Rrethinat e padisiplinuara të Kinës e kundërshtojnë dorën e rëndë të Partisë Komuniste
Partia nuk mund të fitojë pëlqimin e qëndrueshëm ndaj sundimit të saj vetëm nëpërmjet forcës
Disa ditë më parë, qindra të rinj, midis tyre edhe shumë adoleshentë, e kthyen kampusin me tulla të kuqe të Universitetit Politeknik të Hong-Kongut në një fortesë ku ndalohej hyrja e forcave policore, shkruan The Economist. Shumica e tyre, të veshur me të zeza, madje edhe fytyrat i kishin mbuluar me maska të zeza, mbetën të rrethuar nga forcat policore, të cilët filluan të qëllojnë me plumba gome dhe me ujë me ngjyrë blu. Mbrojtësit e kampusit gjuanin ndaj forcave policore me shishe qelqi, të cilat i kishin shndërruar në bomba molotov. Ata brohorisnin kur ndonjëra prej tyre arrinte të qëllonte ndonjë prej policëve që kishin rrethuar kampusin. Pas më shumë se pesë muaj trazirash antiqeveritare në Hong-Kong, sulmet po bëhen më agresive. Por, këtë herë, shumë protestues të rraskapitur iu dorëzuan forcave policore, ku më të rinjtë u morën menjëherë në mbrojtje.
Fatmirësisht, deri më tani, gjakderdhja masive është shmangur. Por Hong-Kongu vazhdon të jetë në rrezik, sepse kishte edhe nga ata protestues që refuzuan të largoheshin nga kampusi, ndërkohë që protestat vazhduan edhe në pjesë të tjera të qytetit.
Pavarësisht dhunës, vandalizmit dhe sulmeve me molotov, këto protesta kanë një mbështetje të madhe publike. Zgjedhjet e 24 nëntorit tashmë kanë marrë një domethënie të re, si një provë e vullnetit popullor dhe një mundësi për t’i dhënë një shkundje të fortë kandidatëve të establishmentit. Lëshimi i vetëm i qeverisë, tërheqja e projektligjit që do të lejonte që të dyshuarit të dërgoheshin në territorin e Kinës për t’u gjykuar, pati një ndikim të vogël në rikthimin e qetësisë në vend.
Protestuesit shprehen se ata kërkojnë vetëm vendosjen e demokracisë, në të kundërt protestat do të vazhdojnë. Partia Komuniste në Pekin nuk duket e etur për të dhënë urdhër që trupat e saj policore t’u japin fund trazirave. Sipas disa personave të brendshëm, ky është një problem për të cilin partia nuk dëshiron të jetë përgjegjëse, sepse kostot ekonomike dhe politike të sulmeve ndaj turmave masive në një qendër financiare globale do të ishin të mëdha.
“Dora e rëndë” e liderit të Kinës, Xi Jinping dhe pakënaqësia e publikut ndaj tij, janë shkaku kryesor i këtyre trazirave. Xi Jinping thotë se dëshiron një “përtëritje radikale” të vendit të tij.
Por qasja e tij brutale dhe e pakompromis ndaj kontrollit po ushqen zemërim jo vetëm në Hong-Kong, por në të gjithë zonat periferike të Kinës. Kur guerilët e Mao Ce Dunit morën pushtetin në Kinë në vitin 1949, situata nuk ishte aspak e qetë, përkundrazi dukej si një kaos i vërtetë. Hong-Kongu drejtohej nga britanikët ndërsa Macau që ndodhet aty pranë, nga portugezët. Tajvani ishte nën kontrollin e qeverisë nacionaliste që Mao sapo e kishte përmbysur. Terreni malor i Tibetit ishte nën një teokraci budiste që kontrollohej nga Pekini. Trupat komuniste duhej të hynin në një rajon tjetër të madh në perëndimin e largët, Xinjiang, ku grupet etnike myslimane nuk donin të sundoheshin prej tyre.
Shtatëdhjetë vite më pas, lufta e partisë për të krijuar Kinën që dëshironte është ende larg realizimit. Edhe pse thuhet se Tajvani është i pavarur, ai nuk është i njohur zyrtarisht. Në janar, partia e tij qeverisëse, e cila favorizon një ndarje më zyrtare, pritet të arrijë përsëri rezultate të mira në sondazhet presidenciale dhe parlamentare. “Hong-Kongu i sotëm, Tajvani i nesërm” është një prej sloganeve më popullorë të ditëve të sotme. Që kur z. Xi mori pushtetin në vitin 2012, ata e kanë parë atë që të dërgojë aeroplanë luftarakë në drejtim të Tajvanit, për ta frikësuar këtë të fundit, por njëkohësisht duke shkelur disa prej lirive themelore të Hong-Kongut. Pak prej tyre duan që ishulli i tyre i pasur dhe demokratik, të gëlltitet nga diktatura e vendit fqinj, edhe pse ato kanë mijëra vjet që ndajnë një kulturë të përbashkët me njëra-tjetrën.
