Me kalimin e muajve pas tërmeteve të shtatorit dhe nëntorit duket se është zbehur frika e shqiptarëve për të siguruar pronën. Janari i këtij viti është mbyllur me një rënie të primeve të shkruara buro në raport me janarin e vitit 2019.
Të dhënat zyrtare të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se në vlerë, primet e shkruara bruto për klasën e sigurimit nga zjarri, dhe forcat e natyrës u tkurrën me 1.45%, duke kapur nivelin 114.8 milionë lekë nga 116 milionë që ishin janarin e 2019-s. Si pjesë e totalit, ky prim zë në portofolin e sigurimeve 8.89%, ndërsa një vit më parë, zinte 10.04%. Por AMF raportoi se sa i takon kontratave, numri ka qenë më i lartë. Kjo do të thotë që vlera e pronave të siguruara është më e ulët se ajo e një viti më parë, por numri i tyre më i lartë.
“Vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë, me rreth 62.76%, ndjekur nga sigurimi i përgjegjësi të përgjithshme civile me 27.75% të totalit.
Në portofolin sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës, gjatë janarit 2020, vihet re një ulje prej 1.45% e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 22.40% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me janarin 2019” thuhet në njoftimin e AMF.
Një zbehje të interesit për sigurimin e pronës raportojnë edhe operatorët e tregut, të cilët shprehen se interesi ishte vetëm pak ditë pas ngjarjeve të tërmeteve të 21 shtatorit dhe 26 nëntorit për t’ia lënë më pas vendin indiferencës. Aktualisht, qeveria ka në sirtarët e saj një draft që synon të ngrejë një mekanizëm pagese sigurimi të detyrueshëm për pronën nga tërmetet, por ende nuk është diskutuar gjerësisht.
E teksa ka rënie të vlerës së pronës së siguruar, ka ndodhur e kundërta me kompanitë që këtë herë kanë zhvendosur pagesat nga dëmet motorrike ku ka mbizotëruar tendenca historikisht, tek dëmet për sigurimin e pronës nga zjarri dhe forcat e natyrës.
Nga totali prej 752 milionë lekësh të paguara vetëm në janar për sigurimin e pronës, janë paguar 57.8% e kësaj vlere çka korrespondon me 406 milionë lekë. Një vit më parë, për këtë kategori dëmesh u paguan 14 milionë lekë, sipas të dhënave zyrtare të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Duke qenë se fokusi ka qenë te pagesat e dëmeve të pronës, ajo që vihet re është rënia e pagesave tek grupi i dëmeve motorike. Për përgjegjësi motorike ndaj palëve të treta është paguar vlera 141 milionë lekë apo rreth 25% e totalit të gjithë vlerës së dëmeve të paguara në muajin e parë të vitit. Kjo shifër është me një rënie 34.27% në raport me janarin e vitit 2019.
Rënia ka qenë evidente në pagesën e dëmeve në raport me janarin 2019 në të tria kategoritë që përfshin përgjegjësia motorike ndaj palëve të treta nga MTPL-ja tek kartoni jeshil e deri tek kufitare.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.