Industria e tekstilit nis shthurjen

13/08/2019 1:24 PM 0 komente

hkëlqimi i eksporteve shqiptare të tekstilit po venitet prej vështirësive që po kalon sektori nga rënia e euros, vonesat në rimbursimin e TVSH-së, mungesa e fuqisë punëtore, kriza politike dhe mbarimi i efekteve të ‘Pranverës Arabe’. Eksportet e tekstilit shënuan ulje vjetore me 1.8% në tre muajt e parë të vitit, pas një rritje të admirueshme në vitet e shkuara. Fabrikat e mëdha skanojnë problematikën, teksa evoluimi i teknologjisë e vë sektorin para sfidave të reja. Ja si mund të përfitojnë prodhuesit shqiptarë ndaj trendeve të reja globale të modës

 

Blerina Hoxha

Vrulli i eksporteve të tekstileve nga fabrikat shqiptare është ndalur këtë vit. Të dhënat e 6 mujorit të parë zbuluan dobësitë e akumuluara që nga viti 2015 me rritjen e taksave, çmimit të energjisë, zhvlerësimin e euros, mangësitë në gjetjen e fuqisë punëtore. Megjithëse kërkesa për punë ka qenë në rritje të vazhdueshme nga kontraktorët e huaj, bizneset e fasonit nuk kanë më këllqe për të përballuar flukset e reja të punës dhe madje, janë në vështirësi edhe për të përmbushur kontratat aktuale. Eksportet e tekstilit shënuan rënie vjetore me 1% në 6 mujorin e parë dhe sinjalet nga prodhuesit e mëdhenj nuk janë pozitive.

Nazmi Grori nga kompania Naber në Durrës, i cili ka në zotërim tre fabrika dhe është një nga punëdhënësit më të mëdhenj në vend, tha se është në prag të falimentit. Vetëm humbjet që vijnë nga kursi i këmbimit janë rreth 32 mijë euro në muaj. Nënçmimi i euros me rreth 6 pikë vetëm në një vit i ka marrë të gjitha fitimet dhe së fundmi, kompania gjendet në vështirësi për të shlyer kredi dhe detyrimet e tjera tatimore.

Vonesat në rimbursimin e TVSH-së dhe kriza politike duket se kanë përkeqësuar situatën. Gjergj Leqejza, i cili administron kompaninë Shqipëria Tricot dhe disa të tjera në qytetin e Shkodrës, pohoi se, borxhet e administratës tatimore ndaj kompanisë për TVSH-në e parimbursuar shpesh kanë zënë 25% të xhiros së kompanisë. Duke shtuar edhe vështirësitë që kanë ardhur nga kursi i këmbimit, fabrikat kanë qenë të kushtëzuara të zgjerohen.
Kriza politike ka dhënë sinjalet e para negative, pasi disa investitorë seriozë nuk i kanë rinovuar kontratat.

 

 

Flamur Hoxha, nga kompania e veshjeve Kler, tha se dobësitë që po shfaq sektori i eksportit të tekstilit janë akumuluar nga mungesa e politikave pro prodhimit vendas. Fragmentimi i politikave fiskale për interesa të caktuara dhe linja mënjanë e sektorëve të qëndrueshëm siç është prodhimi, sigurisht që nuk jep rezultate pozitive – shprehet Hoxha.

Ai paralajmëron për një situatë më të vështirë gjatë vitit 2020. Edhe nëse kursi i këmbimit kthehet në ekuilibër, fabrikat do të vuajnë kostot e larta që po vijnë nga mungesa e fuqisë punëtore, të cilat do të jenë aq të mprehta sa edhe faktorët e taksave dhe kursit të këmbimit. Sipas tij, e vetmja mënyrë për përmirësimin e situatës është angazhimi i të gjithë aktorëve politikë për të përmirësuar klimën e biznesit, për të frenuar emigracionin dhe për të mbështetur prodhimin vendas, si sektori kryesor për rritjen e vlerës së shtuar në ekonomi.