Tibeti dhe Xinjiangu janë të qetë, por vetëm në dukje. Aty, njerëzve u është bërë një presion i madh në mënyrë që ata të terrorizohen dhe të qëndrojnë në heshtje. Pas shpërthimeve të njëpasnjëshme të trazirave të një dekade më parë, shtypja e dhunshme e tyre është rritur shumë. Në dy vitet e fundit, qeveria rajonale e Xinjiangut ka ndërtuar një rrjet kampesh burgimi dhe ka burgosur rreth 1 milion njerëz, kryesisht igurirë etnikë, shpeshherë për arsyen e thjeshtë se ata ishin myslimanë të devotshëm.
Dokumentet zyrtare kineze, të publikuara së fundmi në “New York Times” kanë konfirmuar tmerret që janë kryer në këto kampe. Slogani i famshëm i ditëve të sotme në Hong-Kong ka edhe një pjesë tjetër “Xinjiangu i sotëm, Hong Kongu i së nesërmes”. Të paktë janë ata që e besojnë një fund kaq të zymtë për ish-koloninë britanike. Por banorët e Hong-Kongut, kanë plotësisht të drejtë kur i referohen me frikë partisë. Edhe nëse z. Xi do të vendosë të mos përdorë trupat ushtarake në Hong-Kong, pikëpamja e tij për të sfiduar autoritetin e partisë është më se e qartë. Ai mendon se ato duhen shtypur.
Së fundmi, Kongresi amerikan miratoi njëzëri një projektligj, duke kërkuar nga qeveria që ajo të zbatojë sanksione ndaj zyrtarëve fajtorë që abuzojnë me të drejtat e njeriut në Hong-Kong. Sidoqoftë, gjasat janë të mëdha që Kina të mbështetet më shumë në qeverinë e Hong-Kongut, për të eksploruar nëse mund të miratojë një ligj të ri të ashpër dhe të kërkojë nga studentët që t’i nënshtrohen “edukimit patriotik” (d.m.th., propagandës së partisë). Partia dëshiron të dijë emrat e atyre që e kundërshtojnë një ligj të tillë, në mënyrë që t’ua vështirësojë atyre jetën në të ardhmen e afërt. Z. Xi thotë se ai dëshiron që Kina të ketë arritur me sukses “përtëritjen e saj radikale” deri në vitin 2049, që përkon edhe me 100-vjetorin e fitores së Mao Ce Dunit. Deri atëherë, sipas z. Xi, ky vend do të jetë “i fortë, demokratik, i zhvilluar nga ana kulturore, harmonik dhe i bukur”.
Më shumë gjasa, nëse kjo parti do të vazhdojë të rrijë në pushtet për një kohë kaq të gjatë, tmerri që nisi Mao Ce Duni do të vazhdojë të mbetet një plagë e hapur dhe e tmerrshme për këtë komb. Jo e gjithë elita komuniste pajtohet me qasjen e egër të z. Xi, e cila supozohet se është arsyeja kryesore e publikimit të dokumenteve zyrtare kineze në gazetën “New York Times”.
Problemet që ekzistojnë në rrethinat e një Perandorie, mund të përhapen shumë shpejt edhe drejt qendrës. India po tregohet e kujdesshme ndaj militarizimit kinez të Tibetit. Fqinjët e Kinës po vëzhgojnë me ankth ndërtimin ushtarak të vendit në ngushticën e Tajvanit. Frika më e madhe është se një sulm i mundshëm ndaj ishullit mund të shkaktojë fillimin e luftës ndërmjet Kinës dhe Amerikës. Kjo parti nuk mund pretendojë të fitojë pëlqimin e qëndrueshëm ndaj sundimit të saj vetëm nëpërmjet përdorimit të dhunës dhe forcës.
Në Hong-Kong, slogani “një shtet, dy sisteme” pritet zyrtarisht do të skadojë në 2047. Në formën aktuale, sistemi i tij ka shumë mundësi të jetë si ai i pjesës tjetër të Kinës shumë kohë më parë. Kjo është arsyeja se përse protestuesit e Hong Kongut janë kaq të dëshpëruar, dhe pse harmonia për të cilën z. Xi flet me pasion vështirë se do të arrihet.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.