Flamuri me pesë rrathët olimpikë prej ditësh po valëvitet në çatinë e godinës me numrin 10 të Downing Street, ku e ka selinë Kryeministri David Cameron. Është preludi i një Londre të ndriçuar, që kulmoi ditën e premte, më datë 27, në stadiumin olimpik britanik, kur mbretëresha Elisabeta II, zyrtarisht hapi siparin e këtyre lojërave përpara 4 miliardë spektatorëve në të gjithë botën.
Ceremonia nisi në orën 21:00, nën emrin “Ishulli i mrekullive” dhe në drejtimin e drejtorit artistik Danny Boyle (regjisori i filmave “Trainspotting” e “Slumdog Millionaire”), me hyrjen e të gjitha kombeve pjesëmarrëse të udhëhequra nga flamurtarët e tyre. Skuadrat u prezantuan sipas rendit alfabetik të gjuhës së vendit mikpritës, përjashtim bëri Greqia, e cila hyri e para pasi është atdheu i lojërave antike olimpike dhe Britania e Madhe, e cila hyri e fundit, si vendi mikpritës. Vetëm raundi i parë i kremtimeve i ka kushtuar qeverisë “Cameron” 27 milionë sterlina.
Siguria, në nivel të lartë
Për anglezët, është krejt e kundërta, pasi çdo gjë do të shikohet në planin ekonomik dhe tregtar, te turizmi, por edhe te siguria, e cila duket se është rritur ndjeshëm pas deklaratave të Komitetit Olimpik të Londrës, se janë hasur vështirësi në menaxhimin e turmave. Në lojë ka hyrë edhe ushtria, u shtuar edhe me 3,500 ushtarë, duke e çuar numrin e atyre që janë të angazhuar në mbarëvajtjen e këtij eventi në 16,500.
Forcat ushtarake të angazhuara për të mbikëqyrur 34 hapësirat ku do të zhvillohen Lojërat Olimpike janë sa dyfishi i atyre që ndodhen në Afganistan. Nëse gjatë dimrit u parashikua se numri i forcave në ruajtje, përfshirë ushtrinë dhe policinë do të ishte rreth 10,000, ndërsa buxheti ishte i barabartë me 282 milionë sterlina (350 milionë euro), sot shifrat flasin për 23,700 forca sigurie që do të kenë në dispozicion një buxhet me vlerë 553 milionë sterlina (700 milionë euro) për të siguruar zhvillimin në qetësi të garave. Nga ana tjetër, rreziku i terrorizmit vazhdon të jetë i lartë, veçanërisht sa i takon delegacionit izraelit.
Për këtë arsye janë instaluar shumë “sy”, veçanërisht në aeroporte, siç është edhe sistemi IRIS, që fotografon pasagjerët dhe kontrollon informacionet në pasaportën e mbajtësit. Edhe në qiellin londinez do të vigjilojnë telekamerat ushtarake. Një armë e fuqishme zanore do të jetë një altoparlant që do të ketë fuqi 150 decibel.
Policia londineze e Scotland Yard ka paralajmëruar se duhet të bëhet kujdes me qarkullimin në rrugë, për të shmangur vjedhjet e mundshme nga banda profesionale me origjinë nga Rumania, Lituania dhe Afrika e Jugut. Prestigjiozja “Daily Mail” ka bërë të ditur për një rritje të ndjeshme të grabitjeve në rrugët e qytetit, ku janë rreth 1,700 persona që bien pre.
Një “minierë” ari
E ndërsa çështja e sigurisë vlerësohet si një “kapitull” i mbyllur, pasi janë marrë të gjitha masat, anglezët mund të marrin frymë lirisht për sa i përket aspektit tregtar.
Sipas vlerësimeve të bëra nga kompania “TravelClick”, çmimi i një prenotimi në hotel, në Londër, gjatë Lojërave Olimpike, do të kushtojë sa dyfishi i çmimit në vitin 2011. Çmimi mesatar i një dhome në kryeqytet llogaritet në 193,30 sterlina dhe tendenca është në rritje.