 

Nënçmimi i lekut përpin fitimet e fabrikave

Fitimet e fabrikave të fasonit u përpinë vitin e kaluar nga zhvillimet e kursit të këmbimit. Në tremujorin e parë të vitit 2018, 1 euro këmbehej mesatarisht me 132 lekë, ndërsa në 6 mujorin e parë të vitit 2019, kursi mesatar i këmbimit të euros ishte 123 lekë. Nazmi Grori, nga kompania Naber, shprehet se, fitimet e fabrikave të fasonit janë të ulëta jo më shumë se 10%, pasi shumica punojnë me material porositës dhe në Shqipëri shfrytëzohet krahu i lirë i punës. Nënçmimi i euros vetëm në harkun e një viti ka kaluar fitimet me 10%, pothuajse duke konsumuar të gjitha.

Vetëm nga kursi i këmbimit kemi 32 mijë euro me humbje, thotë Grori, i cili pohon se në këto kushte, e ka të vështirë ta vazhdojë aktivitetin. Nëse këmbimi i lekut nuk normalizohet, mbijetesa sipas tij është e vështirë, duke shtuar se është gati të japë në përdorim aktivitetin kundrejt qirasë. “Tani jam në fazën që duhet të marr kredi për të shlyer kredinë dhe kur arrin në këtë pikë, nuk ka asnjë vlerë të vazhdosh aktivitetin”, – tha zoti Grori. Nënçmimi i euros ishte shqetësimi më i madh me të cilin u përballën vitin e kaluar fabrikat e përpunimit aktiv.

Për shkak të zhvlerësimit të euros në tregun vendas, Flamur Hoxha, administrator i kompanisë Kler, që prodhon këmisha, shikon një humbje mesatare nga 5 deri në 8% të xhiros totale. Humbjet e eksportuesve në sektorin e fasonit llogariten nga 500-600 euro në vit për person të punësuar.

Hoxha thotë se do t’i amortizojë humbjet për shkak të kursit të këmbimit, te fitimi i kompanisë. Në këtë mënyrë, të gjithë kompanitë fason do të privohen që të kryejnë investime të mëtejshme apo të zgjerojnë aktivitetin e tyre.
Një mënyrë për t’u bërë ballë humbjeve nga kursi i këmbimit, por edhe për t’u mbrojtur nga ndryshimet në tregjet e mëdha, sipas zotit Hoxha, do të ishte unifikimi në rangun e ofertës, ku të gjitha kompanitë eksportuese të sektorit të bashkëpunojnë dhe të bien dakord mbi çmimet.

Gjergj Leqejza tha se siguroi mbrojtje nga kursi i këmbimit nëpërmjet kontratës. “E kisha të fiksuar pagesën bazuar në një pagesë fikse këmbimi me kontraktorin. Për çdo këmbim poshtë vlerës së kontratës, humbjet mbuloheshin nga blerësi”, – tha Leqezja. Por kostot që erdhën nga kursi i këmbimit e kanë bërë Shqipërinë më pak konkurruese.
Kompanitë e fasonit i kanë të ardhurat në euro dhe shpenzimet në gati 90% i kanë lekë. Për pasojë, nënçmimi i euros po i çon disa nga kompanitë më të mëdha të sektorit në kolaps.

Të njëjtin shqetësim ngriti edhe Thoma Marku, administrator i kompanisë Marku Konfeksion nga Korça. Ai tha se dekurajimi për të punuar në fabrika dhe emigracioni, janë shkaqet që po pakësojnë punonjësit në fabrika. Marku pohoi se të gjitha bizneset e fasonit në Rrethin e Korçës janë në vështirësi. Në këtë qytet, ndodhen dhjetëra biznese tekstili dhe këpucësh që punojnë kryesisht me Greqinë.

 

Mungesa e punonjësve, pengesa tjetër

Rënia e numrit të të rinjve, për shkak të nivelit të lartë të emigracionit dhe lindjeve gjithnjë e më të pakta në dy dekadat e fundit po shteron fuqinë punëtore për fabrikat e fasonit. Gjergj Leqezja nga Shqipëria Tricot tha për kompaninë e tij se mungesa e fuqisë punëtore është problemi më i madh i momentit.

