E PERDITESUAR- Amnistia fiskale do të zgjasë 9 muaj. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj gjatë prezantimit të projektligjit deklaroi se kjo amnisti është e e para e këtij lloji, e plotë, duke qenë se të tjerat kanë qenë të pjesshme dhe kanë pasur qëllim vetëm faljen e detyrimeve tatimore.
Ministrja sqaroi se synimi i Amnistisë Fiskale është rritja e kapitalit për shkak të krizës ekonomike.
“Shumë pyesnin pse tani? Një ndër objektivat është rritja e të ardhurave tatimore. Situata në të cilën ndodhemi i ka vendosur ekonomitë në kushte jo normale të funksionimit të tyre”, tha ajo. Një tjëtër arsye është rritja e kapitalit për shkak të krizës ekonomike.
Në Drejtorinë e Tatimeve do të krijohet një zyrë e njësisë fiskale. Kjo njësi do të analizojë të gjitha kërkesat brenda një afati 5 ditor dhe më pas subjektet e kualifikuara do të nisin procedurat me bankat, ku do të paguajnë edhe një normë tatimore.
Ajo shtoi se kufiri i parashikuar është 2 milionë euro. Në zbatim të këtij ligji te tatimet do të krijohet një zyrë e njësisë fiskale. Kjo zyrë do të analizojë të gjitha kërkesat që do të vinë nga subjektet. Në përfundim të afatit 5 ditor administrata do të jap një vërtetim nëpërmjet të cilët subjektet do ti drejtohen për të paguar një normë tatimore. Kjo normë është 7% për katër mujorin parë dhe 10% për të dytin.
Në përfundim administrata tatimore do të japë një certifikatë ku do të jenë legalizuar këto para apo asete.
Bizneset kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj dtaftit të aministisë.
Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri (AmCham) në një deklaratë zyrtare, thotë se vëren shqetësime serioze mbi draft-ligjin për amnistinë fiskale, të propozuar së fundmi nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Sipas saj, amnistia sjell rrezik për pastimin e parave, futjen e të ardhurave të drogës Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri u shpreh se rreziqet e projektligjit të ri tejkalojnë ndjeshëm përfitimet e tij dhe rekomandon tërheqjen e kësaj nisme.
Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA) mendon qe ky ligj duhet të ishte pjesë e një pakete ligjore gjithëpërfshirëse, e cila do të synonte efikasitetin dhe modernizimin e administratës tatimore me qëllim reduktimin e evazionit fiskal. Këto masa jo vetëm do të rritnin të ardhurat në buxhetin e shtetit por njëkohësit do të nxitnin konkurrencën në tregun shqiptar. Aprovimi i këtij ligji të vetëm do të realizonte disa të ardhura të shpejta në buxhetin e shtetit në terma afatshkurtër, por në terma afatgjata do të sillte gjithashtu me vete efekte negative, si nxitja e bizneseve formale për të kaluar në informalitet me shpresën e një amnistie të dytë fiskale.
Por, kryeministri Rama ka sulmuar bizneset, duke i quajtur goditje nën brez. “Unë dua të them disa gjëra, dua t’i kujtoj partnerëve tanë ndërkombëtarë që bota është në luftë, Shqipëria është pjesë e kësaj lufte, dhe ndryshe nga shumë vende të tjera, Shqipëria ka marrë një vendim me një kosto shumë të lartë, një kosto e cila, nëse lufta zgjat, mund të bëhet tërësisht e papërballueshme. Ky vendim është që fatura e energjisë, e cila në tregun kombëtar po i afrohet 500 milionë eurove, nga 50-60 mln që ishte përpara, të mos reflektohet në faturën e energjisë së familjeve dhe biznesit të vogël. Nga dalin këto para, ndërkohë që ne jemi shumë të vetëdijshëm që paketa jonë e mbështetjes nuk ka zgjidhur të gjithë hallin. Dua t’ju kujtoj që ideja e amnistisë është një ide shumë e vjetër në Shqipëri, nuk është e re. Dhe asnjëherë nuk është materializuar si duhet nga një presion i brendshëm dhe i jashtëm, që besoj ka pasur arsye që sot nuk ekzistojnë më. Sot Shqipëria ka një sërë strukturash që mund të garantojnë me efikasitet, implementimin. Dhe ne nuk e kemi menduar sot, por që ditën e parë që kemi ardhur në qeveri, por nuk e kemi propozuar se kemi qenë të vetëdijshëm që ishte një ide të cilës nuk i kishte ardhur koha”, tha kryeministri. “Propozimin e parë e kemi bërë pasi na ra një gjëmë e madhe në kokë siç ishte tërmeti. Qeveritë kur angazhohen në një amnisti, angazhohen në funksion të thithjes së parasë, dhe nxjerrjes nga e zeza në të bardhë. Dhe që t’i vish Shqipërisë dhe t’i thuash që amnistia është diçka e papranueshme, kjo është mungesë respekti. Respekti reciprok është A-ja e punës time në funksion të drejtimit të Republikës së Qeverisë së Shqipërisë. Por ta trajtosh Shqipërinë si vend me bisht, ndërkohë që amnistia bëhet në të gjitha vendet që ne na japin mësime, kjo nuk është asgjë e drejtë, asgjë e duhur”.
Ndërkohë, Ambasadorja e Francës Elizabet Barsacq dhe ai i Gjermanisë, Peter Zingraf u larguan sapo nisi të flasë kryeministri Rama.
Më herët, Komisioni Europian, nëpërmjet një deklarate, ka shprehur rezerva në lidhje me draftin e prezantuar nga qeveria “Për Amnistinë Fiskale”, e cila prej disa ditësh është hedhur në konsultim publik. Sipas KE-së, drafti dobëson kontrollin e Shqipërisë kundër pastrimit të parave; çka shqetëson shtetet anëtare të Bashkimit Europian si dhe partnerët e tjerë. “Komisioni nënvizoi shqetësime serioze për draftin aktual të ligjit për amnisti fiskale. Ai do të dobësonte kontrollet e Shqipërisë kundër pastrimit të parave, ndërkohë që do të bënte pak për të rritur aftësinë e administratës tatimore për të përmirësuar pajtueshmërinë e ardhshme lidhur me kërkesat tatimore.
Amnistia amorale, drafti zemëron bizneset: Po falen paratë e krimit
Amnistia Fiskale, KE shpreh rezerva: Dobëson kontrollet e Shqipërisë kundër pastrimit të parave
DIHA: Amnistia nuk lufton informalitetin, vë në pozita të pabarabarta bizneset e ndershme
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.