Hyrjet e vizitorëve në Shqipëri në tremujorin e dytë 2013 janë rritur 11.8 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, bëhet e ditur në Buletin Statistikor për periudhën prill-qershor të INSTAT.
Nga toka hyrjet e të huajve zënë 70.5 për qind të ndjekur nga hyrjet nga ajri dhe deti respektivisht me 23.5 dhe 0.5 për qind.
Daljet e shtetasve shqiptarë në tremujorin e dytë 2013 janë rritur 23.7 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kryesisht ndikuar nga daljet nëpërmjet pikave kufitare tokësore.
Të dhënat e mëparshme, të publikuara nga Banka e Shqipërisë treguan se zëri i shpenzimeve të udhëtimeve në bilancin pagesave, që kryesisht janë paratë që shqiptarët shpenzojnë në udhëtimet e tyre jashtë ishte 465 milionë euro, me një rritje prej rreth 44 milionë euro, apo 10%, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në të kundërt, të ardhurat nga udhëtimet, që janë kryesisht hyrjet nga turistët, arritën në 398 milionë euro në 6 mujorin e parë 2013, duke shënuar një rënie me 33 milionë euro, apo 7.5%.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.