Agjencia “Bloomberg”, nga ana tjetër, ka bërë të ditur se falë zhvillimit të Lojërave Olimpike, papunësia do të ulet në kufijtë minimalë të nëntë muajve të fundit. Gjatë tremujorit të parë, rënia u llogarit në 8.1%, sipas standardeve Ilo, krahasuar me tremujorin e mëparshëm dhe me 8.3% në krahasim me periudhën shkurt-prill. Sipas agjencisë, numri i të papunëve ra me 65,000 duke arritur në 2.58 milionë.
Kuriozitete
Një nga kuriozitetet e këtyre Lojërave është supermakina antidoping e kompanisë “GlaxoSmithKline”, e krijuar për të zbuluar çdo “mashtrim” sportiv. Bëhet fjalë për një laborator të stërmadh që ngrihet në një sipërfaqe 4,400 metra katrorë, ku punojnë 150 shkencëtarë, të cilët vijnë nga të gjitha anët e botës dhe që do të realizojnë 6,250 teste për të paktën 400 kampionë.
Medaljet vlejnë ar dhe nuk e kemi fjalën vetëm për atë të arit, por edhe për të argjendit dhe bronzit dhe këtë, më shumë se kushdo tjetër, e dinë autoritetet mongole në Utah. Rreth 8 tonë ar, argjend dhe bronz janë përdorur për medaljet olimpike që do t’u jepen fituesve.
Janë më të rëndat në historinë e Lojërave Olimpike, edhe pse në të vërtetë medaljet peshojnë 410 gramë dhe përmbajnë rreth 6 gramë ar, ndërsa pjesa tjetër është argjend.
Organizmi
Londra është i pari qytet në botë që për të tretën herë mirëpret Lojërat Olimpike të verës. Edicioni i parë londinez ishte ai i vitit 1908, më pas në vitin 1948.
Vendi
Ceremonia u hap nga Mbretëresha Elisabeta II në stadiumin olimpik në Stratford.
A dalin llogaritë (?)
Përllogaritja e ndikimit ekonomik të Lojërave Olimpike që po zhvillohen në Londër është një sipërmarrje “herkuliane” me domethënie të ndryshme për kategori të ndryshme. Ajo që është më e rëndësishme ka të bëjë me analizën e shpenzimeve dhe përfitimeve, që më së shumti përkthehen në infrastrukturë. Po, a përputhen llogaritë?
Londra 2012 do t’i kushtojë kontribuuesve britanikë rreth 11 miliardë sterlina, rreth 2 miliardë sterlina më shumë se parashikimi i realizuar nga qeveria. Komiteti i Llogarive Publike, që përllogarit shpenzimet shtetërore, ka bërë të ditur se shuma prej 766 milionë sterlinash, që u shpenzua për blerjen e terrenit ku është ndërtuar Parku Olimpik në Stratford dhe 826 milionë sterlinat që do të shpenzohen në atë zonë, pasi të kenë përfunduar lojërat, duhet të hiqen nga bilanci i përgjithshëm.
Shpenzimi në total prej 10.9 miliardë sterlinash është shumë herë më i lartë se parashikimi që qeveria bëri në vitin 2005 për rreth 2.3 miliardë sterlina. Gjithçka për “faj” të shpenzimeve për sigurinë e stadiumeve, që është më shumë se dyfishuar. Në vitin 2007, qeveria e rishikoi edhe një herë vlerën e buxhetit olimpik, duke e çuar në 9.3 miliardë sterlina.
Kostoja e biletave, transporti, siguria dhe spektatorët dhe ndikimi në ekonomi. Ky është rebusi që do të tentohet të zgjidhet në Lojërat Olimpike 2012.
Nëse kronometri do të tregojë kohën e saktë të garave që do të zhvillohen mes Bolt e Blake ose Phelps e Lochte, kjo nuk mund të ndodhë për sa i përket vlerësimit të ndikimit real në ekonominë britanike. Panorama ekonomike është vështirë të qartësohet për shkak të krizës financiare ndërkombëtare.
Por, për të kuptuar më mirë se çfarë po ndodh, le t’i besojmë “hijeve” të Big Ben.
Koha
Bëni kujdes nga raportet tepër entuziaste që prej kohësh hipotetizojnë se nga Lojërat Olimpike do të grumbulloheshin të ardhura rekord, që do të vinin nga rritja e numrit të turizmit me dy shifra. Në kushtet e sotme të ekonomisë do të duhen të paktën pesë vjet për të matur ndikimin real që do të reflektohet në ekonominë britanike.
