Në Ditën Ndërkombëtare të Bankave, Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka vlerësuar lartë kontributin e sektorit bankar në mbështetje të zhvillimit ekonomik, sjelljes së inovacionit dhe modernizimit të vazhdueshëm të shërbimeve.
“Përgjatë viteve, sektori bankar i Republikës së Kosovës është zhvilluar me një ritëm të shpejtë, në hap me standardet bashkëkohore të bankingut duke avancuar në mënyrë të vazhdueshme shërbimet financiare për ekonominë e vendit, duke ruajtur qëndrueshmërinë financiare si dhe besimin e lartë të publikut”.
Ai ka thënë se roli i bankave është dëshmuar edhe gjatë këtij viti.
“Roli shumë i rëndësishëm i sektorit bankar për ekonominë e vendit u dëshmua edhe gjatë këtij viti sfidues për shkak të pandemisë, ku sektori bankar pati një rol kyç në lehtësimin e efekteve negative për ekonominë e vendit duke u ofruar lehtësira kredimarrësve në pagesën e kredive si dhe duke siguruar vazhdimësinë e rrjedhës së kredisë drejt ekonomisë së vendit”.
Më 19 Dhjetor 2019, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën 74/245, e cila përcaktoi 4 dhjetorin si Ditë Ndërkombëtare të Bankave përmes të cilës njihet potenciali i rëndësishëm i bankave në zhvillimit në financimin e zhvillimit të qëndrueshëm dhe sigurimin e ‘know-how’ dhe gjithashtu në njohjen e rolit jetësor të sistemeve bankare në Shtetet Anëtare për të kontribuar në përmirësimin e standardit të jetesës.
Në Kosovë sot operojnë 10 (dhjetë) banka komerciale dhe përbëjnë 65 për qind të aseteve totale të sektorit financiar. Produktet dhe shërbimet e tyre përfshijnë llogaritë bankare, kreditë, pagesa vendore dhe ndërkombëtare, kartela bankare, garancione bankare, letër kredi, e-banking. Qasja në shërbimet e këtyre bankave mundësohet përmes aktualisht 217 degëve dhe nëndegëve, 497 ATM-ve dhe 13,769 ​POS dhe 303,602 llogarive e-banking.
Aktiviteti i tyre dominohet nga kreditë, afati i maturimit të të cilave mund të jetë deri në 15 vjet, varësisht nga lloji i kredisë. Nga totali i kredive i cili është 3,031.9 milion euro, kreditë për ndërmarrjet janë 63.3% ndërsa kreditë për individë/familjare 36.5 %. Pjesa më e madhe e këtyre kredive absorbohet nga ndërmarrjet e sektorit të tregtisë (44.3 për qind e kredive të ndërmarrjeve), përderisa sektori i industrisë (përfshirë minierat, prodhimtarinë, energjinë dhe ndërtimtarinë) ka 25.8% të gjithsej kredive të ndërmarrjeve. Sektori i bujqësisë aktualisht përbën 3.7% të gjithsej kredive për ndërmarrje.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.