Dy janë sektorët që janë kredituar më shumë gjatë muajit maj, “Prodhimi, shpërndarja e energjisë elektrike, e gazit dhe e ujit” si dhe “Tregtia, riparimi i automjeteve dhe i artikujve shtëpiakë”, sipas të dhënave që janë bërë publike sot nga banka e Shqipërisë për kredinë e detajuar sipas sektorëve.
Huaja për “Prodhimin, shpërndarjen e energjisë elektrike, e gazit dhe e ujit” u rrit me 2.7 miliardë lekë në maj 2012, në raport me një muaj më parë, ose rreth 8% me bazë mujore, ndërsa për “Tregtia, riparimi i automjeteve dhe i artikujve shtëpiakë”, u zgjerua me po 2.7 miliardë lekë, ose rreth 2%.
Në total, huaja për biznesin me bazë mujore u rrit me 0.8%, duke përshpejtuar ritmet në raport me prillin, kur stoku i huasë qëndroi në vend. Në raport me dhjetorin e vitit të kaluar, kredia për biznesin është shtuar me 2.7%, me ritme ndjeshëm më të ulëta në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur hua për sektorin privat u zgjerua me 5.2%.
Gjatë pesë muajve të parë të vitit, tregtia është sektori që ka arritur t’i marrë hua bankave, teksa këto të fundit po shtrëngojnë gjithnjë e më shumë standardet e huadhënies. Ndërtimi, industria nxjerrëse dhe transporti rezultojnë më pak të preferuar për bankat.
Rritja e huave me probleme, që në fund të majit qëndroi në 20.6% ka bërë që bankat të stepen nga huadhënia për biznesin. Sidomos tërheqje ka nga ndërtimi, sektor që sipas Bankës së Shqipërisë rezulton me peshën më të lartë të huave me probleme. Vëmendja e institucioneve financiare duket se është përqendruar te tregtia, sector i cili ka një normë kthimi më të shpejtë dhe më lehtësisht të matshme.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.