Transporti publik në Tiranë, pas rifillimit të aktivitetit më 6 korrik 2020, vazhdon ende operimin me kapacitet të reduktuar, për shkak të frikës nga infektimet e Covid-19 dhe kufizimit të orarit të lëvizjes (nga 11 shkurti 2021, hynë në fuqi oraret e kufizimit të lëvizjeve nga ora 20:00 deri më 6:00 të mëngjesit).
Rënia e fluksit të pasagjereve dhe vënia në punë e 75% të flotës të autobuzave, po tkurr xhiron e kompanive, ndërkohë që paguhen edhe kostot fikse, si: pagat e punonjësve, detyrimet tatimore, karaburanti etj.
Por prej muajit janar, operatorët privatë të linjave publike të transportit kryeqytetas po vuajnë edhe informalitetin me shitjet e aboneve të përgjithshme mujore në tregun e zi. Abonete e përgjithshme po shiten në treg të zi me çmim 700 deri 800 lekë. Një abone e përgjithshme sipas çmimit të përcaktuar nga shteti është 1,600 lekë. Kostot e detyrimeve ndaj çdo aboneje të pajtimit mujor që paguajnë operatorët e licensuar janë 800 lekë.
Në një letër drejtuar Drejtorisë të Përgjithshme të Tatimeve dhe Drejtorisë të Hetimit Tatimor ata ngrehin shqetësimin e mbipopullimin e tregut me abone të përgjithshme, nga shitja e tyre në tregun e zi me gjysëm çmimi. Kompanitë pohojnë funksionimin e një skeme evazioni, që po favorizohet nga rënia e fluksit të frekuentimit për shkak të Covid -19 dhe mungesës të kontrollit nga institucionet shtetërore.
Sipas tyre vënia në dizpocion 100% e numrit të aboneve, si në periudhë normaliteti, po rrit deklarimet fiktive të shitjeve dhe stokut të mbetur të disa operatorë.
“Mendojme se grumbullimi i aboneve fizike tek subjektet që ushtrojnë veprimtari në fushën e transporit urban, është një mënyrë joefikase e cila sjell problematika të tjera dhe kthimi i aboneve për çdo muaj do të sillte shmangie të këtyre problematikave.
Çdo muaj, secili nga operatorët bën deklarimin për sasinë e aboneve të mbetura për muajin përkatës, ku sasia e mbetur ngelet stok. Provueshmëria dhe vërtetësia e deklarimit të kësaj sasie mbetet evazive në momentin kur këto abone të mbetura nga muajt e kaluar grumbullohen vazhdimisht (duke krijuar kështu një numër të lartë të aboneve të mbetura) deri në realizimin e një kërkese nga operatori ku kërkohet dhe realizohet asgjesimi i tyre pas kontrollit nga organet përkatëse.
Operatorët në këtë drejtim mund të abuzojnë dhe të mos bëjnë deklarimet në numra reale të sasisë së mbetur. Sipash nesh kjo është një metodë e përdorur, duke parë sot shitjet e aboneve në treg me çmim shumë më të ulët se çmimi real, i përcaktuar. Kërkojmë prej jush që secili nga operatorët e linjave urbane, të kthejë në muajin pasardhës çdo abone mujore të mbetur të muajit. Kjo do të lehtësonte procesin dhe do të krijonte siguri, eficensë dhe shmangje të informaliteteve dhe veprimeve të kundraligjshme”, thuhet në letrën drejtuar drejtorisë të Përgjithshme të Tatimeve.
Drejtori i linjës të transportit publik Kombinat-Kinostudio-Tufinë në kompaninë “Shega Trans”, Kostandin Foni tha për Monitor se informalitetin po e vuajnë të gjithë operatorët e rregullt privatë në Tiranë. Z. Foni kërkon ndërhyrjen urgjente për hetim të administratës tatimore dhe Bashkisë të Tiranës, nëse kemi të bëjmë me skemë evazioni apo edhe shitje të aboneve fallco, pasi po u shkaktohen dëme të larta ekonomike.
“Prej muajit janar shumica e pasagjerëve që udhëtojnë në linjat publike të transportit qytetas janë të pajisur me abone të përgjithshme mujore. Gjatë kontrolleve të kryera në autobusa kemi konstatuar që shumë prej aboneve janë fallco, të blera në tregun e zi.
Tregu është i mbipopulluar me abone, ndërsa frekuentimi ka pësuar rënie. Për këtë arsye ne dyshojmë se abonetë e përgjithshme që po shiten në tregun e zi mund të jenë edhe të dubluara nga shtypshkronja e letrave me vlerë ose është një skemë e evazionit fiskal që bëhet nga disa operatorë që nuk deklarojnë numrin real të shitjeve dhe po i tregtojnë ato me gjysmën e çmimit.
Në kërkojmë që kjo situatë të zgjidhet menjëherë nga strukturat hetimore të Drejtorisë të Përgjithshme e Tatimeve dhe Bashkia e Tiranës, pasi po na shkakton dëme të larta financiare, që mund të çojnë deri në falimentim”.
Në transportin publik qytetas aktualisht operojnë 15 linja transporti të cilat tregtojnë biletat mujore (abonetë) sipas numrit të caktuar nga Bashkia e Tiranës për çdo ndërmarrje.
“Bashkia e Tiranës në mënyrë urgjente duhet të ulë sasinë e aboneve që vihet në dispozicion nga operatorët. Ata çdo muaj marrin nga ne evidencat ekonomike, që përfshijnë numrin e aboneve dhe biletave të shitura dhe ciklet e përshkruara. Nëpërmjet këtyre deklarimeve lehtësisht bashkia e Tiranës verifikon statistikat se sa është numri i frekuentimit të pasagjerëve dhe nevojës të tregut”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.