Norma mesatare e portofolit të depozitave të sektorit bankar vijoi rritjen edhe gjatë muajit janar.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, norma mesatare e interesit për të gjitha depozitat me afat në lekë arriti në 1.67%, nga 1.26% që kishte qenë në shkurt të vitit të kaluar, para nisjes së normave të interesit nga Banka e Shqipërisë. Rritja e normave të interesit për depozitat e reja dhe ato të rinovuara ka sjellë gradualisht një lëvizje në rritje të normës mesatare të interesit për gjendjen e depozitave të sektorit bankar.
Rritja e normave të interesit është shtrirë edhe në gjendjen e depozitave në euro. Sipas Bankës së Shqipërisë, norma mesatare e interesit për depozitat me afat në euro në fund të janarit 2023 ka rritur në 0.7%, nga 0.3% që kishte qenë në shkurt të vitit të kaluar.
Rritja e interesit të depozitave bëri që shpenzimet e sektorit bankar për interesa u rritën vitin e kaluar për herë të parë në një dekadë. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për vitin 2022 sektori bankar shpenzoi për interesa pothuajse 8.8 miliardë lekë, në rritje me 19.2% krahasuar me një vit më parë.
Rritja e normave të interesit të depozitave është reflektim i ndryshimit të kahut të politikës monetare vitin e kaluar, si nga Banka e Shqipërisë, ashtu edhe nga Banka Qendrore Europiane. Rritja e normave të interesit synon, mes të tjerash, ta bëjë më të leverdisshëm kursimin, duke e bërë një prej mekanizmave për frenimin e kërkesës dhe uljen e presioneve inflacioniste në ekonomi. Prej muajit mars deri në muajin nëntor 2022, Banka e Shqipërisë rriti normën bazë të interesit nga 0.5% në 2.75%. Rritja e interesit të depozitave është ende më e ulët krahasura me rritjen e normës bazë të interesit, sepse përcjellja e rritjes së interesave në portofolin e depozitave ndodh në mënyrë graduale, me rinovimin periodik të tyre. Nga ana tjetër, edhe rritja e interesit të depozitave të reja përgjithsisht ndodh me ritme të ngadalta, sepse tregu bankar në Shqipëri është mjaft likuid.
Megjithatë, rritja e normave të interesit të depozitave ka qenë e konsiderueshme dhe hallka që ka nxitur këtë rritje në monedhën lekë ka qenë sidomos tregu primar i bonove dhe obligacioneve të qeverisë, ku yield-et shënuan një rritje të fortë, sidomos në periudhën mes muajve gusht dhe nëntor 2022.
Yield-i mesatar i bonove 12 mujore të thesarit në muajin nëntor arriti në 5.83%, niveli më i lartë që prej vitit 2013. Yield-et e bonove u rritën madje me ritme më të shpejtë se norma bazë e interesit, për shkak të pritshmërive të investitorëve për rritje të shpejtë të normave në të ardhmen e afërt. Pas muajit dhjetor, tregu u qetësua disi dhe rritja e yield-eve u korrigjua ndjeshëm. Në fund të muajit janar të këtij viti, yield-i mesatar i ponderuar i bonove 12 mujore zbriti në 4.86%, ndërsa në muajin mars ky tregues ra më tej, poshtë kufirit të 4%. Megjithatë, rritja e yield-eve i ka bërë instrumentet e borxhit të qeverisë joshëse edhe për investitorët e vegjël, duke shtuar konkurrencën me depozitat bankare për kursimet e publikut dhe ka krijuar presion mbi bankat për të rishikuar edhe normat e interesit të depozitave.
Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) treguan se blerjet e individëve në tregun primar të bonove dhe obligacioneve vitin e kaluar arritën në 49.6 miliardë lekë, me një rritje rekord prej 216% krahasuar me një vit më parë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.