Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Haxhinasto, gjatë prezantimit të paketës së masave anti-informalitet në fushën e transportit, bëri të ditur para mediave se qëllimi nuk është vendosja e gjobave , por rritja e cilësisë dhe sigurisë së shërbimit të transportit për qytetarët.
“Ky plan masash u miratua në mbledhjen e fundit të qeverisë, ka një kalendar specifik për zbatimin e tij duke nisur nga tetori. Paketën e plotë të masave e kemi vendosur edhe në sitin e ministrisë. Mund të shihni planin e masave dhe afatet përkatëse për realizimin e tyre. Qëllimi kryesor i çdo plani që bëjmë edhe ky plan ka një synim, që është cilësi më e lartë e shërbimit për qytetarët dhe siguri më e lartë e këtij shërbimi. Pavarëissht se masat përfshijnë edhe elementët ekonomikë në fushën e transportit. Masat kanë të bëjnë me licencimin e subjekteve të angazhuar në transport. Tashmë është domosdoshmëri që subjektet të jenë të licencuar. Na rezulton se drejtues mjetesh, operatorë janë të palicencuar duke rrezikuar jetën e qytetarëve”, – deklaroi ministri Haxhinasto.
“Shumë e rëndësishme çështja e biletimit, kontrolle rigoroze që të gjithë qytetarët të marrin biletën dhe t’u ofrohet edhe shërbimi për atë që kanë paguar. Reforma do të sjellë standarde dhe shërbim më të mirë. 90% e mjeteve të pakontrolluar, të paregjistruar që përbën në vetvete një evazion, prandaj do ta disiplinojmë këtë çështje”, tha Haxhinasto.
Gjithashtu Haxhinasto njoftoi se do të certifikohen të gjithë ata që operojnë në servisin e automjeteve, pasi sigurimi i këtij shërbimi është i rëndësishëm për jetën e qytetarëve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.