Inflacioni në eurozonë arriti një nivel të ri për të 11-in muaj radhazi, ndërsa çmimet e energjisë vazhduan të rriteshin, duke shtuar shanset që Banka Qendrore Europiane të vazhdojë rritjen agresive të normave të interesit kur të mblidhet muajin e ardhshëm.
Çmimet e konsumit në eurozonë u rritën 10 për qind me bazë vjetore në shtator, duke u përshpejtuar nga 9.1 për qind në gusht, që ishte tashmë niveli më i lartë në historinë 23-vjeçare të euros.
Ky nivel gjithashtu tejkaloi shifrë n prej 9.7 përqind të pritur nga ekonomistët e anketuar nga Reuters.
Reduktimi i furnizimeve të gazit natyror nga Rusia në Europë pas pushtimit të Ukrainës, ka rritur çmimet e gazit dhe energjisë elektrike me shumicë dhe ka detyruar qeveritë të ndërhyjnë duke shpenzuar qindra miliarda euro për të mbrojtur konsumatorët dhe bizneset nga presionet ekonomike.
Eurostat, krahu i statistikave të Komisionit Evropian, tha se çmimet e energjisë u rritën 40.8 për qind në shtator, nga 38.6 për qind muajin e kaluar.
Çmimet e ushqimeve, alkoolit dhe duhanit u rritën me 11.8 për qind, nga 10.6 për qind në gusht.
Kërcimi i çmimeve të energjisë dhe ushqimeve po e përkeqëson gjithnjë e më tej krizën e kostos së jetesës. Ekonomistët presin që kjo kosto ta tërheq bllokun 19-vendësh në një recesion këtë dimër, pasi familjet do të reduktojnë shpenzimet e tyre dhe grupet industriale reduktojnë prodhimin./FT