Në fillim të vitit 2019 Korporata Elektronenergjetike Shqiptare (KKESH) mori një miratim paraprak nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) për të ngritur në liqenin e hidrocentralit të Vaut të Dejës një impiant fotovoltaik me kapacitet të instaluar 12.9 MWp.
Në atë kohë KESH-it iu la një afat 12 muaj për procedurat e nevojshme. Së fundmi KESH ka paraqitur një tjetër kërkesë në MIE për një tjetër projekt me kapacitet 5.1 MWp.
“Në bazë të Nenit 15 të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 822, datë 7.10.2015 “Për miratimin e rregullave dhe procedurave të ndërtimit të kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë elektrike, që nuk janë objekt koncesioni” i ndryshuar, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njofton si më poshtë:
Shoqëria “KESH” sh.a ka shprehur interesin dhe ka paraqitur pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, aplikimin për ndërtimin e një impianti fotovoltaik 5.143 MWp në digën e Qyrsaqit, HEC Vau i Dejës. Aplikimi i detajuar për publikun e interesuar, të Shoqërisë “KESH” sh.a mund të gjendet pranë ambienteve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë” thuhet në njoftimin shpallur nga MIE lidhur me projektin.
KESH kërkoi financim tek BERZH
Më herët Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) kërkoi një financim 9.75 milionë euro pranë Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim që do të shkojë për ndërtimin e parkut fotovoltaik lundrues mbi liqenin e Vaut të Dejës. Në total projekti ka një kosto të parashikuar prej 13.9 milionë euro por që një pjesë e tij do të përballohet nga fondet e vetë Korporatës. Në faqen e BERZH statusi i kërkesës del ende në vlerësimin e konceptit.
Referuar dokumenteve impianti fotovoltaik lundrues do të ketë një fuqi të instaluar prej 12.9MË ndërkohë që vlerësohet si një mundësi e mirë për të diversifikuar burimet e energjisë në vend por edhe për të optimizuar më mirë prodhimin në kaskadën e Drinit. Aktualisht KESH menaxhon tre hidrocentralet mbi Kaskasën e Drinit që janë burimi kryesor i prodhimit të energjisë në vend edhe pse raporti publik/privat në prodhim ka ardhur duke u ngushtuar viteve të fundit.
Impianti mbi Vaun e Dejës është një prej projekteve paralele që do të zbatohen në vendin tonë teksa më herët ishte Devoll Hydropower pjesë e norvegjezëve të Statkraft që ka deklaruar ndërtimin e një impianti fotovolatik lundrues mbi liqenin e Hidrocentralit të Banjës një proces që ka avancuar./N.Maho
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.