“Linjat e mia të prodhimit janë të dedikuara për klientë sipër nivelit mesatar, ndaj edhe fuqia punëtore që unë kërkoj, duhet të ketë kualifikim disi më të lartë. Por aktualisht është gati e pamundur të gjesh punonjës të thjeshtë dhe jo më të kualifikuar”, pohon Leqejza. Dobësitë në gjetjen e fuqisë punëtore janë të mëdha dhe kjo cenon qëndrueshmërinë e aktivitetit të fabrikave dhe zgjerimin e tyre të mëtejshëm, tha ai. Leqejza tha se aktiviteti i fabrikave në zotërim të tij është frenuar këtë vit.

Biznesmeni tjetër me përvojë, zoti Hoxha, nga kompania Kler, e konsideroi shterimin e fuqisë punëtore si një pengesë të madhe për aktivitetin e fabrikave të fasonit. Largimi masiv i të rinjve dhe rënia e interesit për të punuar në fason do t’i çojë fabrikat drejt kolapsit, pohon Hoxha. Ai tha se bizneset e sektorit duhet të marrin në konsideratë rritjen e pagave për punonjësit, pasi ata janë kapitali më i çmuar që ato kanë sot. Duhet të heqim dorë nga fitimet, në mënyrë që të sigurojmë jetëgjatësinë e bizneseve, – tha ai.

Bizneset e sektorit në të gjithë vendin, nga Shkodra në Gjirokastër, kanë dhënë alarmin se po përballen me mangësi serioze të fuqisë punëtore. Për shkak të përvojës së krijuar, numri i kontratave të reja po rritet me shpejtësi, por, nga ana tjetër, gjetja e punonjësve të rinj është bërë një mision i vështirë.

Jozef Bazhdari, drejtori i prodhimit në Bella Confex në Shkodër, një ndërmarrje me traditë në sektor, pohon se po has vështirësi për të gjetur punonjës. Zoti Bazhdari thotë se ka nisur kërkimet deri në rrethinat e Lezhës, edhe pse fabrika është në mes të qytetit të Shkodrës. “Po i mbuloj kostot e transportit. Edhe pagat i kam rritur. Jap pagesë minimale 1200 lekë në ditë, ndërsa maksimalja i kalon 1700 lekët. Megjithatë, interesi për të punuar ka rënë”, pohoi ai.

Të njëjtën situatë referojnë edhe rreth 20 fabrika të pyetura në qarqet kryesore të vendit, Korçë, Tiranë dhe Durrës, Berat, Shkodër, Fier etj., duke dhënë alarmin se mungesa e fuqisë punëtore po i pengon të zgjerohen dhe po rrezikon qëndrueshmërinë e aktivitetit në të ardhmen.

 

Forca e punës nis rënien

Sipas të dhënave të INSTAT, në fillim të vitit 2019, popullsia në moshë pune ra me 12 mijë persona në raport me vitin 2015. Rënia është edhe më e madhe në realitet, pasi shumë të rinj janë larguar nga vendi, por nuk e kanë shkëputur ende gjendjen civile nga Shqipëria. Në janar 2019, sipas INSTAT, numri i femrave në vend ishte 983,869. Nga këto, rreth 50% ose më shumë se 500 mijë janë të punësuar tashmë. Forca e lirë e paangazhuar është 482 mijë femra, ku rreth 60% e tyre janë mbi moshën 45 vjeç, të cilat nuk parapëlqehen për t’u rekrutuar për herë të parë nga fabrikat.

Më 2018, raporti i varësisë së të rinjve (raporti i popullsisë 0-14 vjeç me popullsinë 15-64 vjeç) ka shënuar rënie në krahasim me vitin 2017, nga 26,0% në 25,4%, ndërsa raporti i varësisë së të moshuarve (raporti i popullsisë 65+ me popullsinë 15-64 vjeç) ka shënuar rritje nga 19,4% në 20,1% gjatë së njëjtës periudhë. Në vitin 2011, kur u bë censi i fundit, varësia e të rinjve ndaj popullsisë në moshë pune ishte 30% dhe për të moshuarit 17%. Përqindja e fëmijëve do të ulet më tej (në 17% në vitin 2020, gjysma e përqindjes të vitit 1989) dhe ajo e të moshuarve do të trefishohet në 15% krahasuar me vitin 1989.

