Importet e naftës dhe cigareve u rritën në vitin 2019

06/03/2020 11:00 AM 0 komente

Importet e karburanteve dhe cigareve u rritën përkatësisht me 3,7% dhe 4.2% gjatë vitit 2019. Në vitin 2019, importet e naftës shënuan 520 mijë tonë, duke arritur nivelin më të lartë që nga viti 1990.

Në raport me vitin 2018, importet e gazoilëve u rritën me 18 mijë tonë ose 3.7%. Importet e naftës kanë shënuar luhatje vitet e fundit, duke ndjekur ciklin e prodhimit të ARMO-s. Kur rafineria e vendit vihet në punë, importet e naftës bien, e kundërta ndodh ku ARMO nuk punon.

Në vitin 2019, ARMO ka punuar pothuajse rregullisht deri në shtator. Në vitin 2017, kur ARMO punoi gjatë gjithë vitit me kapacitete të plota, importet e naftës u ulën me 21%. Ministria e Energjetikës ka përllogaritur më parë se kapacitetet e rafinerisë vendase janë për të plotësuar rreth 25% të nevojave të tregut të brendshëm.

Nga viti 2000 deri në 2019, importet e naftës janë rritur më shumë se dyfishi për shkak të rritjes së automjeteve në qarkullim.

Edhe pse rafineria e ARMO-s nuk e ka kartën teknologjike për të prodhuar naftë të parametrave ligjore D1, shifrat mbi importin tregojnë se nafta e përpunuar në vende tregtohet lirshëm në tregun vendas.

Duke nisur nga 1 janari 2010, është ndaluar përdorimi për automjete i naftës D2 në tregun shqiptar, për shkak të përmbajtjes së lartë të squfurit (mbi 1500 mg/kg) me objektivin që më 1 janar 2012 në Shqipëri të mos përdoret gazoil me përmbajtje më shumë se 10 mg/ kg.

Kontrollet e Inspektoratit Qendror të Naftës tregojnë se gjatë viteve të fundit, qindra pika karburanti në të gjithë vendin kanë tregtuar naftë me parametra të palejueshëm, ku normat e squfurit kanë qenë shumë herë më të larta se ato të lejuarat.

Vitin e kaluar, rritje shënoi edhe importi i cigareve. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, në vitin 2019 u importuan gjithsej 2978 tonë cigare me një rritje 4.2 % në raport me vitin 2018. Burime nga tregu pohojnë se, rritja erdhi për shkak të importeve më të larta në muajt e fundit të vitit.

Ministria e Financave vendosi të aktivizojë kalendarin për rritjen e akcizës së cigares për të gjitha kategoritë. Grosistët rritën importet në tre muajt e fundit të vitit për të krijuar rezerva të produkteve me akcizë të ulët, manovër kjo e përdorur gjithmonë kur ka rritje të akcizës.

Gjithsesi importet e cigareve më 2019 ishin më të ulëta se ato të vitit 2017. Taksat nga importi i naftës dhe cigares janë burimi kryesor i të ardhurave doganore.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of