Gratë kanë marrë një të tretën e kredisë

14/08/2019 11:00 PM 0 komente

Në mentalitetin e familjeve shqiptare është burri ai “që i del për zot” halleve të shtëpisë dhe ai që siguron më shumë të ardhura. Ndonëse ky realitet është shumë më ndryshe në ditët e sotme, sërish burrat janë ata që marrin më shumë përgjegjësi mbi vete, siç mund të jetë edhe rasti i marrjes së një kredie.

Burrat përgjigjen për 69% të vlerës së kredive të dhëna nga bankat e nivelit të dytë në 2018-n, ndërsa gratë vetëm për 31% të tyre, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT mbi barazinë gjinore.

Nga të dhënat e INSTAT, vlera e kredive e marrë nga burrat ishte 322 miliardë lekë, ndërsa nga gratë 147 miliardë lekë. Për të dyja gjinitë në raport me një vit më parë, kreditë shënuan rritje.

Megjithatë duhet nënvizuar se në raport me vitin 2013, viti më i hershëm që INSTAT raporton të dhënat, gratë kanë rritur peshën e tyre në kreditë e marra. Në 2013-n, kredia e marrë nga gratë ishte sa një e katërta e kredisë së dhënë për të dyja gjinitë.

 

Më pak hua, por me vlerë më të madhe

Në krahasim me një vit më parë, numri i kredive ka qenë më i ulët për të dyja gjinitë, por vlera e tyre ka qenë më e lartë. Sipas të dhënave të INSTAT, numri i kredive të marra nga burrat në vitin 2018-n ishte 527 mijë, rreth 29% më pak se një vit më parë. Këto kredi janë marrë nga 278 mijë burra nga 399 mijë në 2017-n. Por edhe pse numri i kredive dhe i kredimarrësve burra ka qenë më i ulët, në vlerë kredia ka shënuar rritje me 2.2 herë.

Po ashtu ka ndodhur dhe te gratë. Te kredimarrësit gra, numri i kredive të lëshuara gjatë 2018-s ishte 378 mijë, dhe janë marrë nga 193 mijë gra, apo 18% më pak. Ndërsa në vlerë është rritur me 2.3 herë.

Kjo reflekton se në 2018-n janë dhënë kredi te më pak persona, por me vlerë më të madhe.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of