Fjala kyçe e “Londra 2012” është “trashëgimia”. Është pikërisht kjo shija që dëshirohet të transmetohet dhe që u vu re edhe gjatë arritjes së Flakës Olimpike.
Kalendari
Një tjetër pikëpamje lind nga kalendari i ngjarjeve të tjera historike sportive. Në vitin 2014, Brazili do të mikpres Kampionatin Botëror të Futbollit, ndërsa Lojërat Olimpike Dimërore do të mbahen në Sochi të Rusisë. Në vitin 2016, Lojërat Olimpike do të zhvillohen në Rio de Janeiro. Në vitin 2018, Botërori i Futbollit do të realizohet në Rusi dhe në vitin 2022 në Katar. Ndërsa për vitin 2020, gara po zhvillohet mes Madridit, Tokios dhe Stambollit dhe kjo do të vendoset në shtator të vitit 2013 në Buenos Aires. Pyetja që shtrohet është: A do të jetë në gjendje që Europa Perëndimore, djepi i sportit modern, të presë këto ngjarje në të ardhmen?
Turizmi
Është një nga zërat më kontradiktorë në “dosjen” londineze, për shkak se çmimet e hoteleve po prekin yjet dhe frika e një qyteti tejet të populluar po rritet. Janë këto dy arsyet që po stepin disi turistët “jo olimpikë”. Në fillim të vitit “Wall Street Journal” parashikoi që në vitin 2012, Londra do të presë të njëjtën shifër turistësh si në vitin 2011, rreth 30 milionë, ndërsa të ardhurat u parashikuan në rreth 22 milionë euro.
“Locog”, Komiteti Olimpik i Londrës, ridimensionoi disi shifrat. Në vitin 2008 ishin prenotuar rreth 40,000 dhoma hoteli, në janar 2012 rreth 10,000 u anuluan.
Një tregues i cili nxjerr në pah faktin se jo gjithmonë mund të parashikohet biznesi olimpik.
Shqipëria në Lojëra
Në Londër 2012 Shqipëria merr pjesë me delegacionin më të madh sportiv të parë ndonjëherë: 12 sportistë, 8 prej tyre me normë të kualifikuar dhe 4 me ftesa të veçanta. “Nuk heqim dorë nga ëndrra”, kjo është motoja që do të shoqërojë delegacionin shqiptar të sportistëve në këto lojëra. Disiplinat ku ata do të garojnë janë: peshëngritje, not, atletikë, xhudo, qitje dhe hedhje gjyleje. Vendi ynë numëron gjashtë pjesëmarrje në Lojërat Olimpike, përkatësisht në vitin 1972 (1 sportist), “Barcelona 1992” (1 sportist), “Atlanta 1996” (2 sportistë), “Sydney 2000” (4 sportistë), “Athinë 2004” (7 sportistë) dhe në “Pekin 2008” (11 sportistë).
Londër 2012, në shifra
-450,000 është numri i vizitorëve që do të qëndrojnë në Londër gjatë zhvillimit të Lojërave Olimpike. Më shumë se 5 milionë njerëz parashikohet që të ndërmarrin udhëtime njëditore në kryeqytet
-4 milionë shikues do të arrijë audienca gjatë ceremonisë së hapjes dhe mbylljes
-6,250 është numri i testeve të drogës që do të realizohen.
-7.7 milionë është numri i biletave të prodhuara
-20-725 sterlina kushtojnë biletat
-700 është numri i dhomave dhe hapësirave në dispozicion për sportistët pa përfshirë stadiumet.
-2,800 është numri i shtëpive të reja të ndërtuara në Fshatin Olimpik.
-17,600 shtretër dhe dyshekë do të përdoren nga sportistët në Fshatin olimpik.
-80 është numri i stacioneve nëntokësorë për qarkullimin e pasagjerëve. 800,000 njerëz do të përdorin transportin publik në një ditë të ngarkuar.
-21,000 persona llogaritet “ushtria” mediatike që do të raportojnë nga Londra.
-2.5 kilometra është sipërfaqja e Parkut Olimpik, ndërsa kopshti Olimpik ka një hapësirë prej 45 hektarësh.