“Investimet për eficencën, si të përfitoni nga programi GEFF”

19/03/2019 4:07 PM 0 komente

Flet Alma Lulja, zv.koordinatore e projektit GEFF Shqipëri dhe Kosovë

 

Të gjithë ata qytetarë që duan të bëjnë një investim në banesën e tyre dhe që përmbush kriteret sipas parimit të eficencës së energjisë mund të përfitojnë nga programi i Financimit të Ekonomisë së Gjelbër (GEFF). Alma Lulja, zëvendëskoordinatore e programit për Shqipërinë dhe Kosovën, në një intervistës për “Monitor” nënvizon se fondet në dispozicion janë 9 milionë euro dhe skema ka të përfshirë edhe grantet.

Këto të fundit përfitohen pas plotësimit të një sërë kushteve dhe verifikimit nga ekspertët e programit dhe mund të arrijnë deri në 20% të vlerës së investimit. Për të lehtësuar zbatimin e programit janë konceptuar një sërë risish nga Selektori i Teknologjisë te Kalkulatori i Kursimit, që informojnë qytetarët mbi çdo detaj të nevojshëm për të bërë zgjedhjen e duhur.

A mund të bëjmë një prezantim mbi atë çfarë përfaqëson Green Economy Financing Facility (GEFF – Programi i Financimit të Ekonomisë së Gjelbër).

Ky është një program kreditor për financimin e ekonomisë së gjelbër. Është një projekt i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) i cili do të operojë në 6 shtete në Ballkanin Perëndimor. Ka filluar që në 2017 në Bosnjë – Hercegovinë dhe më pas në Kosovë, në Maqedoni, Serbi tashmë në Shqipëri dhe shumë shpejt në Mal të Zi. Është një vëllim total i linjës kreditore prej 85 milionë eurosh që do të shpërndahet në këto 6 shtete.

Aktualisht në Shqipëri janë dy institucione financiare, që janë bërë pjesë e projektit deri tani. Është Union Bank dhe Fondi Besa, me një total volumi linje kreditore prej 9 milionë eurosh, të cilat do të jenë të destinuara për investime në banesa. Pra, jo për investime në biznes, por investime në shtëpi, të cilat synojnë të kursejnë energji të cilat mund të jenë investime në dritare, izolimi i mureve të jashtme, panele diellore, sistemet e ngrohjes, etj. Të gjitha ato produkte që sjellin jo vetëm reduktimin e konsumit të energjisë por edhe përmirësim të kushteve të jetesës, si dhe reduktim të ndotjes në mjedis. Janë investime afatgjata dhe duke qenë se BERZH kërkon të zhvillojë tregun lokal të produkteve të eficencës së energjisë, është krijuar edhe një platformë online e njohur si Selektori i Energjisë. Këtë platformë mund ta aksesojë çdokush në www.ebrdgeff/albania.

Aktualisht janë të regjistruara më tepër se 2,700 produkte të teknologjive të larta, të cilat janë të paraaprovuara nga GEFF për t’u financuar. Kjo është një platformë e dedikuar për produktet e eficencës së energjisë. Janë 11 kategori produktesh, duke nisur nga dritaret, panelet diellore e shumë të tjera dhe çdo qytetar i interesuar nga telefoni apo laptopi mund të shohë produktin që dëshiron apo se ku ndodhen tregtarët më afër tyre. Platforma ka informacion të detajuar edhe për bizneset që ofrojnë këto produkte të paraaprovuara, të cilat janë në gjithë Shqipërinë.

Cilat janë avantazhet që paraqet krijimi i Selektorit të Teknologjisë, cili është synimi i tij?

E para për të ndihmuar qytetarët që të kenë mundësi të shohin ku janë këto produkte dhe çfarë karakteristikash kanë. Së dyti, për të ndihmuar institucionet financiare, sepse normalisht përpara se të marrin vendimin e financimit, ato duhet të kenë informacion mbi aspektet teknike të investimeve që mbështeten. Këto produkte janë të paraaprovuara, ndaj nuk ka nevojë për vendime apo vlerësime shtesë nga BERZH apo GEFF. Së treti, ndihmohen edhe bizneset që shesin këto produkte.

Kemi një trinom bashkëpunimi, që synon të çojë para objektivin e eficencës. Duhet të them se ka edhe një risi tjetër ku përveçse ofrohet një mundësi financimi për individët, ofrohet edhe një mundësi granti. Kjo do të thotë që nëse një individ do të investojë vetëm në një teknologji, për shembull vetëm në dritare, le të themi 1 milion lekë, ai ka mundësi që të plotësojë edhe kërkesën për grant deri në 15% të vlerës së investimit.

