Me 73 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi miratoi dhe projektligjin “Për sektorin e gazit natyror” .
Ministri i Energjisë dhe i Industrisë, z. Damian Gjiknuri deklaroi se ligji do të përbëjë një kontribut të rëndësishëm në realizimin e politikave të Qeverisë për mbështetjen e zhvillimit të sektorit energjetik në Shqipëri.
“Nëpërmjet këtij ligji, ne krijojmë të gjithë infrastrukturën e nevojshme ligjore për ndërtimin e tregut të
gazit natyror në Shqipëri, duke përcaktuar përfundimisht llojet e shoqërive të cilat do të operojnë në
këtë treg, siç janë shoqëritë e transmetimit ashtu edhe ato të shpërndarjes. Njëkohësisht, qeveria
shqiptare nuk e ka trajtuar këtë projektligj thjesht si një ide futuriste por ka ndërmarrë masat e
nevojshme për tu përgatitur në kohë. E gjitha që në momentin që gazi vjen në Shqipëri, dhe shpresojmë
nëpërmjet projektit TAP të vijë rreth vitit 2019-2020, ne të kemi gati jo vetëm infrastrukturën ligjore, por edhe kapacitetet dhe planet e nevojshme për shtrirjen e sektorit të gazit në jetën ekonomikë shqiptare.
Kjo do të ndihmojë si individët, pra familjarët, ashtu edhe konsumatorët industrialë të gazit, i cili
gjithashtu do të përdoret për prodhimin e energjisë elektrike. Qeveria ka siguruar financimet e
nevojshme nëpërmjet granteve dhe dua ta theksoj faktin se janë mbi 7 milion euro grant të siguruar
vetëm vitin e fundit për mbështetjen e këtij sektori”, nënvizoi z. Gjiknuri.
Për deputetin e grupit parlamentar të LSI-së, z. Gjovalin Kadeli qëllimi i kësaj nisme është
garantimi i furnizimit të qëndrueshëm dhe të sigurt me gaz natyror të klientëve, nëpërmjet krijimit të një tregu konkurrues dhe të integruar me tregjet rajonale e evropiane, për një shërbim me cilësi të lartë, kosto të arsyeshme si dhe duke respektuar kërkesat për mbrojtjen e mjedisit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.