Shërbimet e gastronomisë në Kosovë nga dita e sotme lejohet të zhvillojnë aktivitetin e tyre nga ora 05:00 deri në orën 21:30.
Ndërsa, muzika lejohet vetëm deri në orën 21:00. Është kthyer edhe ora policore për të gjithë qytetarët.
Qeveria e Kosovës në kuadër të masave të reja kufizuese ndaj pandemisë COVID-19 ka marr vendim që të kufizoj punën e objekteve hoteliere, restoranteve dhe kafiterive.
Nga sot gastronomia do të punojë deri në ora 21:30 dhe në ambiente të hapura.
“Shërbimet e gastronomisë lejohet të zhvillojnë aktivitetin e tyre nga ora 05:00 deri në orën 21:30”, thuhet në vendim.
Ndërsa, muzika lejohet vetëm deri në orën 21:00.
Shërbimi “dërgesë me porosi” lejohet të funksionojë edhe pas orës 22:00, pas pajisjes me leje të veçantë nga sistemi EDI i Administratës Tatimore të Kosovës.
Po ashtu, lejohet veprimtaria e qendrave tregtare sipas udhëzuesit përkatës.
“Obligohen të gjithë operatorët, të cilët për veprimtari ekonomike e kanë tregtinë me shumicë dhe pakicë, që të përcaktojnë numrin maksimal të klientëve në lokal në të njëjtën kohë sipas rregullit – 1 person për 8 metra katrorë. Këta operatorë obligohen të shënojnë në hyrje numrin maksimal të klientëve të lejuar në të njëjtën kohë. Sipërfaqja llogaritet për zonën ku lejohen të qëndrojnë klientët”, vijon njoftimi.
Në kuadër të qendrave tregtare dhe operatorëve të tjerë ekonomikë, ndalohet puna apo përdorimi i këndeve të lojërave për fëmijë.
Gjithashtu është ndaluar shërbimet në gastronomi në hapësirat e mbyllura. Qëndrimi i klientëve (shërbimi i ushqimit dhe pijeve) lejohet vetëm në hapësirat e hapura të lokaleve të gastronomisë. Lejohet shfrytëzimi i jo më shumë se 70 % e kapacitetit të hapësirës së hapur. Sipërfaqja llogaritet për zonën ku shërbehet ushqimi dhe pijet.
Në mesin e masave të reja është kthyer edhe ora policore për të gjithë qytetarët që fillon prej orës 22:00 deri në ora 05:00.
Maska është e detyrueshme gjithandej, përveç në tri raste: Gjatë ngasjes së automjetit vetëm, apo kur në automjet janë prezentë ekskluzivisht anëtarët e ngushtë të familjes; Gjatë vrapit, çiklimit dhe ushtrimeve fizike dhe; Gjatë ngrënies apo pijes.
Kryeministri Albin Kurti ka takuar sot përfaqësuesit e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV). Kurti i ka njoftuar inspektorët për vendimet nga ai takim dhe foli për rëndësinë e zbatimit të masave kundër pandemisë të marra në mbledhjen e 32-të të Qeverisë.
Ai tha se kemi hyrë në një fazë të re të mbikëqyrjes së zbatimit të masave, dhe se zbatueshmëria e tyre i jep masave legjitimitet, përveçse siguron efektshmërinë e tyre.
“Aktualisht, po përballemi me variantin më të rrezikshëm të virusit, atë Delta, andaj në një situatë që nuk është e zakonshme, nuk mund të sillemi si zakonisht. Angazhimi i gjithsecilit duhet të jetë një që s’e kemi bërë më parë”, ka nënvizuar Kurti.
Po ashtu, ai shtoi se Qeveria i është përgjigjur kërkesës së AUV-it për të rritur numrin e inspektorëve, duke e gjashtëfishuar atë.
Me 85 inspektorë të rinj që do angazhohen, ai u shpreh se bashkë me sasinë tash duhet të rritet edhe cilësia e inspektimit.
Autoritetet në Kosovë raportuan të dielën për 36 viktima nga koronavirusi. Ky është numri më i lartë i viktimave, që prej fillimit të pandemisë në mars të vitit 2020. Sipas të dhënave, që prej 13 marsit 2020 e deri më 29 gusht 2021, Kosova ka regjistruar 142.671 raste me koronavirus dhe 2.457 viktima.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.