Investitorët më të mëdhenj vijnë nga BE dhe Turqia. Ndryshe nga Shqipëria, koncesionet e dhëna nga qeveria e Kosovës për subjektet publike janë më të pakta
Sipas të dhënave nga Banka Qendrore e Kosovës, Investimet e Huaja Direkte (IHD) për vitin 2019 arritën vlerën 271.8 milionë euro, nivel i ngjashëm me vitin 2018 (272.1 milionë euro). Rritja e IHD-ve u evidentua kryesisht në sektorin e pasurive të paluajtshme, që përbën rreth 87.1% në gjithsej IHD-të dhe sektorin e industrisë, i cili ka një pjesëmarrje prej 3.9% në gjithsej IHD-të. Në anën tjetër, sektorët që shënuan rënie ishin kryesisht sektori i ndërtimit dhe ai i tregtisë.
Që nga viti 2007 deri në vitin 2019, ekonomia e Kosovës ka thithur gjithsej flukse neto investimesh në vlerën e rreth 3.8 miliardë eurove. Sektori që ka dominuar dukshëm investimet në këtë periudhë është ai i pasurive të paluajtshme. Statistikat e BQK-së tregojnë se ato kanë arritur vlerën progresive të 1.65 miliardë eurove ose rreth 43% të stokut total të investimeve të huaja. Sektori i dytë që ka thithur më shumë investime të huaja është ai financiar, me 594 milionë euro dhe industria, me 368 milionë euro.
Të dhënat e BQK-së tregojnë se pas vitit 2007, investitori më i madh i huaj në Kosovë ka qenë Gjermania, me investime totale që kanë arritur vlerën e 683 milionë eurove. Vijon Zvicra me 568 milionë euro dhe Britania e Madhe me 389 milionë euro. Përveç investitorëve të huaj strategjikë, këto investime mund të përfshijnë edhe ndikimin e bizneseve nga diaspora e zhvilluar e Kosovës në këto vende, sidomos në Gjermani dhe Zvicër.
Prania e ndërmarrjeve të huaja në sektorët strategjikë të ekonomisë së Kosovës është e konsiderueshme. Kryesisht, këto biznese i takojnë vendeve të Bashkimit Europian dhe Turqisë.
Energjia e ndarë mes shtetit dhe turqve
Sektori energjetik në vend është i ndarë mes kompanive me kapital shtetëror, në nivelin prodhimi dhe transmetimi dhe investitorëve turq në nivel shpërndarjeje dhe furnizimi të konsumatorëve finalë. Ndërmarrja prodhuese, KEK, dhe ajo e transmetimit, KOSTT, vitin e kaluar realizuan shitje totale në vlerën 252 milionë euro dhe fitime para tatimit, në vlerën e 46 milionë eurove.
Kompanitë e shpërndarjes dhe furnizimit kontrollohen të dyja nga konsorciumi turk, Çalik Limak Energy sh.a, bashkim investitorësh i krijuar enkas për privatizimin e operatorit të shpërndarjes së energjisë. Në vitin 2015, ky operator u nda në dy kompani të veçanta, KEDS dhe KESCO, që për vitin 2019 realizuan xhiro të përbashkët në vlerën e 254 milionë eurove dhe rezultat financiar të përbashkët në vlerën e 6.2 milionë eurove.
Sektori bankar, 87% zotërohet nga bankat e huaja
Investitorët e huaj zotërojnë pothuajse 87% të tregut bankar në Kosovë sipas totalit të aktiveve. Me përjashtim të Bankës Ekonomike dhe Bankës për Biznes, tetë bankat e tjera janë me kapital të huaj. Gjatë vitit 2020, nisi aktivitetin edhe banka e nëntë me kapital të huaj, Credins Kosova sh.a. Banka më e madhe në vend është Raiffeisen, me kapital austriak, që mbante rreth 21.6% të tregut vitin e kaluar, e ndjekur nga gjermanët e ProCredit me 17% të tregut dhe sllovenët e NLB Banka, me 16.9% të tregut.
Dy bankat me kapital vendas, Banka Ekonomike dhe Banka për Biznes e Kosovës zotërojnë së bashku rreth 13% të aktiveve totale të tregut bankar. Banka e katërt më e madhe, TEB, është konsorcium me kuota të barabarta, mes grupit francez BNP Paribas dhe atij turk Çolakoĝlu.
Kapitali turk është i pranishëm edhe në tre banka të tjera, BKT (formalisht është bankë shqiptare, por me kapital turk), Ziraat dhe Isbank. Në Kosovë vazhdon të ushtrojë aktivitet vetëm një bankë me kapital serb, Banka Tregtare e Beogradit (Komercijalna Banka ad Beograd), me aktivitet të kufizuar në rajonin me shumicë të komunitet serb të Mitrovicës së Veriut.