Mosha mediane (d.m.th. në të cilën gjysma e popullsisë është më e re dhe gjysma tjetër më e vjetër) parashikohet të ketë rritje të vazhdueshme, megjithëse në një masë më të vogël kur krahasohet me të kaluarën e vonë do të arrijë në 41,7 vjeç në vitin 2031, në përputhje me skenarin e mesëm të rritjes, me një interval prej 40,0 dhe 43,6 vjet në përputhje me skenarin e ulët të rritjes dhe atë të lartë (nga 32,6 në vitin 2011). Shqipëria do të ketë arritur moshën aktuale mediane të Europës deri nga fundi i periudhës së projeksionit.

Popullsia e Shqipërisë jo vetëm që do të plaket, por strukturat e moshimit parashikohen të transformohen në të ardhmen. Deri në vitin 2011, plakja nxitej nga tkurrja e brezave të lindur d.m.th., plakje në bazë të piramidës: raporti i varësisë të të rinjve pësoi rënie nga 53 fëmijë për 100 të rritur në moshë pune në vitin 1989 në 32 fëmijë në vitin 2011 dhe në 25 fëmijë më 2018. Deri tani, varësia e të moshuarve ka qenë e kufizuar, megjithëse ajo është dyfishuar nga 8 në 16 individë për 100 të rritur në moshë pune, ndërsa në vitin 2018 arriti në 20.

Sipas projeksioneve aktuale të INSTAT, varësia e të rinjve parashikohet të bjerë me një ritëm të ngjashëm krahasuar me rritjen e varësisë të të moshuarve deri në vitin 2021 (një rënie deri në 25 të rinj dhe një rritje deri në 23 të moshuar për 100 të rritur në moshë pune respektivisht, sipas skenarit të rritjes mesatare).

Projeksionet e INSTAT tregojnë se, popullsia në moshë pune do të bjerë me një ritëm pak më të shpejtë se sa popullsia e përgjithshme, me më shumë sesa 18% në pothuaj të gjitha qarqet, përveç atyre që e shtojnë popullsinë nëpërmjet migrimit (Tirana, Vlora dhe Durrësi). Tirana është qarku i vetëm në të cilin parashikohet rritje e konsiderueshme në forcën potenciale të punës (me 20% deri në vitin 2031, sipas skenarit normal me shpërndarje gjeografike dhe emigrim konstant brenda vendit). Rënia më e fortë në forcën e punës parashikohet për Gjirokastrën (me -43%), si dhe për Beratin dhe Dibrën (me të paktën -30%).

 

Kthehet makthi i mosrimbursimit të TVSH

Mosrimbursimi i TVSH-së për sektorin e eksportit ka qenë një plagë e hershme, por pas krizës së borxheve të fshehura të vitit 2013, situata u normalizua disi, për t’u kthyer si shqetësim sërish së fundmi. Vitin e kaluar, bizneset e eksportit dhe sidomos ato të fasonit, ngritën më shumë se një herë shqetësimin se TVSH nuk po rimbursohej sipas afateve ligjore. Borxhet e akumuluara shpesh kanë zënë 25% të xhiros vjetore kompanive. Ai tha se situata me rimbursimin ka nisur të përmirësohet disi kohët e fundit, por sërish ka stok të papaguar. E kombinuar me kursin e këmbimit, ky faktor vuri në vështirësi bizneset e fasonit, të cilat shpesh u gjendën përballë vështirësive për likuiditet.

Sipas të dhënave zyrtare nga tatimet, stoku i borxhit të TVSh ndaj eksportuesve shqiptarë, pa përfshirë kompanitë e mëdha, TAP, Statkraft, Bankers arrin në 4 miliardë lekë.
Tatimet kanë marrë angazhim të shlyejnë detyrimin e prapambetur me këste bazuar në marrëveshjet e lidhura me kompanitë.

Një mision i FMN-së këshilloi se nevojitet veprim i menjëhershëm për të kufizuar detyrimet e prapambetura të sektorit publik. Detyrimet e prapambetura cenojnë klimën e biznesit dhe besimin në qeveri. “I nxisim autoritetet të sigurojnë shlyerje të plotë dhe në afat të çdo kërkese të re të miratuar për rimbursim TVSH-je, duke i mos i lidhur rimbursimet me flukset përkatëse të të ardhurave tatimore”, – thuhej në deklaratën përmbyllëse të Misionit. Ekspertët e FMN-së pohuan se, i mirëpresim planet e autoriteteve për të shlyer stokun e prapambetur të rimbursimit të TVSH-së sa më shpejt të jetë e mundur (dhe për pjesën më të madhe, brenda vitit 2019).

