Z. Haxhinasto vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira mes Shqipërisë dhe Republikës së Indisë dhe u shpreh se, në aspektin ekonomik, këto marrëdhënie mund të njohin nivele edhe më të larta.
Pasi falendëroi Ministren për vizitën e saj në Shqipëri, Zv.Kryeministri dhe Ministri i METE u shpreh se kompanitë dhe biznesi indian janë të mirëpritura për të investuar në sektorë të ndryshëm të ekonomisë së vendit tonë, si në fushën e energjisë së rinovueshme, industrinë e përpunimit dhe pasurimit të mineraleve, në fushën e IT-së, në turizëm, në industrinë fason, infrastrukturë, etj. Gjithashtu, z. Haxhinasto ftoi biznesin indian që të marrë pjesë në procesin e privatizimit të objekteve strategjike në Shqipëri.
Gjatë takimit, dy bashkëbiseduesit ranë dakord në krijimin e kuadrit ligjor lidhur me taksimin e dyfishtë dhe Marrëveshjes së Promovimit dhe Nxitjes së Investimeve (BIPA), si dhe në krijimin e një Komiteti të Përbashkët Ekonomik Shqipëri-Indi.
Zv.Kryeministri dhe Ministrja znj. Kaur ndanë të njëjtin qëndrimin për nxitjen e investitorëve të dy vendeve për të investuar në vendevet respektive.
Ministrja e Shtetit për Punët e Jashtme të Indisë falënderoi z. Haxhinasto për pritjen e ngrohtë dhe shprehu interesin e Indisë për rritjen e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.
Znj. Kaur kërkoi që të shihet mundësia për të dhënë më tepër bursa në kuadër të programit ITEK, Bashkëpunimi Indian Teknik dhe Ekonomik, si një program dypalësh i ndihmës së Qeverisë së Indisë që ofron çdo vit 2 programe trajnimi për Shqipëri nën ITEC.
Pas takimit, në ambientet e METE u nënshkrua një Memorandum Bashkëpunimi mes Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë të Shqipërisë dhe Konfederatës Indiane të Industrisë.
Objekti kryesor i këtij Memorandumi Mirëkuptimi është mbajtja e kontakteve të rregullta mes dy Dhomave për shkëmbimet tregtare, në funksion të rritjes së bashkëpunimit ekonomik mes bizneseve të dy vendeve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.