Investimet në energjinë diellore do të tejkalojnë, për herë të parë, shpenzimet për prodhimin e naftës këtë vit, ka thënë kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (International Energy Agency, IEA), duke theksuar rritje të zhvillimit të energjisë së pastër, që do të ndihmojë në frenimin e emetimeve globale, nëse tendenca vazhdon.
“Nëse këto investime në energji të pastër vazhdojnë të rriten, në përputhje me atë që kemi parë vitet e fundit, së shpejti do të fillojmë të shohim një sistem energjetik shumë të ndryshëm, si dhe do të mund të realizojmë objektivin 1.5C të rritjes së temperaturave globale” – tha Fatih Birol, drejtor ekzekutiv i IEA, duke iu referuar objektivit të Marrëveshjes së Parisit, për të kufizuar rritjen e temperaturës globale.
Këtë vit parashikohet të shpenzohen 1.7 trilionë dollarë për teknologjitë e pastra, krahasuar me 1 trilion dollarë për lëndët djegëse fosile.
Pesë vite më parë, investimi vjetor i energjisë prej 2 trilionë dollarësh, u nda në mënyrë të barabartë midis lëndëve djegëse fosile dhe teknologjisë së pastër, si burimet e rinovueshme, automjetet elektrike dhe karburantet me emetim të ulët.
Birol tha se një “po shfaqet një ekonomi e re globale e energjisë së pastër”, duke shtuar: “Për një njeri si unë, që përpunon të dhënat çdo ditë, ky është një ndryshim i mrekullueshëm dhe dramatik”.
Rritja e shpenzimeve për energjinë e pastër, është nxitur nga një rikthim i fortë i rritjes ekonomike pas pandemisë Covid-19, si dhe shqetësimet për paqëndrueshmërinë e çmimeve dhe sigurinë e energjisë, të shkaktuara nga pushtimi i Rusisë në shkallë të plotë të Ukrainës vitin e kaluar, sipas raportit vjetor të IEA për Investimet Botërore të Energjisë.
Mbështetja e zgjeruar e politikave, si Akti i Reduktimit të Inflacionit të SHBA, i cili ka dhënë 369 miliardë dollarë subvencione dhe kredi tatimore për teknologjitë e energjisë së pastër, ka ndihmuar gjithashtu, thuhet në raport.
Si rezultat, IEA pret që investimet vjetore të energjisë së pastër, të rriten me 24% krahasuar me vitin 2021, ndërsa shpenzimet për lëndët djegëse fosile do të rriten me 15 %.
Shpenzimet totale për energjinë diellore pritet të arrijnë në 1 miliard dollarë në ditë, duke tejkaluar shpenzimet për prodhimin e naftës.
Drejtuesi i IEA mori pjesë në Samitin e fundit të G7 në Japoni dhe tha se ishte i inkurajuar nga niveli i përafrimit në çështjet e energjisë, midis anëtarëve të G7 dhe vendeve të ftuara si Brazili, India dhe Indonezia.
Por, liderët e G7-ës duhej të siguronin, që shpenzimet aktuale për energjinë e pastër, të zgjeroheshin në më shumë vende në zhvillim. Sfida qëndron nëse vendet në zhvillim do të jenë në gjendje të financojnë tranzicionin në energji të pastër.
Pavarësisht bumit në shpenzimet e energjisë së pastër, emetimet globale të karbonit, të lidhura me energjinë, u rritën me 0.9 % vitin e kaluar, në një shifër rekord prej 36.8 miliardë tonësh.
Birol u bëri thirrje gjithashtu kompanive kombëtare dhe ndërkombëtare të naftës, që të drejtojnë më shumë nga shpenzimet e tyre, drejt zgjidhjeve të energjisë me emetime të ulëta karboni. Investimi total nga industria e naftës dhe gazit, në burimet e energjisë me emetim të ulët, është më pak se 5 % e totalit të shpenzuar për prodhimin e karburanteve fosile.
“Shpresoj, që të ketë një paralele më të madhe, midis asaj që thonë krerët e kompanive ndërkombëtare dhe kombëtare të naftës, për shqetësimet e tyre për ndryshimet klimatike, dhe asaj që ata bëjnë përsa i përket investimeve të tyre,” tha Birol. / The Financial Times