Importet e mëdha të energjisë elektrike këtë vit, veç efekteve negative në performancën e kompanive të sektorit, sidomos KESH dhe OSHEE, kanë ndikuar në rritjen e të ardhurave nga TVSH-ja e importit.
Duke komentuar zhvillimet fiskale të këtij viti, Ministria e Financave thotë se importet e energjisë kanë ndikuar pozitivisht tek arkëtimet nga TVSH-ja.
Për periudhën nëntëmujore, kompanitë KESH dhe OSHEE ka harxhuar për importin e energjisë 150 milionë euro. Në momentin e zhdoganimit për këtë sasi është paguar 20% TVSh në doganë ose një shumë prej 4 miliardë lekësh (30 milionë euro). Kjo shumë është sa 4% e të ardhurave nga TVSH-ja.
Pa importet e energjisë, të ardhurat nga TVSH-ja do të rriteshin vetëm 1%, një nivel ky shumë më i ulët se performanca e Tatimeve të tjera si akciza dhe TVSH.
Vitin e kaluar, Shqipëria ishte suficitare në tregtinë e energjisë me jashtë. Si rrallëherë në vitet e tranzicionit, energjia e shitur jashtë vendit ishte më e lartë se ajo e importuar.
Këtë vit, si rrjedhojë e thatësirës së gjatë, prodhimi vendas është kushtëzuar, duke mos plotësuar nevojat për konsum. Importet e energjisë këtë vit pritet të kalojnë 190 milionë eurot, shumë kjo rreth 1.7% e Prodhimit Bruto.
Rritja e arkëtimeve të TVSH-së nga importet e energjisë ka kompensuar disi rënien e këtij tatimi nga importet e karburanteve. Importet e karburanteve gjatë nëntëmujorit kanë rënë me 22%, për shkak të plotësimit të nevojave për konsum nga nafta që përpunohet në vend nga ARMO.
Ministria e Financave parashikon që të ardhurat e buxhetit të shtetit në fund të vitit 2017 të arrijnë 438.4 miliardë lekë. Krahasuar me vitin 2016, parashikohet një rritje prej 7.7%, ose 31.3 miliardë lekë më shumë, duke arritur 28.1% të PBB-së nga 27.6% që ishin në vitin 2016. Rritja në raport me PBB pritet të jetë më 0.6%. Financat analizojnë se kjo rritje po vjen nga impakti i rritjes ekonomike dhe nga përmirësimi në administrimin e taksave.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.