Intervistë me Alberto De Stavola, Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv dhe Përgjegjës për Qeverisjen Mjedisore dhe Sociale në Intesa Sanpaolo Bank Albania
Banka Intesa Sanpaolo Albania, brenda vitit 2025, do të heqë dorë plotësisht nga financimi i industrisë së qymyrit, ndërsa duke nisur nga viti 2030 nuk do të japë më kredi për nxjerrjen e formave jokonvencionale të naftës bruto dhe gazit të lëngshëm të naftës.
Alberto De Stavola, Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv dhe Përgjegjës për Qeverisjen Mjedisore dhe Sociale në Intesa Sanpaolo Bank Albania, thotë për “Monitor” se sot arritjet e institucioneve financiare nuk maten vetëm me rezultatet e tyre financiare, por edhe me qasjen dhe strategjinë ndaj parimeve të Qeverisjes Mjedisore dhe Sociale. Sipas tij, në Shqipëri, po theksohet gjithmonë e më tepër rëndësia e investimit në projektet e profilizuara në ekonominë e gjelbër.
Shumë biznese të mesme dhe të vogla (SME) dhe korporata, kanë realizuar investime në panele fotovoltaike, duke prodhuar energji të pastër për nevojat e aktivitetit të tyre, ndërsa banka ofron edhe kredi për ndërtesa banimi ekologjike dhe qira financiare për automjete elektrike
Sa i zhvilluar është koncepti i “Financës së Gjelbër” në Shqipëri dhe si reflektohet ky koncept në veprimtarinë e bankave tregtare?
“Ekonomia e gjelbër” është një koncept i gjerë që shpjegon mënyrën sesi institucionet financiare, kryesisht nëpërmjet financimeve, po mbështesin aktivitete me ndikim pozitiv në mjedis, duke reflektuar një tendencë që po përhapet në nivel global nga bankat tregtare, përfshirë këtu edhe tregun shqiptar.
Në ditët e sotme, arritjet e institucioneve financiare nuk lidhen vetëm me rezultatet e tyre financiare, por edhe me qasjen dhe strategjinë e tyre ndaj parimeve të Qeverisjes Mjedisore dhe Sociale (ESG – Environmental Social Governance).
Intesa Sanpaolo Bank Albania operon plotësisht në përputhje me përkushtimin e Grupit Intesa Sanpaolo për qëndrueshmërinë dhe parimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm, të cilat do të jenë një nga shtyllat kryesore të krijimit të vlerës në vitet e ardhshme.
Nisma më e fundit që Grupi Intesa Sanpaolo ndërmori në këtë aspekt është Aleanca Bankare për Emetime Neto Zero (ABENZ) – Net Zero Banking Alliance, sipas së cilës bankat duhet të reduktojnë emetimet e tyre direkte dhe të tërthorta të dioksidit të karbonit, në mënyrë që të arrijnë emetimin neto zero në nivel global deri në vitin 2050. Në këtë mënyrë, do të mund të arrijmë uljen e temperaturave të shkaktuara si rezultat i ngrohjes globale me 1.5 gradë Celsius krahasuar me nivelet para-industriale.
Në Shqipëri, po theksohet gjithmonë e më tepër rëndësia e investimit në projektet e profilizuara në ekonominë e gjelbër dhe ndjeshmëria ndaj kësaj qasjeje po bëhet më e madhe nga të gjitha grupet e interesit si investitorët, konsumatorët, publiku, etj., (së fundmi edhe për shkak të krizës aktuale të energjisë). Shumë biznese të mesme dhe të vogla (SME) dhe korporata, tashmë kanë realizuar investime në panele fotovoltaike, duke prodhuar energji të pastër për nevojat e aktivitetit të tyre.
Cilat janë llojet kryesore të kredisë që, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, kanë ndikim në mbrojtjen e mjedisit dhe në uljen e emetimeve të gazrave serë?