Pra 150 mijë lekë qytetarit i kthehen mbrapsht në formën e grantit. Në rast se dikush bën investim në dy teknologji pra dhe dritare dhe panele diellore apo izolim dhe panele diellore, atëherë granti shkon deri në 20% të investimit. Kjo do t’ju japë mundësi individëve të kursejnë më tepër, sepse këto para kalojnë në llogari të tyre dhe ata mund t’i shpenzojnë si e shohin të arsyeshme. Pjesë e projektit, përveç individëve, mund të bëhen edhe grupet komunitare të një pallati për shembull. Nëse banorët e një pallati bien dakord që të bëjnë izolimin e tij, ata aplikojnë edhe për grant, i cili mund të arrijë deri në 35% nëse shkohet në dy teknologji, pra bëhet për shembull izolimi i fasadës dhe dritaret. Ky projekt është për ata individë që e kuptojnë rëndësinë dhe janë të ndërgjegjshëm për një investim të kësaj natyre, por që u mungon mbështetja financiare.

Mbështetja përfshin vetëm blerjen e teknologjisë apo projekti financohet nga fillimi në fund?

Ajo që mbështetet nuk është vetëm produkti, pra paneli apo materialet e izolimit. Programi mbështet investimin nga fillimi i tij deri te mbyllja, ku përfshihet instalimi dhe kostot e transportit. Pra të gjithë kostot ndihmëse të lidhura me instalimin e produktit.
Nëse unë si qytetar dua të aplikoj për këtë lloj financimi, kur mund ta shpreh interesin?

Aplikimi mund të bëhet në çdo moment. Çdo qytetar mund të shohë online se cilat janë produktet që kualifikohen dhe financohen dhe më pas, secili mund të printojnë certifikatën e pranueshmërisë së produktit që ka përzgjedhur. Me këtë certifikatë shkon te tregtari, zgjedh produktin dhe merr një ofertë për produktin e përzgjedhur.

Pas kësaj, merr një kredi në institucionet financiare, që janë pjesë e këtij projekti dhe më pas, me të bërë investimin, bën dhe aplikimin për grant, përmes një formulari që është i disponueshëm pranë këtyre institucioneve financiare. Më pas, dorëzohet fatura dhe dëshmia e pagesës, për të treguar që është bërë investimi dhe kjo kalon te konsulentët e GEFF që bëjnë verifikimin e investimit dhe për të kaluar më pas te granti.

Në vendet ku është aplikuar më herët, si Maqedoni apo Kosovë, si ka rezultuar ky program?

Ka rezultuar mjaft i suksesshëm. Unë jam koordinatore për Shqipërinë dhe Kosovën. Kjo e fundit ka mbi një vit që ka nisur dhe kemi shumë interes. Në Kosovë, kemi verifikuar mbi 2.3 milionë euro investime në një kohë shumë të shkurtër. Individët kanë arritur të marrin grante dhe është një procedurë e kërkuar, pasi vjen me lehtësi të shumta, përfshirë aspektin teknik. Nga ana tjetër, edhe vetë konsumatorët po ndërgjegjësohen për përfitimet. Mjafton të themi që në Shqipëri, mbi 50% e energjisë elektrike konsumohet nga sektori i banimit. Kjo do të thotë që nëse mendon në afatgjatë, një investim i kësaj natyre vërtet mund të ketë një kosto të caktuar, por e kthen veten shpejt. Është një mundësi që mbështetet edhe më shumë falë granteve të investuara nga Bashkimi Europian i cili ka dedikuar mbi 1,8 milion euro që do të jepen si grante për programin GEFF në Shqipëri.

Kur bëhet fjalë për eficencën, jo të gjithë arrijnë ta perceptojnë si një investim të rëndësishëm. Si mund të promovohet pjesa e investimeve të gjelbra për të rritur ndërgjegjësimin?

Ne jemi të vetëdijshëm për këtë pjesë dhe ndaj GEFF, por edhe Institucionet financiare, Union Bank, si dhe Fondi Besa, mbas lançimit të eventit do të nisin fushatën për rritjen e ndërgjegjësimit, për të kuptuar sesa e rëndësishme është që të investohet tek eficienca dhe përfitimet që sjell ajo. Është krijuar një Kalkulator i Kursimeve të Energjisë dhe është lançuar online, i cili u vjen në ndihmë qytetarëve që të llogarisin përafërsisht kurimin e tyre të energjisë.

Ky kalkulator është përshtatur që të japë me përafërsi kursimin sipas zonës gjeografike ku jeton qytetari, tipologjisë së banesës apo elemente të tjera përbërëse të saj. Mendoj se në proces janë shumë aktorë të përfshirë dhe përkushtimi për informim dhe ndërgjegjësim nga të gjitha palët, do të ketë efektin e tij edhe te qytetarët.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of