Kampionati italian do të përjetojë këtë fundjavë një nga ditët vendimtare të të gjithë sezonit. Këtë të shtunë, në stadiumin “San Siro”, në orën 20:45, do të luhet sfida mes Inter dhe Juventus.
Fitorja është e rëndësishme për të dyja klubet: Juventus kërkon të ruajë avantazhin ndaj Napolit, ndërkohë që Inter kërkon të ruajë vendin e katërt, që do të nënkuptonte pjesëmarrjen në Champions League.
Gara mes formacioneve të Spalleti-t dhe Allegri-t është e rëndësishme dhe kjo kuptohet edhe nga vëmendja mediatike që do ta shoqërojë sfidën sot në mbrëmje. Ndeshja do të transmetohet në më shumë se 190 vende. Në total do të jenë më shumë se 400 operatorë informacioni të akredituar, më shumë se 250 gazetarë në tribunën e medias, si dhe më shumë se 50 media të huaja e 60 fotografë.
Inter – Juventus, rekord të ardhurash, 5,2 milionë euro
Rekord i ri të ardhurash për Inter në “San Siro”, 5,2 milionë euro. Këto shifra çojnë në një rekord të ri jo vetëm për klubin e Suning por edhe për gjithë Serinë A.
Deri më sot, rekordin në Itali e mbante derbi mes Inter dhe Milan në tetor 2017, ndeshja e vajtjes në sezonin e kaluar. Klubi i Interit njoftoi atëherë se të ardhurat arritën rreth 4,8 milionë euro. Kjo shifër është tejkaluar me sfidën e sotme, siç u bë e ditur nga klubi zikaltër.
Shumë e saktë është 5.297.508 euro, rekord për Italinë. Në podium, së bashku me derbin e tetorit 2017 është edhe sfida e Champions League mes Milan dhe Barcelonës, në sezonin 2011/12 (4,68 milionë euro të ardhura në fazën çerekfinale).
Zbret nga tre pozicionet e para sfida mes kuqezinjve dhe blaugranave në Champions League 2012/13 (4,65 milionë euro). Më pas është sfida mes Napolit dhe Real Madrid, në sezonin e kaluar në Champions League. Numri i tifozëve në stadiumin “San Paolo” ishte 56.695, ndërsa të ardhurat totale 4,4 milionë euro.