Sigurimet, kryesojnë kompanitë austriake
Tregu i sigurimeve paraqitet i ekuilibruar edhe për nga struktura e kapitalit aksioner. Kompanitë me kapital austriak, Sigal Uniqa Group Austria dhe Sigma Vienna Insurance Group zinin së bashku mbi 23% të primeve të shkruara bruto vitin e kaluar. Këto kompani kanë hyrë në treg në mënyrë të tërthortë, përmes blerjes së kompanive mëmë në Shqipëri.
Kompania me kapital slloven, Illyria, zotëron pak më shumë se 10.5% të tregut, ndërsa e vetmja kompani e mbetur me kapital shqiptar, Eurosig, zotëronte rreth 10.2% të primeve të shkruara bruto gjatë vitit 2019. Pjesa e mbetur e tregut është e ndarë mes kompanive me kapital vendas, ku më të mëdhenjtë janë Scardian, Prisig dhe Elsig.
Koncesioni më i madh është turk
Ndryshe nga Shqipëria, koncesionet e dhëna nga qeveria e Kosovës për subjektet publike janë më të pakta. Më i rëndësishmi është ai i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, që shfrytëzohet me koncesion nga kompania me kapital turk, Limak Kosovo International Airport. Kompania është në pronësi të Limak Holding, një nga grupet e rëndësishme të biznesit në Turqi, me aktivitet kryesor në sektorët e ndërtimit, industrisë së çimentos, turizmit dhe energjisë. Grupi është në pronësi të familjeve të themeluesve të firmës në vitin 1976, Nihat Özdemir dhe Sezai Bacaksız.
Në gusht të vitit 2010, Limak Kosovo International Airport nënshkroi një marrëveshje të Partneritetit Publik-Privat me qeverinë e Kosovës, për projektimin, ndërtimin, zgjerimin dhe operimin e aeroportit. Koncesioni është bërë efektiv më datë 4 prill 2011 dhe ka afat 20- vjeçar. Për vitin 2019, kompania realizoi një xhiro totale në vlerën e 54.5 milionë eurove, nga të cilat rreth 9 milionë euro janë pagesa nga qeveria e Kosovës për zgjerimin e pistës së aeroportit, sipas parashikimeve të marrëveshjes koncesionare. Të ardhurat e kompanisë u rritën me 19% krahasuar me vitin 2018.
Fitimi para tatimit për vitin 2019 arriti vlerën e 5.7 milionë eurove, në rritje me 17.2% krahasuar me një vit më parë. Norma e fitimit të koncesionarit të Aeroportit të Prishtinës rezultoi rreth 10.5%, shumë larg prej fitimeve mbi 30% që siguron rregullisht kompania koncesionare e Aeroportit të Tiranës.
Në komunikimet elektronike kanë hyrë vetëm sllovenët
Tregu i komunikimeve elektronike në Kosovë ka tërhequr më pak interes të investitorëve të huaj krahasuar me Shqipërinë. Kjo mund të shpjegohet me përmasat më të vogla të tregut dhe performanca e dobët e operatorëve kryesorë në vitet e fundit e justifikon këtë interes të vogël të investitorëve të huaj. Operatori IPKO Communications, i kontrolluar nga Telekom Slovenije, vitin e kaluar raportoi një xhiro totale në vlerën e 62.6 milionë eurove, në rënie vjetore me 13%.
IPKO zotëronte rreth 48% të tregut të komunikimeve elektronike në Kosovë sipas totalit të të ardhurave. Deri tani, investimi nuk ka rezultuar fitimprurës dhe kompania ka akumuluar rreth 65 milionë euro humbje në bilanc. Për këtë arsye, Telekom Slovenije e ka nxjerrë kompaninë në shitje. Pjesa tjetër e tregut të komunikimeve elektronike është e ndarë mes kompanive vendase. Telekomi i Kosovës (Vala) është operatori më i madh i shërbimeve celulare, ndërsa kompania tjetër, Kujtesa, konkurron IPKO-n në shërbimet kabllore.
Tregtia dhe distribucioni dominohen nga biznesi vendas
Ashtu si në Shqipëri, sektorët e tregtisë me shumicë dhe pakicë të mallrave të konsumit, përfshi karburantet, dominohen përgjithësisht nga kompanitë me kapital vendas, megjithëse në këto tregje kanë hyrë edhe disa prej kompanive të rëndësishme shqiptare.
Mbështetur në pasqyrat financiare, dy distributorët më të mëdhenj në Kosovë janë “Elkos Group”, në pronësi të Ramiz Kelmendit, dhe “Buçaj”, në pronësi të Fatmir Krasniqit. Kompania shqiptare “Tobacco Holding Group” renditet e treta. Dy rrjetet më të mëdha të supermarketeve, “Viva Fresh” dhe “Proex” janë gjithashtu në pronësi të biznesmenëve të Kosovës.
Edhe tregu i karburanteve dominohet gjerësisht nga biznesmenët vendas. Kompania më e madhe për nga xhiroja është HIB Petrol e Ibrahim Bucaliut, e ndjekur nga Ex-Fis e Isa Muharremit dhe Al-Petrol e Latif Kryeziut.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.