Inflacioni i Eurozonës arriti nivelin më të lartë 13-vjeçar muajin e kaluar dhe duket se do të rritet edhe më tepër, duke errësuar edhe më tej parashikimet e Bankës Qendrore Europiane.
Inflacioni i çmimeve të konsumit në 19 vendet e Eurozonës u rrit në 3.4% në bazë vjetore në shtator, nga 3% një muaj më parë, niveli më i lartë që nga shtatori 2008 dhe afër parashikimeve të analistëve prej 3.3%, treguan të dhënat nga Eurostat, të premten.
Çmimet u rritën kryesisht për shkak të rritjes së kostove të energjisë, duke shkaktuar një përmbysje të situatës pasi çmimi i naftës ra ndjeshëm gjatë pandemisë COVID-19. Ndikimi nga pengesat në prodhim dhe transport, u bë i dukshëm pasi çmimet e mallrave u rritën me 2.3% që nga gushti.
Me rritjen e çmimeve të gazit natyror dhe pengesat e shumta, nga prodhimi i makinave, tek prodhimi i kompjuterëve, inflacioni mund të arrijë në 4% deri në fund të vitit, sa dyfishi i objektivit të BQE-së.
Ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit duket se po përkeqësohen, duke rritur shanset që inflacioni të depërtojë në çmime dhe të krijojë presione më të gjata, ndërsa firmat rregullojnë çmimet dhe politikën e pagave.
Tani për tani, BQE vazhdon të këmbëngulë se kjo periudhë inflacioni do të kalojë shpejt dhe rritja e çmimeve do të qëndrojë nën objektivin e saj në vitet në vazhdim.
Ndërkohë, ekonomistët po ndryshojnë pikëpamjet e tyre, duke pretenduar se bankat qendrore mund të jenë duke nënvlerësuar rrezikun e inflacionit.
“Ne mendojmë se ka shanse të mëdha që ky inflacion të mos jetë aq kalimtar sa sugjerojnë bankat qendrore, përfshirë BQE-në,” tha ekonomisti i BNP Paribas, Luigi Speranza.
“Konsumatorët mund të fillojnë të kërkojnë paga më të larta dhe korporatat mund t’i akomodojnë ato, duke e kompensuar këtë kosto me rritjen e çmimeve.”
Inflacioni bazë duke përjashtuar ushqimin dhe energjinë, u rrit në 1.9% nga 1.6%, po ashtu edhe një matje më e ngushtë që përjashton edhe alkoolin dhe duhanin.
Megjithëse gjithnjë e më të shqetësuar për inflacionin, politikanët e BQE-së ka të ngjarë të anojnë nga kujdesi. Banka ka thënë se është e gatshme të tejkalojë përkohësisht objektivin e saj për t’u siguruar që inflacioni të kthehet brenda kufijve të synuar, pasi luftimi i rritjes së dobët të çmimeve ka kërkuar përpjekje të jashtëzakonshme, duke përfshirë norma interesit tejet negative dhe triliona euro blerje të aseteve.
Megjithatë, ndërkohë që skema e stimulimit të urgjencës pandemike prej 1.85 trilionë eurosh pritet të përfundojë në marsin e ardhshëm, ka të ngjarë që BQE-ja të shtrëngojë në mënyrë modeste politikën e saj në muajt e ardhshëm, shkruan Reuters.
Si transmetohet inflacioni i importuar në Shqipëri
Rritja globale e çmimeve është reflektuar dhe në Shqipëri, ku janë shtrenjtuar produktet bazë, si buka, mielli, vaji, sheqeri etj.
Në gusht, INSTAT raportoi se ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Gusht 2021 është 2,4%. Ky është niveli më i lartë që nga janari i vitit 2017, kur treguesi kërceu në 2.8% vetëm për një muaj.
Lexo edhe këtë: Inflacioni kërcen në 2.4%, nga rritja e çmimeve të produkteve bazë, niveli më i lartë nga 2017
Por si transmetohet rritja e çmimeve në Europë në Shqipëri, përmes të quajtur inflacion i importuara. Banka e Shqipërisë, në një intervistë të fundit për Monitor ka sqaruar se “Ecuria e çmimeve të mallrave bazë apo të atyre të konsumit në tregjet ndërkombëtare ushtron një rol të rëndësishëm në përcaktimin e dinamikës së çmimeve në Shqipëri. Kjo ecuri është në linjë me peshën e konsiderueshme që kanë artikujt e importit në shportën e konsumit dhe në strukturën e përcaktimit të kostove në ekonomi”.
Banka thotë se studimet dhe analizat tregojnë se përçimi i inflacionit të importuar në çmime finale në ekonomi është i kushtëzuar si nga intensiteti i goditjes, ashtu edhe nga pozicioni ciklik i ekonomisë vendase në momentin e goditjes.
“Për të qenë më konkretë, ndryshimet e mëdha apo të qëndrueshme në kohë të çmimeve në tregjet ndërkombëtare tentojnë të kenë një përcjellje më të madhe dhe më të shpejtë në tregjet vendase. Në të njëjtën kohë, kjo përcjellje rezulton të jetë më e fortë dhe më e shpejtë në rastin kur kërkesa e brendshme agregate është e fortë – apo në rritje të shpejtë – dhe anasjelltas”, paralajmëëron banka.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.