“300 ditët e para” të turizmit duket se kanë rezultuar të suksesshme për ministren e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni. Në një takim me gazetarët, ministrja bëri një analizë të punës së deritanishme në disa prej sektorëve që ajo mbulon. Sipas Gjermenit, këtë sezon, Shqipëria vjen me një imazh ndryshe, me një bregdet më të pastër dhe më të sigurt. “Që në fillim të punës në ministri ne kishim si objektiv që të mund të merrnin ‘kontrollin’ mbi territorin në mënyrë që të mund të ndërhynim aty ku ishte më emergjente. Brenda një afati të shkurt, siç janë 300 ditë, arritëm të përgatisim një sërë ligjesh të reja, siç ishte ai mbi rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror me përparësi turizmin, ai i planifikimit dhe zhvillimit të territorit, legalizimit, etj.”, tha ministrja Gjermeni.
Turizmi, si një nga sektorët më të rëndësishëm në vend sipas ministres, vazhdon të përballet me një sërë sfidash, të cilat në vazhdimësi do të mund të gjejnë zgjidhje dhe do të kristalizohen. Në lidhje me vështirësitë që janë hasur sa i përket zbatimit të vendimit të qeverisë për ruajtjen në masën 20% të hapësirave publike në plazhe
(referuar edhe konstatimeve të “Monitor”), ministrja tha se për këtë çështje kanë të gjithë përgjegjësi, por faji më i madh rëndon mbi pushtetin vendor, i cili është përgjegjës direkt për garantimin e zbatimit dhe për marrjen e masave administrative për subjektet që gjenden në shkelje. Ministrja Gjermeni tha se me reformën territoriale do të mund të kapërcehen të gjitha këto vështirësi.
Padyshim një nga pikat e dobëta të turizmit në vend (jo të atij në terren) mbeten edhe statistikat. Do të duhet të presim edhe pak për të mësuar sesa ka qenë numri i vizitorëve që kanë hyrë dhe dalë nga territori i vendit për gjashtë muajt e parë të vitit 2014. “Statistikat pa dyshim që janë një nga ngërçet e këtij sektori. Saktësia e të cilave jo vetëm që do të ofronte një panoramë të hyrje-daljeve, por do të mund të siguronte edhe një orientim të duhur ndaj politikave që duhet të ndërmarrim, ndaj target-grupeve ku duhet të përqendrojmë promovimin, ku duhet të tregohemi më agresivë, etj.”, tha ministrja. Referuar statistikave të INSTAT, ministrja tha se për periudhën janar–prill 2014 numri i vizitorëve u rrit me 27%, ndërsa la të kuptohet se edhe gjatë gjashtëmujorit tendenca ka qenë pozitive, falë ardhjeve kryesisht nga rajoni. Gjermeni tha se ka një rritje të çarterëve që sjellin turistë suedezë (numri i tyre është rritur me 1,000), sllovakë, polakë, austriakë etj. Vendet aziatike duket se kanë potencialin më të madh, duke qenë se kinezët, japonezët janë edhe turistët që shpenzojë më shumë. Ministrja tha se është nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Kinën, jo vetëm për të sjellë turistë, por edhe për përmirësuar infrastrukturën turistike. Panairi i Turizmit që do të zhvillohet në Kinë në periudhën shtator-tetor do të shërbejë si një mundësi më e madhe për operatorët turistikë që të realizojnë marrëveshje konkrete. “Në promovim nuk kemi qenë agresivë, ndaj ka ardhur koha që të përmirësojmë edhe këtë aspekt me ato tregje që ofrojnë sinjale për më shumë potencialë”. Sipas ministres në kuadër të “Branding Albania”, në bashkëpunim me kompaninë fituese “StrawberryFrog” do të realizohet deri në fund të vitit një strategji marketingu, e cila do të jetë agresive. Nëpërmjet saj, do të mund të promovohen elementet më unike që ka Shqipëria, ato me të cilët do të mund të tërhiqen turistët dhe të krijohet imazhi i ri turistik. Për këtë do të punohet edhe me paketa rajonale për të promovuar rajonin, ku Shqipëria do të jetë pjesë e rëndësishme.
Një tjetër çështje e rëndësishme, e artikuluar shpesh dhe rëndom edhe nga sipërmarrja turistike është edhe aspekti fiskal. “Jemi duke punuar me një grup studiuesish nga Universiteti i Harvardit për të hartuar një paketë fiskale, ku do të orientohen problemet dhe do të shikohet mundësia për të ndërhyrë me VKM apo me forma të tjera. Jemi në proces dhe ende nuk mund të bëjmë me dije detaje. Është diskutuar shumë edhe me operatorët turistikë çështja e reduktimit të TVSH-së, duke qenë se ne kemi nivelin më të lartë me rreth 20%, por nga FMN nuk u pranua ideja e reduktimit të taksave. Personalisht mendoj se reduktimi i kësaj takse nuk do të ishte një zgjidhje përfundimtare në kushtet e Shqipërisë, e cila vuan nga një nivel shumë i lartë i informalitetit”, – tha ministrja Gjermeni. Sipas saj, edhe pse modeli i Maqedonisë (përfshi këtu edhe zbatimin e politikave subvencionuese) është i mirë, ai nuk mund të zbatohet në rastin e Shqipërisë, por problematikat janë krejt të ndryshme. Për ministren e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Shqipëria ka nevojë të krijojë një model të saj zhvillimi të qëndrueshëm dhe të “luftojë” sezonalitetin, për të pasur turizëm 365 ditë të vitit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.