Qeveria programoi një fond rekord për investime kapitale këtë vit gjatë ndryshimeve buxhetore ne mes të qershorit, plot 1 miliardë euro, por 1 muaj nga mbyllja e vitit është realizuar pak më shumë se, gjysma e planit.
Nga 104 miliardë lekë që ishte fondi i investimeve kapitale këtë vit (pa përfshirë fondet për rindërtimin) janë realizuar vetëm 61, 8 miliardë gjatë 11 mujorit ose 59 për qind e programit vjetor.
Investimet kapitale janë zëri më i rëndësishëm i buxhetit, i cili ndikon në mënyrë të drejtpërdrejte produktivitetin në ekonomi. Qeveria nëpërmjet zërit të investimeve përmirëson infrastrukturën, publike kryesisht rrugë, ujësjellësi dhe linja të reja energjie, shkolla, qendra shëndetësore etj. Qeveria nëpërmjet investimeve publike rrit vlerën e shtuar në ekonomi, p r gjithashtu bëhet shkak për nxitjen e investimeve të tjera private.
Edhe pse programoi një fond historik, i cili mori i edhe kritikat e Fondit Monetar Ndërkombëtar, ecuria ishte më e dobët edhe se viti i kaluar. Fondet e shpenzuara këtë vit ishin 61.8 miliardë lekë ose 3 % (16 mln euro) më të ulëta se në 11 mujorin e vitit 2020, ku vendi ishte nën “thundrën” e masave pandemike dhe shumë sektorë në ekonomi ishin të pezulluar.
Përveç se fondi i investimeve ka ecuri të dobët, raportimet për produktet ku kanë shkuar fondet janë të dobëta dhe projektet shpesh nuk janë efikase. Shembulli më ilustrues janë koncensionet me PPP, të cilat kanë rezultuar me kosto të larta dhe me efektivitet të ulët, siç është rasti i inceneratorëve. Ndërsa rruga e Arbrit një projekt i madh i infrastrukturës me PPP, përvese u hap për trafikun pa përfunduar ende, segmentet e përfunduara janë prishur pa bërë asnjë muaj nga inaugurimi.
Edhe këtë vit plani i investimeve prej më shumë se 1 miliardë eurosh nuk pritet të prodhojë një objekt investimi madhor, me ndikim në ekonomi. Fondet janë copëzuar në shumë projekte dhe rritja e kostove të punimeve publike vitet e fundit, po harxhon fondet buxhetore pa prodhuar objekte me fisibilitet. Burimet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar pohuan se shumica e investimeve po bëhen pa projekte të detajuara dhe shumë fonde po shkojnë për shtesa punimesh pikërisht për shkak të mungesës së seriozitetit në hartimin e projekteve. Dy akse nacionale si Kardhiq-Delvinë dhe rruga Qukës-Qafë Thanë janë shndërruar në vrima të zeza, pasi shtesat e punimeve po tejkalojnë vlerat fillestare të përllogaritura.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.