hëne) në orën 05:00.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.