Presionet për rritjen e çmimeve nga jashtë u dobësuan në dy muajt e parë të vitit.
Analiza e Bankës së Shqipërisë në raportin e fundit të politikës monetare se Treguesi i Presioneve të Huaja Inflacioniste u rrit me 3.2% me bazë vjetore për periudhën janar-shkurt 2021. Për tremujorin e katërt 2020, rritja e këtij treguesi kishte qenë 3.7%.
Treguesi i Presioneve të Huaja Inflacioniste llogaritet si diferencë mes indeksit të çmimeve të huaja dhe kursit nominal efektiv të këmbimit (KNEK). Ky i fundit është kursit mesatar i këmbimit të lekut me monedhat e vendeve kryesore partnere në tregtinë e jashtme.
Sipas BSH, çmimet e huaja janë rritur me 5.6% krahasuar me një vit më parë, ndërsa indeksi i kursit nominal efektiv të këmbimit ka vazhduar të japë një efekt balancues në çmimet e importit. Për dy muajt e parë të vitit 2021, KNEK i lekut është mbiçmuar me 2.4%.
Këto zhvillime kanë sjellë kontribut më të ulët të inflacionit të importuar në atë total gjatë tremujorit të parë të vitit, ndërsa efektet e tjera afatshkurtra kanë ndikuar gjithashtu në rënien e inflacionit. Inflacioni i importuar ka një ndikim të konsiderueshëm në ecurinë e çmimeve në Shqipëri, duke patur parasysh varësinë ndaj prodhimeve të importit dhe deficitin e lartë tregtar.
Për tremujorin e parë 2021, norma mesatare e inflacionit ishte 0.9%, në rënie me 0.7 pikë krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Në muajt e parë të këtij viti inflacioni ka ardhur sërish në rënie, por Banka e Shqipërisë gjykon se kjo rënie ka ardhur kryesisht nga grupmallrat që karakterizohen nga një volatilitet i lartë i çmimeve. BSH vlerëson se inflacioni bazë ishte në nivelin 1.5%, çka dëshmon se inflacioni i ulët gjatë kësaj periudhe është ndikuar kryesisht nga përbërësit afatshkurtër, që zakonisht kanë një luhatshmëri më të lartë, si për shembull ushqimet, produktet energjetike, etj.
Aktualisht, ushqimet kontribuojnë me rreth 80% të rritjes së çmimeve në ekonomi, ndërsa grupet e tjera të mallrave dhe shërbimeve po japin një ndikim të dobët në rritjen e inflacionit. Kontributi dërrmues nga produktet me luhatshmëri të lartë është një sinjal se rritja e qëndrueshme e inflacionit në ekonomi do të kërkojë ende kohë.
Pas mbledhjes së fundit, të datës 5 maj, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë parashikonte se inflacioni mund t’i afrohet objektivit prej 3% vetëm në gjysmën e dytë të vitit 2022.
Ndërkohë, mbështetur në vrojtimet periodike që kryen Banka e Shqipërisë, pritjet për inflacionin nga bizneset, agjentët financiarë dhe konsumatorët ngelen më të larta krahasuar me inflacionin faktik. Pritjet e inflacionit të bizneseve dhe të agjentëve financiarë janë ulur lehtë në tremujorin e parë, në krahasim me tremujorin e katërt të vitit 2020, ndërsa pritjet e inflacionit të konsumatorëve kanë regjistruar rritje.
Bizneset presin që inflacioni pas një viti të jetë 2.6%, ndërsa për agjentët financiarë pritshmëria është për një nivel prej 1.9%. Ndërkohë, pritjet e konsumatorëve për inflacionin pas një viti janë rritur në 4.2%, nga vlera 3.4% në tremujorin e katërt 2020.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.