Shpenzimet buxhetore njohën vlera të larta në krahasim me vitet e mëparshme, duke pësur një rritje me 5.9 për qind në krahasim tremujorin e parë të 2014, por shpenzimet për investime vazhdojnë të jenë anemike, me një rritje vetëm 800 milionë lekë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me rënie 42 për qind në tremujorin parë të 2013, sipas shifrave paraprake të Ministrisë së Financave.
Për periudhën tremujore shpenzimet kapitale arritën në vlerën e 8.2 miliardë lekëve, me një rritje 11 për qind krahasuar me një vit më parë, por 6 miliardë lekë më pak se në vitin 2013. Burimet në Ministrinë e Financave shpjegojnë se, arsyet e niveleve ende të ulëta lidhen me periudhën sezonale pasi tremujori i parë i vitit shfaq dobësi për shkak të prokurimeve ende në fillesa.
Por qeveria ka përmirësuar ndjeshëm administrimin e shpenzimeve të tjera, atyre korrente. Në krahasim me vjet janë shpenzuar 2.8 për qind më pas se e njëjta periudhë të një viti më parë. Gjithashtu shpenzimet e personelit janë ulur me 0.2%.
Të dhënat e tremujorit tregojnë se deficiti i skemës së pensioneve është thelluar edhe më tej. Në fund të marsit ato rezultuan 5.5 % më të larta se njëjta periudhë e 2014, ndërsa të ardhurat nga sigurimet shoqërore nuk kanë shënuar rritje, pavarësisht shtimit të numrit të të punësuarve për tremujorin e parë të këtij viti. Kjo rritje sipas ekspertëve të Ministrisë së Financave ka ardhur për shkak të efektit që do të ketë reforma e re e pensioneve në dy vitet e para të saj.
Shpenzimet për interesa janë 16 për qind më të ulëta. Kjo për shkak të rënies së interesave të borxhit në tregun e brendshëm dhe të jashtëm.
Gjithashtu shpenzimet për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura u rriten me 6 herë, duke arritur në 7 miliardë lekë.
Deficiti buxhetor shënoi rritje me 115 % krahasur me të njëjtën periudhë të një viti më parë, pasi shpenzimet u rriten me ritme më të shpejta (5.5%) se të ardhurat të cilat u rriten 3.6%. ( Lexoni: http://www.monitor.al/financat-bejne-kthesen-te-ardhurat-ne-buxhet-rriten-3-6-per-tremujorin/)
Fakt 2014 Fakt 2015 ndryshimi ndryshimi (%)
TOTALI i SHPENZIMEVE 85434 90506 5072 5.9
Shpenzime Korrente 77045 74862 -2183 -2.8
Personeli 17268 17304 36 0.2
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.