Krahasuar me gratë në vendet e rajonit, gratë shqiptare kanë shënuar indeks më të ulët të dijeve. Sipas publikimit të indeksit të barazisë gjinore të INSTAT, në fushën e dijeve, Shqipëria shënon një indeks prej 55,6. Krahasuar me Shtetet Anëtare të BE-së dhe me vende kandidate, si Serbia dhe Maqedonia, Shqipëria renditet e 24-a nga 31 vende që janë marrë në studim.
Sipas raportit të INSTAT mbi indeksin e barazisë gjinore, rezultati i indeksit në fushën e dijeve është 7.9 pikë më i ulët në Shqipëri se sa mesatarja e 28 vendeve anëtare të BE-së. Diferenca në nënfushën e arritjeve dhe pjesëmarrjes në arsim është 17.5 pikë, kurse në nënfushën e ndarjes gjinore në arsim, Shqipëria shënon një tregues më të lartë prej 0.6 pikësh, thuhet në raport.
Në 28 vendet e BE-së, janë 25.6 për qind e personave me arsim të lartë mes grave dhe 24.7 për qind mes burrave.
Përqindja e grave dhe burrave që marrin pjesë në të mësuarin afatgjatë është më e lartë (17.2 për qind për gratë dhe 16.3 për qind për burrat).
Ndarja gjinore përbën ende një problem madhor në BE-28, ku 43.1 për qind e studenteve femra përqendrohen në fushat e arsimit, shëndetit dhe mirëqenies, shkencave humane dhe arteve, ndërkohë që janë vetëm 21.4 për qind e studentëve meshkuj që studiojnë në të njëjtat fusha.
Fusha e dijeve mat pabarazitë gjinore në arritjet dhe pjesëmarrjen në arsim, si dhe në ndarjen mes dy gjinive. Nënfusha e arritjeve dhe pjesëmarrjeve në arsim tregon statusin e suksesit të grave dhe burrave në arritjen e arsimit të lartë dhe angazhimin e tyre në format formale dhe joformale të arsimit.
Situata matet përmes dy treguesve: përqindjes së grave dhe burrave që kanë marrë një diplomë të shkollës së lartë dhe pjesëmarrjes së grave dhe burrave në arsimin dhe formimin formal dhe joformal gjatë gjithë jetës. Nënfusha e dytë synon ndarjen gjinore në arsimin e lartë, e cila matet me përqindjen e grave dhe burrave mes atyre që studiojnë në fushat e arsimit, shëndetit dhe mirëqenies, shkencave humane dhe arteve.
Përqindja e personave me arsim të lartë është më e lartë mes grave se sa burrave (18.2 përqind përkundrejt 14.5 për qind). Pjesëmarrja në arsimin formal ose joformal, që tregon të mësuarin gjatë gjithë jetës është pothuajse e njëjtë mes grave dhe burrave (përkatësisht 10.8 dhe 10.2 për qind). Megjithatë, ndarja sipas fushave të arsimit është ende e dukshme. Mes grave që janë studente të arsimit të lartë, 44.3 për qind studiojnë në fushat e arsimit, shëndetit dhe mirëqenies, shkencave humane dhe arteve, ndërsa në të njëjtën kohë, janë 21.4 për qind e burrave që studiojnë në arsimin e lartë në të njëjtat fusha.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.