Përshkallëzimi i luftës po shndërrohet në rrezik për investitorët, konsumatorët dhe interesat amerikane
Si pasojë e dështimit të bisedimeve midis Amerikës dhe Kinës më 10 maj, një numër i madh firmash dhe investitorësh u përfshinë në një betejë mes këtyre dy superfuqive, por jo në një krizë të papritur apo në një panik financiar. Ndërkohë që konflikti mbi industrinë e teknologjisë po përshkallëzohet, supozimi se investitorët apo firmat nuk janë të frikësuara nga mundësia e fillimit të një krize financiare, duket i dyshimtë.
Më 15 maj, Departamenti Amerikan i Tregtisë tha se kompanitë amerikane do të kishin nevojë për një licencë të veçantë për të bashkëpunuar me Huawei, gjigantin hardware të Kinës. Në fillim, masa u konsiderua se do të dëmtonte edhe vetë interesat e kompanive amerikane (më vonë u tha se urdhri do të hynte në fuqi pas 90 ditësh). Frika se edhe firma të tjera kineze të teknologjisë do të bëhen pjesë e listës së zezë amerikane, ka bërë që aksionet e tyre të bien.
Disa këshilltarë të Shtëpisë së Bardhë besojnë se izolimi i industrisë së teknologjisë do të ngadalësojë zhvillimin afatgjatë të Kinës dhe se izolimi është një taktikë e mirë negociuese, duke qenë se Kina ka më shumë për të humbur në një periudhë afatshkurtër në krahasim me Amerikën. Në fakt, pasojat e ashpra të një lufte të teknologjisë së lartë do të ndiheshin shpejt jo vetëm në tregjet financiare, por edhe tek aleatët e Amerikës dhe te konsumatorët në të gjithë botën. Në plan afatgjatë, kjo mund ta bënte Kinën të pavarur.
Konflikti mbi industrinë e teknologjisë filloi në prill të vitit 2018, kur Amerika vendosi në listën e zezë, kompaninë ZTE, një firmë kineze hardware, pasi shkeli sanksionet mbi Iranin dhe Korenë e Veriut dhe gënjeu në lidhje me këtë fakt. Në pamundësi për të blerë gjysmëpërçuesit dhe pajisje të tjera amerikane, apo për të bashkëpunuar me bankat perëndimore, ZTE shkoi në prag të falimentit (më pas Presidenti Donald Trump e ndryshoi vendimin).
Ndalimi i kompanisë Huawei për të bashkëpunuar me kompanitë amerikane, erdhi menjëherë pas një fushate, e cila kishte si objektiv që të ndalonte aleatët e Amerikës nga përdorimi i teknologjisë 5G. Ndalime të tjera pritet të ndodhin shumë shpejt. Sipas New York Times, në listën e zezë, do të përfshihet edhe kompania Hikvision, lider në botë për ofrimin e produkteve të sigurisë inovative. Furnizues të ndryshëm, por edhe një numër i madh klientësh i kanë braktisur këto firma, duke kërkuar për të njëjtat shërbime te kompani të tjera.
Google dhe ARM, një firmë britanike që merret me prodhimin e çipeve, janë shprehur se do të kufizojnë furnizimet e tyre për Huawei. Kompanitë e telekomunikacioneve në Britani dhe Japoni kanë thënë se do të ndalojnë shitjen e disa telefonave Huawei. Kjo përballje është një kujtesë për fuqinë e madhe të Amerikës. Duke i ndaluar firmat e huaja nga përdorimi i pronësisë intelektuale dhe sistemit financiar, Amerika mund t’i çojë ato drejt rrugës së sigurt të dështimit.
Shtëpia e Bardhë ka të drejtë kur thotë se fatura e luftës së teknologjisë do të jetë në fillim asimetrike për të dyja palët. Firmat amerikane, do të humbasin ndoshta 10 miliardë dollarë në vit për të licencuar të ardhurat për çipe dhe komponentë të tjerë. Por një pjesë e madhe e industrisë së prodhimit të pajisjeve hardware në Kinë varet nga pajisjet amerikane, të cilat nuk mund të gjenden lehtësisht në vende të tjera apo të prodhohen në Kinë. Huawei ka punësuar edhe një numër të madh personash dhe përshkallëzimi i mëtejshëm i luftës tregtare që ka nisur një vit më parë, do të shkaktonte mbylljen e shumë vendeve të punës. Teknologjia nuk është si industritë e tjera, si ajo e çelikut apo e sojës.
Zinxhiri i furnizimit është kaq kompleks sa që ai i ngjan më shumë sistemit të ndërlidhur financiar botëror para krizës së 2007-‘08. Firmat e teknologjisë hardware në mbarë botën, të cilat kryesisht varen nga prodhimi në Kinë, kanë një vlerë totale të tregut prej 5 trilionë dollarësh amerikanë. Apple, e cila gjeneron një të pestën e fitimeve të saj në Kinë, mund të përballet me një ndalim të produkteve të saj në tregun kinez. Edhe pse bilanci i saj mund t’i mbijetonte kësaj goditjeje, aksionet e saj padyshim që do të pësonin rënie. Qindra furnizues të vegjël do të dështonin gjithashtu.
Vala e goditjes do të prekte edhe aleatët e Amerikës në Azi, ata kanë fabrika që furnizojnë qendrat prodhuese të teknologjisë së Kinës. Në tetor të 2017, për shembull, pajisjet për smartphone përbënin mbi 16% të eksporteve në Malajzi dhe Singapor dhe mbi 33% në Tajvan.
Dy gjigantë teknologjikë nga Tajvani, TSMC (e cila prodhon çipe) dhe Foxconn (që bashkon pjesë të smartphone-ve), do të vuajnë gjithashtu pasojat e kësaj lufte tregtare, sepse ata kanë konsumatorë si në Amerikë ashtu edhe në Kinë.
Konsumatorët do të jenë ata që do të vuajnë gjithashtu pasojat e kësaj situate. Deri më tani, kostoja e luftës tregtare nuk ka qenë e artë, sepse tarifat paguhen nga prodhuesit që absorbojnë koston e tyre ose e kalojnë atë në mënyrë të fshehtë tek konsumatorët. Tani, kjo kosto mund të dalë në pah. Blerësit e Huawei shumë shpejt mund të përballen me faktin se telefonat e tyre nuk punojnë më ashtu si më parë. Dhe imagjinoni se çfarë kaosi do të krijohej sikur edhe amerikanëve papritmas t’u ndalohej blerja e iPhone-ve të prodhuar nga kinezët. Kostoja e kësaj lufte do të thotë që secila prej palëve të përfshira do të përballet me pasoja të caktuara.