 

Italia, destinacioni kryesor

Italia mbetet destinacioni kryesor i eksporteve shqiptare të tekstileve. Të dhënat e INSTAT tregojnë se në 2018-n drejt këtij shteti u drejtuan 71% e totalit të këtij produkti. Në vend të dytë është Gjermania me 9.1% dhe e treta është Greqia me 8.4%.

Rumania ka qenë një destinacion i ri që ka tërhequr prodhuesit shqiptarë. Eksportet drejt këtij shteti u pesëfishuan në raport me 2015-n, ndonëse ata mbeten të ulëta në 2.4 miliardë lekë, ose 4% e totalit të eksporteve.
Ndonëse prej vitesh eksportuesit janë munduar të ulin varësinë ndaj Italisë, në dhjetë vjet pesha e Italisë ka arritur të zbresë vetëm nga 79% në 71%. Fakti që kompanitë italiane janë ende të interesuar vetëm për disa procese dhe jo cikël të mbyllur, ndryshe nga shtetet e tjera të Europës, i ka lënë të pazhvilluar dhe nënkontraktorët e tyre në Shqipëri.

 

 

 

Mbarojnë efektet e ‘Pranverës Arabe’, fabrikat kthehen në Lindje

Grupi gjerman i veshjeve Triumph u largua këtë vit nga porositë në Shqipëri, pas një bashkëpunimi disavjeçar me kompaninë Shqipëria Tricot në Shkodër. Leqejza tha se kompania e argumentoi tërheqjen nga biznesi me faktin se grupi kishte ndryshuar drejtuesit dhe se ishte përfshirë në një proces ristrukturimi. Më vonë morën vesh se, kontrata ishte zhvendosur në Tunizi.

‘Pranvera Arabe’ nisi pikërisht në Tunizi në vitin 2010, pasi një shitës ambulant i dhunuar nga policia i vuri flakën vetes. Ngjarja e cila u përhap në rrjetet sociale, ndikoi në të gjithë rajonin, i cili u përfshi në trazira zinxhir në Libi, Iran, Irak. Shumë fabrika europiane u larguan nga rajoni në atë kohë. Shqipëria përfitoi nga kjo situatë, pasi numri i kërkesave për punë po rritej me shpejtësi, duke bërë që eksportet e tekstilit të rriteshin me ritme dyshifrore pas vitit 2010.

Tani, pas 8 vitesh, nga fillimi i ‘Pranverës Arabe’ në shumicën e vendeve të rajonit, është kthyer qetësia dhe bizneset e Europës kanë nisur të rivënë lidhjet. Kostot më të ulëta të prodhimit në rajonin e Lindjes së Mesme i bëjnë vendet atraktive për biznes, nisur edhe nga tradita dhe përvoja e madhe e bashkëpunimit.

 

Shqipëria, kriza politike një pengesë tjetër

Pas shumë faktorëve që kanë ndikuar negativisht në klimën e biznesit në fabrikat shqiptare, kriza politike vjen me intensitet më të lartë këtë vit. Largimi i opozitës nga Kuvendi dhe rikthimi i protestave në rrugë, shpeshherë me dhunë, i step investitorët. Fabrikat e mëdha të tekstilit pohuan se, nuk ka largim të investitorëve nga Shqipëria, për shkak të krizës politike, por ajo e pengon një investitor të nënshkruajë një kontratë të re. Investitorët aktualë stepen të zgjerojnë aktivitetin në Shqipëri kur shohin lajme me flakë e zjarr në rrugë. Shqipëria trashëgon një histori të trishtë me trazirat politike, përsëritja e të cilave e rëndon mjedisin për biznes, në një kohë kur konkurrenca është gjithnjë e në rritje nga rajonet e tjera në zhvillim.

Banka Qendrore e konsideroi krizën politike në vend si një nga faktorët që do të ndikojnë negativisht rritjen ekonomike të vitit 2019.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of