Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ashtu sikurse kishte deklaruar edhe më herët për një projekt të mundshëm në impiantet fotovoltaike ka depozituar pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë aplikimin e saj. Kapaciteti i propozuar për këtë impiant fotovoltaik lundrues mbi HEC-ine Vaut të Dejës është 12.9 MWp. Në një njoftim të saj ministria bëri me dije edhe detajet për këtë aplikim.
“ Në bazë të Nenit 15 të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 822, datë 7.10.2015 “Për miratimin e rregullave dhe procedurave të ndërtimit të kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë elektrike, që nuk janë objekt koncesioni” i ndryshuar, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njofton si më poshtë:
Shoqëria “KESH” Sh.a. ka shprehur interesin dhe ka paraqitur pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, aplikimin për ndërtimin e një impianti lundrues fotovoltaik për prodhimin e energjisë nga burime të rinovueshme, me kapacitet 12.9 MWp, në sipërfaqen e rezervuarit të HEC Vau i Dejës, në zonën Vau i Dejës, Qarku Shkodër, energjia elektrike e prodhuar prej të cilit do të tregtohet në treg të lirë.
Aplikimi i detajuar për publikun e interesuar, i Shoqërisë “KESH” Sh.a., mund të gjendet pranë ambienteve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Adresa: Rruga “Abdi Toptani”, Nr. 1 Tiranë. Afati për dërgimin e objeksioneve ose komenteve në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë është 15 ditë, duke nisur nga data e publikimit të këtij njoftimi në faqen zyrtare: www.infrastruktura.al” thuhet në njoftimin e ministrisë.
Dy javë më parë kjo ministri bëri publik urdhrin që pezullon shqyrtimin e aplikimeve për parqet fotovoltaikë që nuk janë objekt koncesioni duke argumentuar se ka pasur një interes të lartë dhe se duhet të rishihet edhe një herë kuadri ligjor pasi kapacitetet e parashikuara janë tejkaluar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.