Disa nga produktet dhe shërbimet bankare për klientët që Banka jonë ofron dhe kanë ndikim pozitiv në mjedis janë: kredi për ndërtesa banimi ekologjike dhe qira financiare për automjete elektrike. Për më tepër, Intesa Sanpaolo Bank Albania ofron zgjidhje të specializuara për financimin e sistemeve fotovoltaike për vetëprodhim, duke synuar të gjitha segmentet e biznesit nga Korporatat e Mëdha, e deri te Bizneset e Mesme dhe të Vogla (SME).
Përqafimi i parimeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm është një proces transformues që përfshin aktorë të jashtëm dhe të brendshëm, me synim krijimin e një vlere të shtuar në mënyra alternative dhe zgjidhje afatgjata. Qëllimi i Intesa Sanpaolo Bank Albania është të përshpejtojë zhvillimin dhe përdorimin në treg të produkteve dhe shërbimeve të ekonomisë së gjelbër, të cilat kanë ndikim pozitiv në mjedis. Ne jemi të sigurt se investimi i kapitalit në mundësi më premtuese dhe më të qëndrueshme do të kontribuojë në një zvogëlim të konsiderueshëm të gjurmës së ndotjes së partnerëve apo klientëve tanë.
A keni një listë të sektorëve të ekonomisë që nuk i financoni me kredi, për shkak të ndikimit negativ që ato kanë në mjedis apo shoqëri?
Si pjesë e një grupi ndërkombëtar, për sa i përket përkushtimit të parimeve të Qeverisjes Mjedisore dhe Sociale (ESG), ne marrim parasysh çështjet sociale, mjedisore dhe të qeverisjes që lidhen me aktivitetet e kompanive të klientëve tanë dhe kemi miratuar udhëzime specifike për menaxhimin e rreziqeve që mund të lindin në një nga fushat e lartpërmendura gjatë procesit të huadhënies.
Këtu mund të identifikojmë një listë të “sektorëve më të ndjeshëm”, për të cilët janë përcaktuar kufizime financimi, të tillë si: nafta dhe gazi, prodhimi i energjisë (qymyri, naftë, gaz) ose minierat e qymyrit. Grupi Intesa Sanpaolo dhe Intesa Sanpaolo Bank Albania gradualisht dhe brenda vitit 2025 do të largohen nga bashkëpunime me sektorin e minierave të qymyrit dhe brenda vitit 2030, me sektorin jokonvencional të naftës dhe gazit.
Banka merr në konsideratë të gjitha rreziqet mjedisore, sociale dhe të qeverisjes që lidhen me aktivitetet e klientëve biznese në vendimet e huadhënies së projekteve, në përputhje me praktikat më të mira të tregjeve financiare dhe rregullat e grupit Intesa Sanpaolo, duke u treguar shumë të kujdesshëm për respektimin e kuadrit ligjor të vendit dhe standardet ndërkombëtare. Parimet e Ekuatorit (Equator Principles) janë gjithashtu të integruara plotësisht në politikat e huadhënies të Bankës.
Cilat janë skemat kryesore të mbështetjes së kredive të gjelbra nga bankat e huaja që aplikohen në Shqipëri? Cilat kanë qenë më të suksesshmet deri më sot?
Skemat kryesore që mbështesin Kreditë e Gjelbra bazohen në skemat e financimeve që ne u ofrojmë klientëve, në bashkëpunim me institucionet e BE-së të cilat operojnë në vend.
Këto skema ofrojnë kushte tërheqëse financimi, si norma më të ulëta interesi me mbulim më të ulët kolaterali për klientët, duke nxitur, në këtë mënyrë, përkushtimin ndaj zgjidhjeve të zhvillimit të eficiencës së energjisë në përputhje me standardet e BE-së. Skema të tjera të suksesshme ofrojnë rimbursim, ose grante të një përqindje të caktuar të shumës pas finalizimit me sukses të projekteve me ndikim pozitiv në mjedis.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.